Letra I drejtuar Korintasve 2
1 Dhe unë, kur erdha te ju, vëllezër, nuk erdha me epërsi fjale apo urtësie, duke ju shpallur misterin e Perëndisë;
2 sepse vendosa që të mos di diçka tjetër ndër ju, përveçse Jezu Krishtin, dhe këtë të kryqëzuar.
3 Dhe unë u ndodha te ju në dobësi dhe në frikë, dhe në shumë dridhje;
4 dhe fjala ime dhe predikimi im nuk qenë me fjalë bindëse urtësie, por me dëftim Fryme dhe fuqie,
5 me qëllim që besimi juaj të mos jetë në urtësi të njerëzve, por në fuqi të Perëndisë.
6 Megjithatë ne flasim urtësi ndër të pjekurit, por jo urtësi të kësaj epoke dhe as të krerëve të kësaj epoke, të atyre që asgjësohen;
7 përkundrazi, flasim urtësinë e Perëndisë në mister, atë urtësi që ishte fshehur, të cilën Perëndia e paracaktoi përpara epokave për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga krerët e kësaj epoke nuk e ka kuptuar; se sikur ta kishin kuptuar, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, ashtu siç është shkruar: "ato që syri nuk i pa dhe veshi nuk i dëgjoi, dhe që nuk hynë në zemër të njeriut, janë ato që përgatiti Perëndia për ata që e duan".
10 Se neve na i zbuloi Perëndia nëpërmjet Frymës, sepse Fryma i heton të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë.
11 Se cili nga njerëzit i di gjërat e njeriut, përveçse fryma e njeriut që është në të? Kështu edhe gjërat e Perëndisë nuk i ka kuptuar askush, përveçse Fryma e Perëndisë.
12 Tani, ne nuk morëm frymën e botës, por Frymën që është prej Perëndisë, që të dimë ato që na u dhuruan hirësisht nga Perëndia;
13 për të cilat edhe flasim, jo me fjalë të mësuara nga urtësia njerëzore, por me fjalë të mësuara nga Fryma, duke ua shtjelluar gjërat frymërore njerëzve frymërorë.
14 Por një njeri shpirtësor nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë, se janë marrëzi për të dhe nuk mund t'i kuptojë, sepse ato shqyrtohen frymërisht.
15 Ndërsa frymërori i shqyrton të gjitha, por vetë nuk shqyrtohet nga asnjë.
16 Se "kush e njohu mendjen e Zotit, që do ta udhëzojë atë?". Por ne kemi mendjen e Krishtit.
Të gjithë librat
