Letra I drejtuar Korintasve 5
1 Gjithkund dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, dhe një kurvëri të tillë që nuk zihet në gojë as edhe ndër kombe, saqë njëri ka gruan e të atit.
2 Dhe ju jeni krekosur, dhe përkundër nuk vajtuat, që të nxirrej prej mesit tuaj ai që e bëri këtë punë.
3 Se unë, nga ana ime, si duke munguar me trup, por duke qenë i pranishëm me frymë, tashmë e kam gjykuar si të isha i pranishëm atë që e kreu kështu këtë gjë:
4 në emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, si të mblidheni ju dhe fryma ime me ju, bashkë me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
5 t'i dorëzohet i tilli Satanit për rrënim të mishit, me qëllim që fryma të shpëtohet në ditën e Zotit Jezus.
6 Nuk është e mirë mburrja juaj! Nuk e dini se pak tharm e mbrun tërë brumin?
7 Spastrohuni, pra, nga tharmi i vjetër, që të jeni brumë i ri, ashtu siç jeni të patharm, sepse edhe Pashka jonë, Krishti, u flijua për ne.
8 Kështu që, të festojmë jo me tharm të vjetër dhe as me tharm keqësie dhe ligësie, por me bukë të patharm çiltërsie dhe të vërtete.
9 Ju shkrova në letrën time që të mos përziheni me kurvarë.
10 Dhe nuk e kisha fjalën aspak me kurvarët e kësaj bote apo me lakmitarët, apo me grabitqarë, apo me idhujtarë, se përndryshe jeni të detyruar që të dilni prej botës.
11 Por tani ju shkrova që të mos përziheni po të jetë dikush që, duke u quajtur vëlla, është kurvar apo lakmitar, apo idhujtar, apo sharës, apo pijanec, apo grabitqar; me të tillin as edhe të mos hani bashkë.
12 Se ç'më duhet mua që të gjykoj edhe të jashtmit?! A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por të jashtmit i gjykon Perëndia. Dhe ju duhet ta nxirrni të ligun prej mesit tuaj!
Të gjithë librat
