Letra I e Gjonit 3
1 Shikoni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të thirremi fëmijë të Perëndisë. Për këtë arsye bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë.
2 Të dashur, tani jemi fëmijë të Perëndisë dhe ende nuk është shfaqur çfarë do të jemi. Por dimë se, kur të shfaqet, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shikojmë atë ashtu siç është.
3 Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, e dëlir vetveten, ashtu si ai është i dëlirë.
4 Kushdo që ushtron mëkatin, ushtron edhe paligjshmërinë; dhe mëkati është paligjshmëria.
5 Dhe ju e dini se ai u shfaq me qëllim që të heqë mëkatet tona, dhe në të nuk ka mëkat.
6 Kushdo që rri në të, nuk mëkaton; kushdo që mëkaton, nuk e ka parë atë dhe as nuk e ka njohur atë.
7 O bij, asnjë të mos ju mashtrojë; ai që ushtron drejtësinë, është i drejtë, ashtu si Jezusi është i drejtë.
8 Ai që ushtron mëkatin, është prej djallit, sepse djalli mëkaton nga fillimi. Për këtë u shfaq Biri i Perëndisë: që të zhbëjë veprat e djallit.
9 Kushdo që ka lindur prej Perëndisë, nuk ushtron mëkat, sepse fara e Perëndisë rri në të dhe nuk mundet që të mëkatojë, sepse ka lindur prej Perëndisë.
10 Prej kësaj janë të dukshëm fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e djallit: kushdo që nuk ushtron drejtësinë, nuk është prej Perëndisë; as edhe ai që nuk do vëllain e tij.
11 Se ky është lajmi të cilin e dëgjuat nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin;
12 jo si Kaini, që ishte prej të ligut dhe theri vëllain e tij. Dhe për çfarë shkaku e theri?! Sepse veprat e tij ishin të liga, ndërsa ato të vëllait të tij të drejta.
13 Mos u habitni, o vëllezërit e mi, nëse bota ju urren.
14 Ne e dimë se kemi kaluar prej vdekjes në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk e do vëllain, rri në vdekje.
15 Kushdo që e urren vëllain e tij, është njerivrasës, dhe ju e dini se asnjë njerivrasës nuk ka jetë të përjetshme që rri në të.
16 Prej kësaj e kemi njohur dashurinë e Perëndisë: se ai dha jetën e vet për ne; edhe ne e kemi për detyrë të japim jetën për vëllezërit.
17 Por cilido që të ketë të mirat e botës dhe të vërejë vëllain e tij që ka nevojë, dhe të mbyllë zemrën e vet ndaj tij, si rri dashuria e Perëndisë në të?!
18 O bijtë e mi, të mos duam me fjalë dhe as me gjuhë, por në vepër dhe në të vërtetën.
19 Dhe prej kësaj e dimë se jemi prej së vërtetës dhe do t'i bindim zemrat tona përpara tij,
20 se po të na dënojë zemra jonë, se Perëndia është më i madh sesa zemra jonë dhe i njeh të gjitha.
21 Të dashur, po të mos na dënojë zemra jonë, kemi guxim kundrejt Perëndisë
22 dhe çfarëdo që të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse mbajmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat e pëlqyera përpara tij.
23 Dhe ky është urdhërimi i tij: që t'i besojmë emrit të Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na dha urdhërim.
24 Dhe ai që mban urdhërimet e tij, rri në Perëndinë dhe Perëndia në të. Dhe prej kësaj e dimë se ai rri në ne: prej Frymës që na dha.
Të gjithë librat
