Letra I e Gjonit 4
1 Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por provojini frymërat nëse janë prej Perëndisë, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Prej kësaj e njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë e cila rrëfen Jezu Krishtin të ardhur në mish, është prej Perëndisë;
3 dhe çdo frymë e cila nuk rrëfen Jezu Krishtin të ardhur në mish, nuk është prej Perëndisë. Dhe kjo është ajo e antikrishtit, për të cilën keni dëgjuar se vjen dhe tani është tashmë në botë.
4 Ju jeni prej Perëndisë, o bij, dhe i keni mundur ata, sepse më i madh është ai në ju sesa ai në botë.
5 Ata janë prej botës; për këtë arsye flasin prej botës dhe bota ata i dëgjon.
6 Ne jemi prej Perëndisë. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë, nuk na dëgjon. Prej kësaj e njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.
7 Të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është prej Perëndisë dhe kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk do, nuk e njohu Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë në ne: se Perëndia ka dërguar Birin e tij, një të vetmin, në botë, që të jetojmë nëpërmjet tij.
10 Në këtë është dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si shlyerje pajtuese për mëkatet tona.
11 Të dashur, nëse Perëndia na deshi kështu, edhe ne e kemi për detyrë që ta duam njëri-tjetrin.
12 Perëndinë askush nuk e ka vështruar ndonjëherë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia rri në ne dhe dashuria e tij është përsosur në ne.
13 Prej kësaj e dimë se rrimë në të dhe ai në ne: se na ka dhënë prej Frymës së tij.
14 Dhe ne kemi vështruar e po dëshmojmë se Ati ka dërguar Birin si shpëtimtar të botës.
15 Cilido që të rrëfejë se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia rri në të dhe ai në Perëndinë.
16 Dhe ne e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që Perëndia ka në ne. Perëndia është dashuri, dhe ai që rri në dashuri, rri në Perëndinë dhe Perëndia në të.
17 Në këtë është përsosur dashuria me ne, që të kemi guxim në Ditën e Gjykimit, sepse ashtu siç është ai, jemi edhe ne në këtë botë.
18 Nuk ka frikë në dashuri, përkundrazi, dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika mbart ndëshkim dhe ai që ka frikë, nuk është përsosur në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.
20 Po të thotë kush: "E dua Perëndinë!", dhe të urrejë vëllain e tij, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllain të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë, të cilin nuk e ka parë?
21 Dhe këtë urdhërim kemi nga ai: që ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllain e tij.
Të gjithë librat
