Letra I e Gjonit 2
1 Bijtë e mi, këto po jua shkruaj që të mos mëkatoni. E po të mëkatojë dikush, kemi një mbrojtës pranë Atit, Jezu Krishtin, të drejtin.
2 Dhe ai vetë është shlyerje pajtuese për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për mëkatet e tërë botës.
3 Dhe prej kësaj e dimë se e kemi njohur atë: po t'i mbajmë urdhërimet e tij.
4 Ai që thotë: "E kam njohur atë" dhe nuk është duke mbajtur urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në këtë njeri.
5 Por cilido që të mbajë fjalën e tij, vërtet në këtë njeri dashuria e Perëndisë është përsosur. Prej kësaj e dimë se jemi në të:
6 ai që thotë se rri në të, detyrohet që, ashtu si eci ai, kështu të ecë edhe vetë.
7 Vëllezër, nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
8 Prapëseprapë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, gjë e cila është e vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po kalon dhe drita e vërtetë tashmë po ndriçon.
9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllain e tij, është në errësirë deri tani.
10 Ai që do vëllain e tij, rri në dritë dhe në të nuk ka shkandull.
11 Por ai që urren vëllain e tij, është në errësirë dhe ecën në errësirë e nuk di ku shkon, sepse errësira ia verboi sytë.
12 Po ju shkruaj, o bij, se ju janë falur mëkatet për hir të emrit të tij.
13 Po ju shkruaj, o etër, se e keni njohur atë që është nga fillimi. Po ju shkruaj, o të rinj, se e keni mundur të ligun. Ju shkrova, o bij, se e keni njohur Atin.
14 Ju shkrova, o etër, se e keni njohur atë që është nga fillimi. Ju shkrova, o të rinj, se jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë rri në ju, dhe e keni mundur të ligun.
15 Mos e doni botën dhe as gjërat në botë. Po ta dojë dikush botën, dashuria e Atit nuk është në të,
16 sepse çdo gjë që është në botë – dëshirimi i mishit dhe dëshirimi i syve, dhe krekosja e jetesës – nuk është prej Atit, por është prej botës.
17 Dhe bota po kalon, edhe dëshirimi i saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përjetë.
18 O bij, është ora e fundit dhe, ashtu si dëgjuat se antikrishti po vjen, edhe tani shumë antikrishtë kanë dalë, prej nga e dimë se është ora e fundit.
19 Prej nesh dolën, por nuk ishin prej nesh, sepse, sikur të ishin prej nesh, do të kishin ndenjur me ne; por dolën me qëllim që të shfaqet se nuk janë të gjithë prej nesh.
20 Dhe ju keni vajosje nga i Shenjti dhe i dini të gjitha.
21 Nuk ju shkrova sepse nuk e dini të vërtetën, por sepse e dini dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk është prej së vërtetës.
22 Kush është gënjeshtari, në mos ai që mohon se Jezusi është Krishti?! Ky është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, nuk ka as Atin.
24 Sa për ju, pra, çfarë dëgjuat nga fillimi, duhet të rrijë në ju. Po të rrijë në ju çfarë dëgjuat nga fillimi, edhe ju do të rrini në Birin dhe në Atin.
25 Dhe ky është premtimi të cilin ai vetë na e premtoi: jeta e përjetshme.
26 Këto jua shkrova për ata që po përpiqen t'ju mashtrojnë.
27 Dhe sa për ju, vajosja që morët nga ai rri në ju dhe nuk keni nevojë që t'ju mësojë kush; përkundrazi, siç ju mëson për të gjitha vetë vajosja, dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, dhe ashtu si ju mësoi, do të rrini në të.
28 Dhe tani, o bij, rrini në të, me qëllim që kur të shfaqet, të kemi guxim dhe të mos kemi turp nga ai në ardhjen e tij.
29 Po ta dini se ai është i drejtë, atëherë e kuptoni se kushdo që ushtron drejtësinë, ka lindur prej tij.
Të gjithë librat
