Letra I drejtuar Korintasve 8
1 Tani, rreth gjërave të flijuara idhujve, e dimë se "të gjithë kemi njohuri". Njohuria krekos, ndërsa dashuria ndërton.
2 Nëse dikush pandeh se ka njohur diçka, nuk ka njohur ende ashtu siç duhet të njohë.
3 Por nëse dikush e do Perëndinë, ky njeri është njohur nga ai.
4 Rreth të ngrënit, pra rreth gjërave të flijuara idhujve, e dimë se "një idhull nuk është asgjë në botë" dhe se "nuk ka asnjë Perëndi në botë përveçse vetëm një".
5 Sepse edhe nëse janë ata që quhen perëndi, qoftë në qiell e qoftë mbi tokë (sikurse janë shumë perëndi dhe shumë zota),
6 prapëseprapë, për ne është vetëm një Perëndi, Ati, prej të cilit janë të gjitha, dhe ne jemi për të; dhe është vetëm një Zot, Jezu Krishti, nëpërmjet të cilit janë të gjitha, dhe ne nëpërmjet tij.
7 Megjithatë, kjo njohuri nuk është në të gjithë; por disa, nga forca e zakonit të idhullit deri tani, hanë ushqim si të ishte flijim idhulli dhe ndërgjegjja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.
8 Por ushqimi nuk do të na afrojë te Perëndia; sepse as po të mos hamë nuk kemi mungesë, as po të hamë nuk kemi më tepër.
9 Por kini kujdes se mos mbase kjo e drejta juaj të bëhet pengesë për të dobëtit.
10 Se po të shikojë dikush atë që ka njohuri duke u shtruar për të ngrënë në një tempull idhulli, a nuk do të marrë guxim ndërgjegjja e tij, duke qenë i dobët, që ai të hajë gjërat e flijuara idhujve?
11 Se, me anë të njohurisë sate shkatërrohet ai që është i dobët, vëllai për hir të të cilit Krishti vdiq.
12 Dhe kështu, duke mëkatuar ndaj vëllezërve dhe duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, mëkatoni ndaj Krishtit.
13 Prandaj, nëse një ushqim e shkandullon vëllain tim, nuk do të ha kurrë mish, përjetë, me qëllim që të mos e shkandulloj vëllain tim.
Të gjithë librat
