Letra I drejtuar Korintasve 14
1 Ndiqni dashurinë dhe jini të zellshëm për dhuntitë frymërore, por më tepër që të profetizoni.
2 Se ai që flet në gjuhë, nuk u flet njerëzve, por Perëndisë, sepse asnjë nuk e merr vesh, por në Frymë flet mistere.
3 Ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim dhe nxitje, dhe ngushëllim.
4 Ai që flet në gjuhë, ndërton vetveten, por ai që profetizon, ndërton një kishë të tërë.
5 Tani, unë dëshiroj që të gjithë ju të flisni në gjuhëra, por më tepër që të profetizoni. Dhe ai që profetizon, është më i madh sesa ai që flet në gjuhëra, përveçse po të interpretojë, që kisha të marrë ndërtim.
6 Por tani, vëllezër, po të vija te ju duke folur në gjuhëra, çfarë dobie do t'ju sillja po të mos ju flisja ose me zbulesë, ose me njohuri, ose me profeci, ose me mësim?
7 Po ashtu edhe sendet pa shpirt që japin zë, qoftë fyelli, qoftë qestja, po të mos bëjnë dallim të tingujve, si do të njihet të rënët e fyellit apo të rënët e qestes?
8 Se edhe boria, po të japë një zë të paqartë, kush do të përgatitet për luftë?
9 Kështu edhe ju, po të mos jepni nëpërmjet gjuhës një fjalë të shqiptuar qartë, si do të njihet ajo që flitet? Sepse do të jeni duke folur në ajër.
10 Ka kushedi sa shumë lloje zërash në botë dhe asnjë nuk është i pakuptimshëm.
11 Atëherë, po të mos di kuptimin e zërit, unë do të jem i huaj për atë që flet dhe ai që flet do të jetë i huaj për mua.
12 Kështu edhe ju, ngaqë jeni të zellshëm për shfaqje të Frymës, kërkoni që të mbushulloni në to për ndërtimin e kishës.
13 Prandaj, ai që flet në gjuhë, duhet të lutet që të interpretojë.
14 Po të lutem në gjuhë, fryma ime lutet, por mendja ime është e pafrytshme.
15 Çfarë duhet bërë, pra? Do të lutem me frymën, por do të lutem edhe me mendjen; do të psal me frymën, por do të psal edhe me mendjen.
16 Përndryshe, po të bekosh vetëm me frymë, ai që zë vendin e të pamësuarit, si do të thotë "amen" për falënderimin tënd, meqenëse ai nuk e di çfarë po thua?
17 Se ti, vërtet falënderon mirë, por tjetri nuk ndërtohet.
18 Unë e falënderoj Perëndinë se flas në gjuhëra më tepër sesa të gjithë ju,
19 porse në kishë dëshiroj më mirë të flas pesë fjalë me mendjen time, që të mësoj edhe të tjerë, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë.
20 Vëllezër, mos u bëni fëmijë nga mendja; përkundrazi, jini foshnja për të keqen, por nga mendja bëhuni të pjekur.
21 Në Ligj është shkruar: "Me njerëz të një gjuhe tjetër dhe me buzë të tjerësh do t'i flas këtij populli, por as edhe kështu nuk do të më dëgjojnë", thotë Zoti.
22 Kështu që gjuhët janë si shenjë, jo për ata që besojnë, por për jobesimtarët; ndërsa profecia është jo për jobesimtarët, por për ata që besojnë.
23 Prandaj, po të mblidhet tërë kisha në një vend dhe të gjithë të flasin në gjuhëra dhe të hyjnë të pamësuar ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se jeni çmendur?
24 Ndërsa po të profetizojnë të gjithë dhe të hyjë ndonjë jobesimtar ose i pamësuar, do të fajësohet për mëkat nga të gjithë, do të shqyrtohet nga të gjithë,
25 të fshehtat e zemrës së tij do të dalin në pah dhe kështu, duke rënë me fytyrë përdhe, do të adhurojë Perëndinë duke shpallur: "Vërtet Perëndia është ndër ju!".
26 Çfarë duhet bërë, pra, vëllezër? Kur të mblidheni, secili ka një psalm, ka një mësim, ka një zbulesë, ka një gjuhë, ka një interpretim; të gjitha duhet të bëhen për ndërtim.
27 Në qoftë se dikush flet në gjuhë, të bëhet nga dy ose, më së shumti, tre veta dhe me radhë, dhe një të interpretojë.
28 Por po të mos ketë interpretues, ai duhet të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e vet dhe me Perëndinë.
29 Dhe të flasin dy ose tre profetë dhe të tjerët të dallojnë çfarë u tha.
30 Por po t'i zbulohet diçka një tjetri që rri ulur, i pari të heshtë.
31 Sepse të gjithë, një nga një, mund të profetizoni, me qëllim që të gjithë të mësojnë dhe të gjithë të marrin zemër.
32 Dhe frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve.
33 Se Perëndia nuk është Perëndi çrregullimi, por paqeje, ashtu si në të gjitha kishat e shenjtorëve.
34 Gratë të heshtin në kisha, sepse atyre nuk u lejohet që të flasin, por duhet të nënshtrohen, ashtu siç thotë edhe Ligji.
35 Dhe nëse duan që të mësojnë diçka, duhet të pyesin në shtëpi burrat e vet, sepse është e turpshme për një grua që të flasë në kishë.
36 Apo nga ju doli fjala e Perëndisë?! Apo vetëm te ju arriti?!
37 Nëse dikush mendon se është profet apo frymëror, duhet të pranojë se ato që po ju shkruaj janë urdhërim i Zotit.
38 Por nëse dikush nuk i pranon, mos të pranojë!
39 Prandaj, vëllezër, jini të zellshëm për të profetizuarit dhe mos e pengoni të folurit në gjuhëra.
40 Por të gjitha duhet të bëhen hijshëm dhe me rregullsi.
Të gjithë librat
