Letra I drejtuar Korintasve 16
1 Tani, në lidhje me mbledhjen e ndihmës për shenjtorët, sikurse udhëzova kishat e Galatisë, kështu bëni edhe ju.
2 Çdo ditë të parë të javës secili nga ju të vërë mënjanë diçka, duke grumbulluar çfarëdo shume që të jetë mbarësuar nga Perëndia, me qëllim që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.
3 Dhe kur të jem aty, cilëtdo që të aprovoni, do t'i dërgoj, përmes letrash shoqëruese, që të çojnë dhuratën tuaj të hirit në Jerusalem.
4 Dhe po të jetë e udhës që të shkoj edhe unë, do të vijnë bashkë me mua.
5 Por do të vij te ju, kur të kaloj nëpër Maqedoni (sepse kaloj nëpër Maqedoni),
6 dhe ndoshta do të rri me ju, ose edhe do të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj.
7 Se nuk dua që t'ju shoh kalimthi tani, por shpresoj të rri njëfarë kohe me ju, po ta lejojë Zoti.
8 Por do të rri në Efes deri për Rrëshajë,
9 sepse më është hapur një derë e madhe për veprim, dhe kundërshtarë ka shumë.
10 Tani, po të vijë Timoteu, kujdesuni që të qëndrojë te ju pa frikë, sepse bën punën e Zotit ashtu si dhe unë.
11 Prandaj, të mos e përbuzë kush, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres me vëllezërit.
12 Tani, në lidhje me vëllain Apol, e luta shumë që të vijë te ju me vëllezërit, por nuk kishte aspak dëshirë që të vijë tani, por do të vijë kur të ketë voli.
13 Rrini zgjuar, qëndroni të patundur në besim, bëhuni burra, forcohuni!
14 Të gjitha ato që ju bëni, duhet të bëhen në dashuri.
15 Tani, ju bëj thirrje, vëllezër (ju e njihni shtëpinë e Stefanait, që është fryti i parë i Akaisë dhe që e caktuan veten e tyre në shërbim të shenjtorëve),
16 që edhe ju t'u nënshtroheni të tillëve, dhe çdokujt që bashkëpunon dhe mundohet.
17 Dhe gëzohem për ardhjen e Stefanait dhe të Fortunatit, dhe të Akaikut, sepse mungesën tuaj e plotësuan këta.
18 Njëmend, këta e përtërinë frymën time dhe tuajën; prandaj, njihini të tillët për atë që janë.
19 Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin shumë në Zotin Akuili dhe Priskila, bashkë me kishën në shtëpinë e tyre.
20 Ju përshëndesin të gjithë vëllezërit. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
21 Përshëndetja është me dorën time, të Palit.
22 Nëse dikush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maran atha!
23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju!
24 Dashuria ime qoftë me të gjithë ju në Krishtin Jezus! Amen!
Të gjithë librat
