Letra I drejtuar Korintasve 3
1 Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t'ju flas si frymërorëve, por si mishërorëve, si foshnjave në Krishtin.
2 Ju dhashë për të pirë qumësht dhe jo ushqim të fortë, sepse ende nuk mundnit për ta përtypur. Madje as tani ende nuk mundni,
3 sepse ende jeni mishërorë. Se derisa ndër ju ka xhelozi dhe grindje, dhe përçarje, a nuk jeni mishërorë dhe a nuk po ecni në mënyrë njerëzore?!
4 Se kur dikush thotë: "Unë jam i Palit", ndërsa një tjetër: "Unë i Apolit", a nuk jeni mishërorë?!
5 Kush është, pra, Pali?! Dhe kush është Apoli?! Përveçse shërbëtorë nëpërmjet të cilëve besuat, dhe kjo ashtu si Zoti i dha secilit.
6 Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia rriste.
7 Kështu që as ai që mbjell nuk është diçka, as ai që ujit, por Perëndia që rrit.
8 Tani, ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, por secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të vet.
9 Se ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
10 Sipas hirit të Perëndisë që m'u dha, si kryendërtues i urtë, unë kam vënë themel, ndërsa një tjetër ndërton sipër tij; por secili të ketë kujdes se si ndërton sipër.
11 Sepse asnjë nuk mund të vërë themel tjetër përveç atij që është vënë, që është Jezusi, Krishti.
12 Tani, nëse dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, drunj, bar, kashtë,
13 puna e secilit do të dalë në pah; se dita do ta bëjë të qartë, sepse zbulohet me zjarr, dhe zjarri do ta provojë punën e secilit se ç'lloj është.
14 Nëse puna e dikujt, ajo që ai ndërtoi sipër, do të mbesë, ai do të marrë shpërblim.
15 Nëse puna e dikujt do të digjet krejt, ai do të pësojë humbje, ndërsa vetë do të shpëtohet, por ashtu si përmes zjarrit.
16 A nuk e dini se jeni shenjtërore e Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?
17 Nëse dikush e prish shenjtëroren e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë; se shenjtërorja e Perëndisë, të cilët jeni ju, është e shenjtë.
18 Asnjë të mos e mashtrojë vetveten. Nëse ndokush ndër ju pandeh se është i urtë në këtë epokë, të bëhet i marrë, me qëllim që të bëhet i urtë.
19 Se urtësia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, sepse është shkruar: "Është ai që i zë të urtët në dinakërinë e tyre";
20 dhe përsëri: "Zoti i njeh arsyetimet e të urtëve, që ato janë të kota".
21 Kështu që, asnjë të mos mburret në njerëz. Se të gjitha janë tuajat,
22 qoftë Pali, qoftë Apoli, qoftë Kefa, qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qoftë gjërat që janë të tanishme, qoftë gjërat që vijnë; të gjitha janë tuajat,
23 dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.
Të gjithë librat
