Letra I drejtuar Korintasve 13
1 Po të flas gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kem dashuri, do të isha bërë si një bronz që kumbon, ose si një cimbal që tingëllon.
2 Dhe po të kem profeci dhe të di të gjitha misteret, dhe gjithë njohurinë, dhe po të kem gjithë besimin, saqë të zhvendos male, por të mos kem dashuri, nuk jam asgjë.
3 Dhe po të jepja lëmoshë të gjitha ato që më përkasin, dhe po ta dorëzoja trupin tim që unë të digjesha, por të mos kem dashuri, nuk më leverdis asgjë.
4 Dashuria ka durim, është e mirë; dashuria nuk ka xhelozi; dashuria nuk kapardiset, nuk krekoset,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të vetat, nuk acarohet, nuk mban llogari të keqen,
6 nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet bashkë me të vërtetën;
7 të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron.
8 Dashuria kurrë nuk bie poshtë, por në qoftë se ka profeci, ato do të marrin fund; në qoftë se ka gjuhëra, ato do të reshtin; në qoftë se ka njohuri, ajo do të marrë fund.
9 Tani, ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht;
10 por kur të vijë të përsosurit, atëherë ajo që është e pjesshme, do të marrë fund.
11 Kur isha i mitur, flisja si i mitur, mendoja si i mitur, arsyetoja si i mitur; por kur u bëra burrë, u dhashë fund gjërave të miturisë.
12 Se tani shohim si përmes një pasqyre, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim ballë për ballë. Tani njoh pjesërisht, por atëherë do të njoh plotësisht, ashtu siç edhe u njoha plotësisht.
13 Por tani mbetet besim, shpresë, dashuri, të tria këto; por më e madhe nga këto është dashuria.
Të gjithë librat
