Letra I drejtuar Korintasve 9
1 A nuk jam i lirë? A nuk jam apostull? A nuk e kam parë Jezusin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?
2 Nëse për të tjerët nuk jam apostull, së paku për ju jam, sepse ju jeni vula ime e apostullimit në Zotin.
3 Mbrojtja ime ndaj atyre që më hetojnë është kjo:
4 mos vallë nuk kemi të drejtë të hamë e të pimë?
5 Mos vallë nuk kemi të drejtë të marrim me vete për grua një motër, ashtu si edhe apostujt e tjerë dhe vëllezërit e Zotit, dhe Kefa?
6 Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë që të mos punojmë?
7 Kush shkon ndonjëherë ushtar me shpenzimet e veta? Kush mbjell një vresht dhe nuk ha frytin e tij? Apo kush bariton një grigjë dhe nuk ushqehet prej qumështit të grigjës?
8 Mos po i flas këto si njeri, apo nuk i thotë këto edhe Ligji?
9 Sepse në Ligjin e Moisiut është shkruar: "Nuk do t'i vësh hundëz kaut që është duke shirë". Mos vallë merakoset Perëndia për qetë?!
10 Apo e thotë për ne, patjetër?! Njëmend për ne u shkrua kjo, sepse ai që lëron, duhet të lërojë me shpresë dhe ai që shin, duhet të shijë me shpresën e të marrit pjesë nga të korrat.
11 Nëse ne mbollëm ndër ju të mirat frymërore, a është gjë e madhe nëse ne do të korrim të mirat tuaja materiale?
12 Nëse të tjerë marrin pjesë në këtë të drejtë mbi ju, a nuk kemi ne më tepër? Porse ne nuk e përdorëm këtë të drejtë; përkundrazi, i durojmë të gjitha, me qëllim që të mos i vëmë ndonjë pengesë ungjillit të Krishtit.
13 A nuk e dini se ata që kryejnë shërbimet e shenjta, hanë prej ushqimeve të tempullit dhe ata që merren vazhdimisht me altarin, bëhen pjesëmarrës të ofertave të altarit?
14 Kështu edhe Zoti urdhëroi për ata që shpallin ungjillin që të jetojnë prej ungjillit.
15 Por unë nuk kam përdorur asnjë nga këto të drejta; dhe nuk i shkrova këto që të bëhet kështu me mua, se është më mirë për mua të vdes sesa – asnjë nuk do ta bëjë të kotë mburrjen time.
16 Se po të shpall ungjillin, nuk ka për mua arsye mburrjeje, sepse është domosdoshmëri që më është ngarkuar; madje, mjerë unë po të mos e shpall ungjillin!
17 Se nëse e kryej vullnetarisht, kam një shpërblim; por nëse e kryej jo vullnetarisht, gjithsesi më është besuar një administrim.
18 Cili është, pra, shpërblimi im? Që, duke shpallur ungjillin, ta ofroj ungjillin falas, që kështu të mos përdor krejtësisht të drejtën time në ungjillin.
19 Se ndonëse jam i lirë nga të gjithë, e bëra veten time skllav të të gjithëve, me qëllim që të fitoj më të shumtët.
20 Dhe iu bëra judenjve si judé, që të fitoja judenj; atyre nën Ligj iu bëra si nën Ligj (duke mos qenë vetë nën Ligj), që të fitoja ata nën Ligj;
21 atyre pa ligj iu bëra si pa ligj (duke mos qenë pa ligj të Perëndisë, por nën ligj të Krishtit), që të fitoja ata pa ligj;
22 iu bëra të dobëtëve i dobët, që të fitoja të dobëtit; të gjithëve u jam bërë gjithçka, që të shpëtoja patjetër disa.
23 Dhe të gjitha i bëj për shkak të ungjillit, që të bëhem bashkëpjesëmarrës i tij.
24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në stadium, vërtet vrapojnë të gjithë, por vetëm një e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të atillë që ta kapni.
25 Tani, kushdo që garon, vetëpërmbahet në të gjitha; ata, pra, që të marrin një kurorë të prishshme, ndërsa ne të paprishshme.
26 Si rrjedhim, unë kështu vrapoj, jo si pa synim; kështu grushtoj, jo si duke rrahur në ajër;
27 përkundrazi, e trajtoj ashpër trupin tim dhe e skllavëroj, se mos mbase, pasi u predikova të tjerëve, të bëhem unë vetë i skualifikuar.
Të gjithë librat
