Letra I drejtuar Korintasve 5
1 Gjithkund dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, dhe një kurvëri të tillë që nuk gjendet as edhe ndër kombe, saqë njëri ka gruan e të atit.
2 Dhe ju jeni krekosur, dhe nuk vajtuat, përkundër, që të hiqej prej mesit tuaj ai që e bëri këtë punë.
3 Se unë, nga ana ime, ndonëse duke munguar me trup, por duke qenë i pranishëm me frymë, tashmë e kam gjykuar si të isha i pranishëm atë që e kreu kështu këtë gjë:
4 në emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, si të mblidheni ju dhe fryma ime me ju, bashkë me fuqinë e Zotit tonë Jezus,
5 t'i dorëzohet i tilli Satanit për rrënim të mishit, me qëllim që fryma të shpëtohet në ditën e Zotit.
6 Nuk është e mirë mburrja juaj! Nuk e dini se pak tharm e mbrun tërë brumin?
7 Spastrohuni nga tharmi i vjetër, që të jeni brumë i ri, ashtu siç jeni të patharm, sepse edhe Pashka jonë, Krishti, u flijua.
8 Kështu që, të festojmë jo me tharm të vjetër dhe as me tharm keqësie dhe ligësie, por me bukë të patharm çiltërsie dhe të vërtete.
9 Ju shkrova në letrën time që të mos përziheni me kurvarë.
10 Nuk e kisha fjalën aspak me kurvarët e kësaj bote apo me lakmitarët dhe grabitqarët, apo me idhujtarë, se përndryshe do të detyroheshit që të dilnit prej botës.
11 Por tani ju shkrova që të mos përziheni po të jetë dikush që, duke u quajtur vëlla, është kurvar apo lakmitar, apo idhujtar, apo sharës, apo pijanec, apo grabitqar; me të tillin as edhe të mos hani bashkë.
12 Se ç'më duhet mua për të gjykuar të jashtmit?! A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por të jashtmit do t'i gjykojë Perëndia. Nxirreni të ligun prej mesit tuaj!
Të gjithë librat
