Letra I e Gjonit 5
1 Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur prej Perëndisë; dhe kushdo që do atë që e lindi, do edhe atë që ka lindur prej tij.
2 Prej kësaj e dimë se i duam fëmijët e Perëndisë: kur e duam Perëndinë dhe mbajmë urdhërimet e tij.
3 Se kjo është dashuria e Perëndisë: që t'i mbajmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda,
4 sepse gjithçka që ka lindur prej Perëndisë, e mund botën. Dhe kjo është fitorja që mundi botën: besimi ynë.
5 Kush është ai që e mund botën, në mos ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë?!
6 Ky është ai që erdhi përmes ujit dhe gjakut, Jezusi, Krishti; jo vetëm në ujin, por në ujin dhe në gjakun. Dhe Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.
8 Dhe tre janë ata që dëshmojnë në tokë: Fryma dhe uji, dhe gjaku; dhe të tre janë në një.
9 Nëse pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë, të cilën ai e ka dëshmuar rreth Birit të tij.
10 Ai që beson në Birin e Perëndisë, e ka dëshminë në vetvete; ai që nuk i beson Perëndisë, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk ka besuar në dëshminë të cilën e ka dhënë Perëndia rreth Birit të tij.
11 Dhe kjo është dëshmia: që Perëndia na dha jetë të përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij.
12 Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.
13 Këto jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, me qëllim që ta dini se keni jetë të përjetshme dhe me qëllim që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.
14 Dhe ky është guximi që kemi kundrejt tij: se po të kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.
15 Dhe nëse e dimë se na dëgjon për çfarëdo që të kërkojmë, e dimë se i kemi gjërat që kemi kërkuar nga ai.
16 Po ta shikojë dikush vëllain e vet duke bërë mëkat jo për vdekje, ai do të kërkojë dhe Perëndia do t'i japë atij jetë; pra, atyre që mëkatojnë jo për vdekje. Ka mëkat për vdekje; nuk them që të kërkojë në lidhje me këtë.
17 Çdo padrejtësi është mëkat, dhe ka mëkat jo për vdekje.
18 E dimë se kushdo që ka lindur prej Perëndisë, nuk mëkaton, por ai që u lind prej Perëndisë, e ruan vetveten dhe i ligu nuk e prek atë.
19 E dimë se jemi prej Perëndisë dhe se tërë bota dergjet në të ligun.
20 Dhe e dimë se Biri i Perëndisë ka ardhur dhe na ka dhënë mendje, me qëllim që të njohim të Vërtetin; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht. Ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.
21 O bij, ruani veten nga idhujt. Amen!
Të gjithë librat
