Letra I drejtuar Korintasve 7
1 Tani, rreth atyre që më shkruat: "Mirë është për njeriun që të mos prekë grua".
2 Po për shkak të kurvërive, secili të ketë gruan e vet dhe secila të ketë burrin e vet.
3 Burri t'i japë dashamirësinë që i detyrohet gruas dhe po ashtu edhe gruaja burrit.
4 Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; dhe po ashtu edhe burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.
5 Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse me marrëveshje, për një kohë, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes; dhe përsëri të bëheni bashkë, që të mos ju tundojë Satani për shkak të mospërmbajtjes suaj.
6 Por këtë e them si lejim, jo si urdhër.
7 Sepse dëshiroj që të gjithë njerëzit të jenë siç jam edhe vetë, por secili ka dhuntinë e vet prej Perëndisë, njëri kështu e tjetri ashtu.
8 Tani, u them të pamartuarve dhe vejushave se është mirë për ta po të rrinë siç jam edhe unë.
9 Por nëse nuk vetëpërmbahen, të martohen, sepse është më mirë të martohesh sesa të digjesh.
10 Ndërsa atyre që janë të martuar, u urdhëroj (jo unë, por Zoti) që gruaja të mos ndahet nga burri
11 (por edhe po të ndahet, të mbetet e pamartuar ose të pajtohet me burrin) dhe burri të mos e lërë gruan.
12 Ndërsa të tjerëve unë u them (jo Zoti) se nëse ndonjë vëlla ka grua jobesimtare dhe kjo pranon që të banojë me të, ai mos ta lërë atë.
13 Dhe nëse ndonjë grua ka burrë jobesimtar dhe ai vetë pranon që të banojë me të, ajo mos ta lërë atë.
14 Se burri jobesimtar është shenjtëruar në gruan dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar në burrin; sepse përndryshe fëmijët tuaj janë të papastër, por tani janë të shenjtë.
15 Por nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet! Në raste të tilla vëllai ose motra nuk janë të skllavëruar, por Perëndia na ka thirrur në paqe.
16 Se çfarë di ti, o grua, nëse do ta shpëtosh burrin?! Ose çfarë di ti, o burrë, nëse do ta shpëtosh gruan?!
17 Veçse, ashtu siç i ndau Perëndia secilit, ashtu siç e ka thirrur Zoti secilin, kështu të ecë; dhe kështu udhëzoj në të gjitha kishat.
18 A u thirr dikush mbasi ishte rrethprerë? Të mos e zhbëjë rrethprerjen. A u thirr ndonjë duke qenë në parrethprerje? Të mos rrethpritet.
19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, por mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.
20 Secili të rrijë në atë thirrje në të cilën u thirr.
21 U thirre skllav? Mos të të merakosë kjo gjë, por edhe nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë shfrytëzoje mundësinë.
22 Se ai që u thirr në Zotin duke qenë skllav, është i liruar i Zotit. Ngjashmërisht, edhe ai që u thirr duke qenë i lirë, është skllav i Krishtit.
23 Ju u bletë me një çmim; mos u bëni skllevër të njerëzve.
24 Secili, o vëllezër, të rrijë para Perëndisë në atë gjendje në të cilën u thirr.
25 Tani, rreth beqarëve nuk kam urdhër të Zotit, por po jap mendim si një që është mëshiruar nga Zoti për të qenë i besueshëm.
26 Mendoj, pra, se kjo është e mirë, për shkak të shtrëngimit të tanishëm, pra, që është e mirë për njeriun të jetë kështu siç është.
27 Je i lidhur me grua? Mos kërko zgjidhje. Je i lirë nga një grua? Mos kërko grua.
28 Por edhe po të martoheshe, nuk do të mëkatoje; edhe po të martohej virgjëresha, nuk do të mëkatonte. Mirëpo, të tillët do të kenë mundim në mish, dhe unë po ju kursej.
29 Dhe po them këtë, vëllezër: koha është shkurtuar; tani e tutje duhet që edhe ata që kanë gra, të jenë si të mos kishin;
30 dhe ata që qajnë, si të mos qanin; dhe ata që gëzojnë, si të mos gëzonin; dhe ata që blejnë, si të mos kishin në zotërim;
31 dhe ata që përdorin prej kësaj bote, si të mos përdornin krejtësisht prej saj, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
32 Tani, unë dëshiroj që ju të jeni të pashqetësuar. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit, si do t'i pëlqejë Zotit,
33 ndërsa ai që është martuar, shqetësohet për gjërat e botës, si do t'i pëlqejë gruas.
34 Dhe ka dallim mes gruas së martuar dhe virgjëreshës. E pamartuara shqetësohet për gjërat e Zotit, që të jetë e shenjtë edhe në trup, edhe në frymë, ndërsa ajo që është martuar, shqetësohet për gjërat e botës, si do t'i pëlqejë burrit.
35 Tani, këtë po e them për leverdinë tuaj, jo që t'ju vë një lak, po për të nxitur çfarë është e hijshme dhe shërbim i vazhdueshëm ndaj Zotit pa shpërqendrim.
36 Por nëse dikush kujton se po sillet pahijshëm ndaj virgjëreshës së tij, po të jetë se ka kaluar pikun e vet dhe se kështu duhet bërë, të bëjë çfarë dëshiron, nuk mëkaton; të martohen.
37 Por kush qëndron i patundur në zemër, duke mos qenë i shtrënguar, por ka pushtet mbi vullnetin e vet dhe ka gjykuar në zemrën e tij këtë: që ta ruajë virgjëreshën e vet, mirë bën.
38 Kështu që, edhe ai që jep në martesë bën mirë, por ai që nuk jep në martesë, bën më mirë.
39 Një grua është e lidhur nga Ligji për aq kohë sa jeton burri i saj, por po të vdesë burri i saj, është e lirë të martohet me cilin dëshiron, vetëm në Zotin.
40 Por, sipas mendimit tim, është më e lume po të mbetet kështu. Dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë!
Të gjithë librat
