Letra I drejtuar Korintasve 12
1 Tani, rreth dhuntive frymërore, vëllezër, nuk dua që ju të jeni të paditur.
2 Ju e dini se kur ishit paganë, çoheshit tutje, sido që çoheshit, drejt idhujve memecë.
3 Prandaj, ju bëj të ditur se asnjë, duke folur në Frymën e Perëndisë, nuk thotë se Jezusi është i mallkuar, dhe asnjë nuk mund të thotë se Jezusi është Zot, përveçse në Frymën e Shenjtë.
4 Tani, ka shpërndarje dhuntish, por është i njëjti Frymë;
5 ka edhe shpërndarje shërbimesh, por është i njëjti Zot;
6 ka edhe shpërndarje veprimtarish, por është i njëjti Perëndi, ai që i vepron të gjitha në të gjithë.
7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për leverdinë e të gjithëve.
8 Se dikujt i jepet, nëpërmjet Frymës, fjalë urtësie; një tjetri, sipas të njëjtit Frymë, fjalë njohurie;
9 dhe një tjetri, në të njëjtin Frymë, besim; dhe një tjetri, në të njëjtin Frymë, dhunti shërimesh;
10 dhe një tjetri veprimtari fuqish, dhe një tjetri profeci, dhe një tjetri dallime frymërash, dhe një tjetri lloje gjuhësh dhe një tjetri interpretim gjuhësh.
11 Por të gjitha këto i vepron i vetmi dhe i njëjti Frymë, duke i shpërndarë secilit veçan ashtu siç dëshiron vetë.
12 Se ashtu si trupi është një dhe ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të vetmit trup, megjithëse janë shumë, janë një trup i vetëm, kështu është edhe Krishti.
13 Sepse edhe ne të gjithë u pagëzuam në një Frymë të vetëm për të qenë një trup i vetëm, qoftë judenj, qoftë helenë, qoftë skllevër, qoftë të lirë, dhe të gjithëve na u dha të pimë në një Frymë të vetëm.
14 Se edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
15 Po të thoshte këmba: "Ngaqë nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit", jo për shkak të kësaj nuk është pjesë e trupit.
16 Dhe po të thoshte veshi: "Ngaqë nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit", jo për shkak të kësaj nuk është pjesë e trupit.
17 Nëse tërë trupi do të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Nëse do të ishte i tëri dëgjim, ku do të ishte nuhatja?
18 Por tani Perëndia i vuri gjymtyrët në trup, secilën prej tyre një për një, ashtu si deshi vetë.
19 Por nëse do të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20 Por tani, vërtet janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
21 Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: "Nuk kam nevojë për ty"; apo, gjithashtu, koka t'u thotë këmbëve: "Nuk kam nevojë për ju".
22 Përkundrazi, gjymtyrët e trupit që duket se janë më të dobëta, janë shumë më tepër të nevojshme,
23 dhe ato që mendojmë se janë më të panderuarat e trupit, këto i mbështjellim me më tepër nderim, dhe gjymtyrët tona të pahijshme kanë më tepër hijeshi;
24 ndërsa gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë për këtë. Porse Perëndia e kompozoi trupin duke i dhënë më tepër nderim asaj gjymtyre që i mungon,
25 me qëllim që të mos ketë përçarje në trup, por gjymtyrët të kenë të njëjtin shqetësim për njëra-tjetrën.
26 Dhe në qoftë se vuan një gjymtyrë, vuajnë bashkë të gjitha gjymtyrët; në qoftë se lëvdohet një gjymtyrë, gëzohen bashkë të gjitha gjymtyrët.
27 Tani, ju jeni trup i Krishtit dhe gjymtyrë të tij veç e veç.
28 Dhe disa Perëndia i vuri në kishë së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues, mandej vepra fuqie, pastaj dhunti shërimesh, ndihma, qeverisje dhe lloje gjuhësh.
29 Mos janë të gjithë apostuj?! Mos janë të gjithë profetë?! Mos janë të gjithë mësues?! Mos bëjnë të gjithë vepra fuqie?!
30 Mos kanë të gjithë dhunti shërimesh?! Mos flasin të gjithë në gjuhëra?! Mos interpretojnë të gjithë?!
31 Por jini të zellshëm për dhuntitë më të mira. Dhe unë po ju tregoj një udhë edhe më të shkëlqyer.
Të gjithë librat
