Letra I drejtuar Korintasve 2
1 Dhe unë, kur erdha te ju, vëllezër, nuk erdha me epërsi fjale apo urtësie, duke ju shpallur dëshminë e Perëndisë;
2 sepse vendosa që të mos di diçka tjetër ndër ju, përveçse Jezu Krishtin, dhe këtë të kryqëzuar.
3 Dhe unë u ndodha te ju në dobësi dhe në frikë, dhe në shumë dridhje;
4 dhe fjala ime dhe predikimi im nuk qenë me fjalë bindëse të urtësie njerëzore, por me dëftim Fryme dhe fuqie,
5 me qëllim që besimi juaj të mos jetë në urtësi të njerëzve, por në fuqi të Perëndisë.
6 Megjithatë, ne flasim urtësi ndër të pjekurit, por jo urtësi të kësaj epoke dhe as të krerëve të kësaj epoke, të atyre që asgjësohen;
7 përkundrazi, flasim urtësinë e Perëndisë në mister, atë urtësi që ishte fshehur, të cilën Perëndia e paracaktoi përpara epokave për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga krerët e kësaj epoke nuk e ka kuptuar; se sikur ta kishin kuptuar, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, ashtu siç është shkruar: "ato që syri nuk i pa dhe veshi nuk i dëgjoi, dhe që nuk hynë në zemër të njeriut, janë ato që përgatiti Perëndia për ata që e duan".
10 Por neve na i zbuloi Perëndia nëpërmjet Frymës së tij, sepse Fryma i heton të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë.
11 Se cili nga njerëzit i di gjërat e njeriut, përveçse fryma e njeriut që është në të? Kështu edhe gjërat e Perëndisë nuk i di askush, përveçse Fryma e Perëndisë.
12 Tani, ne nuk morëm frymën e botës, por Frymën që është prej Perëndisë, që të dimë ato që na u dhuruan hirësisht nga Perëndia;
13 për të cilat edhe flasim, jo me fjalë të mësuara nga urtësia njerëzore, por me fjalë të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke ua shtjelluar gjërat frymërore njerëzve frymërorë.
14 Por një njeri shpirtësor nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, se janë marrëzi për të dhe nuk mund t'i kuptojë, sepse ato shqyrtohen frymërisht.
15 Ndërsa frymërori i shqyrton të gjitha, por vetë nuk shqyrtohet nga asnjë.
16 Se "kush e njohu mendjen e Zotit, që do ta udhëzojë atë?". Por ne kemi mendjen e Krishtit.
Të gjithë librat
