Letra I drejtuar Korintasve 11
1 Bëhuni imitues të mi, ashtu si edhe unë jam i Krishtit.
2 Tani, unë ju lavdëroj, vëllezër, sepse më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i mbani traditat ashtu siç jua përcolla.
3 Por dua që ju ta dini se kryet e çdo burri është Krishti dhe kryet e një gruaje është burri, dhe kryet e Krishtit është Perëndia.
4 Çdo burrë që lutet ose profetizon duke pasur mbulesë mbi krye, turpëron kryet e tij.
5 Por çdo grua që lutet ose profetizon me kryet e pambuluar, turpëron kryet e vet, sepse është e njëjta gjë si një grua që ka rruar kryet.
6 Njëmend, nëse një grua nuk mbulohet, edhe të qethet. Por nëse është e turpshme për një grua që të qethet apo të rruajë kokën, atëherë të mbulohet.
7 Se vërtet burri nuk duhet të mbulojë kryet, ngaqë është shëmbëllesë dhe lavdi e Perëndisë, por gruaja është lavdi e burrit.
8 Sepse nuk është burri prej gruas, por gruaja prej burrit.
9 Dhe njëmend, nuk u krijua burri për hir të gruas, por gruaja për hir të burrit.
10 Për këtë arsye, gruaja duhet që të ketë një simbol pushteti mbi krye, për shkak të engjëjve.
11 Sidoqoftë, në Zotin, as burri nuk është pa gruan, as gruaja nuk është pa burrin.
12 Sepse, sikurse gruaja vjen prej burrit, kështu edhe burri vjen nëpërmjet gruas, dhe të gjitha gjërat vijnë prej Perëndisë.
13 Gjykoni në veten tuaj: a është e përshtatshme për një grua që t'i lutet Perëndisë e pambuluar?
14 Apo nuk ju mëson edhe vetë natyra se po të mbajë një burrë flokë të gjatë, kjo është çnderim për të,
15 por po të mbajë një grua flokë të gjatë, kjo është lavdi për të? Sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.
16 Por nëse ndokush ka në mend të jetë grindavec, ne nuk kemi zakon të tillë, dhe as kishat e Perëndisë.
17 Tani, duke porositur këtë, nuk ju lavdëroj, sepse nuk mblidheni për më të mirën, po për më të keqen.
18 Sepse, së pari, ndërsa ju mblidheni në kishë, dëgjoj se ka përçarje ndër ju, dhe pjesërisht e besoj.
19 Njëmend, duhet të ketë edhe ndasira ndër ju, me qëllim që të dalin në pah ndër ju të aprovuarit.
20 Prandaj, ndërsa ju mblidheni në një vend, nuk është për të ngrënë darkën e Zotit,
21 sepse në të ngrënët, secili merr më përpara darkën e vet; dhe njëri ka uri, kurse tjetri dehet.
22 Mos vallë nuk keni shtëpi për të ngrënë dhe për të pirë?! Apo përçmoni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që nuk kanë?! Çfarë t'ju them?! T'ju lavdëroj në këtë gjë?! Nuk ju lavdëroj!
23 Se unë mora nga Zoti çfarë edhe ju përcolla juve: se Zoti Jezus, në natën në të cilën po tradhtohej, mori bukë
24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im, që thyhet për ju. Bëjeni këtë për përkujtimin tim".
25 Po ashtu mori edhe kupën mbas darkës, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Bëjeni këtë sa herë që të pini, për përkujtimin tim".
26 Sepse sa herë që të hani këtë bukë dhe të pini këtë kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit derisa ai të vijë.
27 Kështu që, cilido që të hajë këtë bukë ose të pijë kupën e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.
28 Por njeriu të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë prej bukës dhe të pijë prej kupës.
29 Se ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi gjykim për vetveten, duke mos dalluar trupin e Zotit.
30 Për këtë arsye ka ndër ju shumë të dobët dhe të sëmurë, dhe mjaft flenë.
31 Sepse, sikur të dallonim drejt veten tonë, nuk do të gjykoheshim.
32 Por kur gjykohemi nga Zoti, korrigjohemi me qëllim që të mos dënohemi bashkë me botën.
33 Kështu që, vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, prisni njëri-tjetrin.
34 Por nëse dikush ka uri, të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për gjykim. Por për të tjerat, do të jap udhëzime kurdo që të vij.
Të gjithë librat
