Letra I drejtuar Korintasve 10
1 Se nuk dua që ju të jeni të paditur, vëllezër, për atë se të gjithë etërit tanë ishin nën renë dhe të gjithë kaluan përmes detit,
2 dhe të gjithë u pagëzuan në Moisiun në re dhe në det,
3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim frymëror,
4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej një shkëmbi frymëror që i ndiqte, dhe shkëmbi ishte Krishti.
5 Porse Perëndia nuk gjeti pëlqim në më të shumtët e tyre, sepse u shpërhapën të vdekur në shkretëtirë.
6 Dhe këto gjëra u bënë shembuj për ne, që ne të mos jemi dëshirues gjërash të këqija, ashtu si dëshiruan edhe ata.
7 Dhe mos u bëni idhujtarë ashtu si disa prej tyre, sikurse është shkruar: "Populli u ul për të ngrënë e për të pirë, dhe u ngrit për të luajtur".
8 Dhe të mos kurvërojmë ashtu si disa prej tyre kurvëruan dhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë veta.
9 Dhe të mos e sprovojmë Zotin ashtu si disa prej tyre e sprovuan dhe u shkatërruan nga gjarpërinjtë.
10 Dhe mos murmurisni, sikundërse disa prej tyre murmuritën dhe u shkatërruan nga shkatërruesi.
11 Tani, këto gjëra u ndodhnin atyre si shembull dhe u shkruan për paralajmërimin tonë, neve për të cilët kanë arritur fundet e epokave.
12 Prandaj, ai që mendon se qëndron në këmbë, të ketë kujdes të mos bjerë.
13 Asnjë tundim nuk ju ka zënë ju, përveçse atij njerëzor; por besnik është Perëndia, i cili nuk do të lejojë që ju të tundoheni përtej asaj që mundeni, por bashkë me tundimin do të bëjë edhe rrugëdaljen, që ju të mund ta duroni.
14 Prandaj, të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria!
15 Po ju flas si të mençurve, gjykojeni ju çfarë po them.
16 Kupa e bekimit, për të cilën bekojmë, a nuk është bashkëpjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka të cilën e thyejmë, a nuk është bashkëpjesëmarrje në trupin e Krishtit?
17 Ngaqë është një bukë, ne të shumtët jemi një trup, sepse të gjithë marrim pjesë prej një buke të vetme.
18 Shihni Izraelin sipas mishit: a nuk janë ata që hanë flijimet, bashkëpjesëmarrës në altarin?
19 Çfarë po them, pra? Se një flijim idhujsh është diçka, apo se idhulli është diçka?
20 Jo, por se ato që flijojnë kombet, ua flijojnë demonëve e jo Perëndisë; dhe unë nuk dua që ju të bëheni bashkëpjesëmarrës në demonë.
21 Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve. Ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.
22 Apo duam ta bëjmë Zotin xheloz? Mos jemi më të fortë se ai?
23 "Të gjitha janë të lejueshme", por jo të gjitha sjellin dobi. "Të gjitha janë të lejueshme", por jo të gjitha ndërtojnë.
24 Asnjë të mos kërkojë të mirën e vet, por atë të tjetrit.
25 Hani çdo gjë që shitet në dyqanin e mishit, pa bërë pyetje për arsye të ndërgjegjes,
26 sepse "e Zotit është toka dhe gjithçka që përmban".
27 Nëse dikush nga jobesimtarët ju fton dhe dëshironi të shkoni, hani çdo gjë që ju vihet para, pa bërë pyetje për arsye të ndërgjegjes.
28 Por po t'ju thotë dikush: "Ky është flijim i shenjtë", mos hani, për arsye të atij që ju njoftoi dhe për arsye të ndërgjegjes.
29 Dhe them ndërgjegjen, por jo tënden, por atë të tjetrit. Sepse përse gjykohet liria ime nga ndërgjegjja e një tjetri?!
30 Nëse unë marr pjesë me falënderim, pse përflitem për atë për të cilën unë falënderoj?!
31 Prandaj, qoftë kur hani, qoftë kur pini, qoftë kur bëni diçka tjetër, të gjitha bëjini për lavdi të Perëndisë.
32 Mos u bëni pengim as për judenj, as për helenë, as për kishën e Perëndisë,
33 ashtu si edhe unë u pëlqej të gjithëve në të gjitha, duke mos kërkuar leverdinë time, por atë të të shumtëve, që të shpëtohen.
Të gjithë librat
