Letra I drejtuar Korintasve 1
1 Pali, i thirrur për të qenë apostull i Krishtit Jezus nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Sosten,
2 kishës së Perëndisë që është në Korint, atyre që janë shenjtëruar në Krishtin Jezus, të thirrur për të qenë shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht në çdo vend, Zotit të tyre dhe tonit:
3 hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
4 E falënderoj Perëndinë tim gjithmonë për ju, për arsye të hirit të Perëndisë që ju është dhënë juve në Krishtin Jezus,
5 se ju u pasuruat në gjithçka në të, në çdo fjalë dhe çdo njohuri,
6 ashtu siç u vërtetua dëshmia e Krishtit ndër ju,
7 aq sa ju të mos jeni mangët në asnjë dhunti, duke pritur me padurim zbulesën e Zotit tonë Jezu Krisht;
8 i cili edhe do t'ju përforcojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Besnik është Perëndia, nëpërmjet të cilit u thirrët në përbashkësinë e Birit të tij Jezu Krisht, Zotin tonë.
10 Tani, ju bëj thirrje, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotit tonë Jezu Krisht, që të flisni të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me të njëjtën mendje dhe me të njëjtin qëllim.
11 Sepse m'u bë e ditur për ju, vëllezërit e mi, nga ata të shtëpisë së Kloes, se ndër ju ka grindje.
12 Dhe dua të them këtë: se secili nga ju thotë: "Unë jam i Palit", ndërsa "Unë i Apolit", ndërsa "Unë i Kefës", ndërsa "Unë i Krishtit".
13 A është ndarë Krishti?! Mos vallë Pali u kryqëzua për ju?! Apo u pagëzuat në emrin e Palit?!
14 Falënderoj Perëndinë që nuk pagëzova asnjë nga ju, përveçse Krispin dhe Gajin,
15 që të mos thotë kush se u pagëzuat në emrin tim.
16 (Tani, pagëzova edhe shtëpinë e Stefanait; veç këtij rasti, nuk di nëse pagëzova ndonjë tjetër.)
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi për të pagëzuar, por për të shpallur ungjillin; jo me urtësi fjale, që të mos bëhet i kotë kryqi i Krishtit.
18 Se fjala e kryqit është marrëzi për ata që humbasin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.
19 Sepse është shkruar: "Do ta shkatërroj urtësinë e të urtëve dhe zgjuarsinë e të zgjuarve do ta hedh poshtë".
20 Ku është i urti?! Ku është skribi?! Ku është debatuesi i kësaj epoke?! A nuk e bëri të marrë Perëndia urtësinë e botës?!
21 Se ngaqë në urtësinë e Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë nëpërmjet urtësisë së vet, i pëlqeu Perëndisë që t'i shpëtojë ata që besojnë, nëpërmjet marrëzisë së predikimit.
22 Ngaqë edhe judenjtë lypin shenja, edhe helenët kërkojnë urtësi,
23 por ne predikojmë një Krisht të kryqëzuar, nga njëra anë shkandull për judenjtë, nga ana tjetër marrëzi për kombet;
24 ndërsa për ata të thirrurit, qoftë judenj dhe qoftë helenë, një Krisht që është fuqi e Perëndisë dhe urtësi e Perëndisë.
25 Sepse marrëzia e Perëndisë është më e urtë sesa njerëzit dhe dobësia e Perëndisë është më e fortë sesa njerëzit.
26 Njëmend, shihni thirrjen tuaj, o vëllezër, sepse nuk ishit shumë prej jush të urtë sipas mishit, nuk ishit shumë prej jush të fuqishëm, nuk ishit shumë prej jush fisnikë.
27 Por Perëndia zgjodhi gjërat e marra të botës që të turpërojë të urtët, dhe Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës që të turpërojë gjërat e forta,
28 dhe Perëndia zgjodhi gjërat jofisnike të botës dhe gjërat që janë përbuzur, pra ato që nuk janë, që të asgjësonte ato që janë,
29 në mënyrë që asnjë mish të mos mburret përpara Perëndisë.
30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne urtësi nga Perëndia; dhe drejtësi, dhe shenjtërim, dhe shpengim,
31 me qëllim që, ashtu siç është shkruar, "ai që mburret, duhet të mburret në Zotin".
Të gjithë librat
