Letra I drejtuar Korintasve 4
1 Çdo njeri duhet të na llogaritë kështu: si shërbyes të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë.
2 Në këtë rast, veç kësaj, nga administratorët kërkohet që secili të gjendet besnik.
3 Po për mua është diçka krejt e parëndësishme që të hetohem nga ju apo nga një ditë gjyqi njerëzore; madje as edhe veten time nuk e hetoj.
4 Se nuk jam i vetëdijshëm për asgjë kundër vetes sime; megjithatë nuk jam i përligjur për shkak të kësaj, por ai që më heton është Zoti.
5 Kështu që, mos gjykoni diçka para kohe, derisa të vijë Zoti, i cili edhe do të nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë qëllimet e zemrave; dhe atëherë lavdërimi do t'i vijë secilit nga Perëndia.
6 Tani, vëllezër, këto i lidha me veten time dhe Apolin për dobinë tuaj, që përmes nesh të mësoni atë që "të mos shkohet përtej çfarë është shkruar", me qëllim që asnjë të mos krekoset kundër tjetrit për hir të një tjetri.
7 Se kush të dallon ty nga të tjerët? Dhe çfarë ke ti që nuk e more? Por edhe nëse e more, pse mburresh thua se nuk e ke marrë?
8 Tashmë jeni ngopur! Tashmë u pasuruat! U bëtë mbretër pa ne! Dhe oh sikur, vërtet, të bëheshit mbretër, që edhe ne të bëheshim mbretër bashkë me ju!
9 Se mendoj që Perëndia na paraqiti ne apostujt si të fundit e të gjithëve, si të dënuar me vdekje, sepse u bëmë teatër për botën dhe për engjëjt, dhe për njerëzit.
10 Ne të marrë për hir të Krishtit, ndërsa ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, ndërsa ju të fortë; ju të lavdishëm, ndërsa ne të panderuar.
11 Deri në këtë çast ne edhe kemi uri, edhe kemi etje, edhe jemi të zhveshur, edhe na grushtojnë, edhe jemi pa një cak,
12 edhe mundohemi duke punuar me duart tona. Duke qenë të sharë, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë;
13 duke qenë të përfolur, bëhemi fjalëmirë. U bëmë deri tani si ndyrësitë e botës, si pisllëku i të gjitha gjërave.
14 Nuk po i shkruaj këto që t'ju turpëroj, por po ju heq vërejtje si fëmijë të mi të dashur.
15 Se edhe po të keni dhjetë mijë edukatorë në Krishtin, prapëseprapë nuk keni shumë etër, sepse unë ju linda në Krishtin Jezus nëpërmjet ungjillit.
16 Prandaj, ju bëj thirrje: bëhuni imituesit e mi.
17 Për këtë arsye ju dërgova Timoteun, që është fëmija im i dashur dhe besnik në Zotin, i cili do t'ju rikujtojë udhët e mia në Krishtin Jezus, ashtu siç mësoj gjithandej në çdo kishë.
18 Tani, disa u krekosën a thua se nuk jam duke ardhur te ju.
19 Por do të vij shpejt te ju, po të dojë Zoti, dhe do të njoh jo fjalën e atyre që janë krekosur, por fuqinë.
20 Se nuk qëndron në fjalë Mbretëria e Perëndisë, por në fuqi.
21 Çfarë doni? Të vij te ju me shkop apo me dashuri dhe frymë butësie?
Të gjithë librat
