Letra I drejtuar Korintasve 15
1 Tani, vëllezër, po ju bëj të ditur ungjillin, të cilin jua shpalla si lajm të mirë, të cilin edhe e morët dhe në të cilin qëndroni;
2 nëpërmjet të cilit edhe shpëtoheni, nëse mbani fjalën të cilën jua shpalla si lajm të mirë, veç në mos besuat kot.
3 Se unë ju përcolla juve para së gjithash atë që edhe vetë e mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas Shkrimeve;
4 dhe se u varros, dhe se është ngjallur të tretën ditë, sipas Shkrimeve;
5 dhe se iu shfaq Kefës, pastaj të dymbëdhjetëve.
6 Mandej iu shfaq një herë të vetme mbi pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë deri tani, por disa edhe fjetën.
7 Mandej iu shfaq Jakobit, pastaj të gjithë apostujve,
8 dhe në fund të të gjithëve, thuajse si lindje dështimi, m'u shfaq edhe mua.
9 Sepse unë jam më i vogli i apostujve, i cili nuk jam i denjë që të thirrem apostull, ngaqë përndoqa kishën e Perëndisë.
10 Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam dhe hiri i tij ndaj meje nuk doli i kotë, përkundrazi, u mundova më tepër sesa ata të gjithë, ndonëse jo unë, por hiri i Perëndisë që është bashkë me mua.
11 Qoftë, pra, unë, qoftë ata, kështu predikojmë dhe kështu besuat.
12 Tani, nëse Krishti predikohet se është ngjallur prej të vdekurve, si pra disa ndër ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?
13 Por nëse nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk është ngjallur.
14 Por nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë, dhe i kotë edhe besimi juaj.
15 Dhe edhe ne dalim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam kundër Perëndisë se e ngjalli Krishtin, të cilin nuk e ngjalli, nëse vërtet, atëherë, të vdekurit nuk ngjallen.
16 Se nëse të vdekurit nuk ngjallen, as Krishti nuk është ngjallur.
17 Por nëse Krishti nuk është ngjallur, i kotë është besimi juaj, ju jeni ende në mëkatet tuaja.
18 Atëherë edhe ata që fjetën në Krishtin, humbën.
19 Nëse kemi shpresuar në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.
20 Por tani, Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
21 Se ngaqë nëpërmjet një njeriu erdhi vdekja, edhe nëpërmjet një njeriu vjen ringjallja e të vdekurve.
22 Sepse sikurse në Adamin të gjithë vdesin, kështu edhe në Krishtin të gjithë do të vijnë në jetë.
23 Por secili në radhën e vet: fryti i parë Krishti, mandej ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.
24 Pastaj vjen fundi, kur ai t'ia dorëzojë Mbretërinë Perëndisë dhe Atit, kur të ketë asgjësuar çdo parí dhe çdo pushtet e fuqi.
25 Se duhet që ai të mbretërojë derisa t'i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij.
26 Armiku i fundit që asgjësohet është vdekja.
27 Sepse ai "të gjitha ia nënshtroi nën këmbët e tij". Por kur thotë se "të gjitha" janë nënshtruar, është e qartë se do të thotë me përjashtim të atij që ia nënshtroi të gjithat.
28 Dhe kur t'i jenë nënshtruar atij të gjithat, atëherë edhe vetë Biri do t'i nënshtrohet atij që ia nënshtroi të gjithat, me qëllim që Perëndia të jetë gjithçka në të gjitha.
29 Përndryshe, çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Nëse të vdekurit nuk ngjallen fare, pse edhe pagëzohen për të vdekurit?
30 Pse edhe ne jemi në rrezik çdo çast?
31 Çdo ditë unë vdes, pasha mburrjen që kam për ju në Krishtin Jezus, Zotin tonë!
32 Nëse, sipas këndvështrimit njerëzor, u ndesha me bisha në Efes, çfarë dobie kam? Nëse të vdekurit nuk ngjallen, "të hamë dhe të pimë, sepse nesër vdesim".
33 Mos u mashtroni: "shoqëritë e këqija i prishin zakonet e mira".
34 Kthjellohuni siç është e drejtë dhe mos mëkatoni më; se disa nuk kanë njohje të Perëndisë. Për turpin tuaj e them këtë.
35 Por dikush do të thotë: "Si ngjallen të vdekurit dhe me çfarë trupi vijnë?".
36 O i pamend! Çfarë ti mbjell, nuk vjen në jetë po të mos vdesë.
37 Dhe çfarë ti mbjell, nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta grurë ose ndonjë farë tjetër.
38 Por Perëndia i jep asaj një trup ashtu siç deshi vetë dhe secilës prej farave trupin e vet.
39 Nuk është çdo mish i njëjti mish; porse tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive dhe tjetër mishi i peshqve, dhe tjetër mishi i shpendëve.
40 Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; porse ndryshe është lavdia e qiellorëve dhe ndryshe ajo e tokësorëve.
41 Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër është lavdia e hënës, dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ylli nga ylli dallon në lavdi.
42 Kështu është edhe ringjallja e të vdekurve: mbillet trup në prishje, ngjallet në paprishje;
43 mbillet në çnderim, ngjallet në lavdi; mbillet në dobësi, ngjallet në fuqi;
44 mbillet trup shpirtësor, ngjallet trup frymëror. Ka trup shpirtësor dhe ka trup frymëror.
45 Kështu edhe është shkruar: "Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë"; Adami i fundit u bë frymë që bën të gjallë.
46 Porse nuk është së pari frymërori, por shpirtësori; mandej frymërori.
47 Njeriu i parë ishte prej dheu, pluhuror; njeriu i dytë është Zoti prej qiellit.
48 Siç ishte pluhurori, të tillë janë edhe pluhurorët, dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.
49 Dhe ashtu siç mbajtëm shëmbëllesën e pluhurorit, do të mbajmë edhe shëmbëllesën e qiellorit.
50 Tani, po them këtë, vëllezër: se mishi dhe gjaku nuk mund ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë; dhe as prishja nuk trashëgon paprishjen.
51 Ja, po ju them një mister: të gjithë nuk do të flemë, por të gjithë do të ndryshohemi,
52 në çast, sa hap e mbyll sytë, në borinë e fundit. Sepse do të bjerë boria dhe të vdekurit do të ngjallen të paprishshëm, dhe ne do të ndryshohemi.
53 Sepse duhet që kjo e prishshmja të veshë paprishje dhe kjo e vdekshmja të veshë pavdekësi.
54 Dhe kur kjo e prishshmja të ketë veshur paprishje dhe kjo e vdekshmja të ketë veshur pavdekësi, atëherë do të ndodhë fjala që është shkruar: "Vdekja u përpi në fitore.
55 Ku është, o vdekje, thumbi yt?! Ku është, o Hades, fitorja jote?!".
56 Dhe thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është Ligji.
57 Por qoftë falënderuar Perëndia që na jep fitoren nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht.
58 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, jini të patundur, të palëkundur, duke mbushulluar gjithmonë në punën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.
Të gjithë librat
