Letra drejtuar Hebrenjve 8
1 Tani, kryesorja në lidhje me ato që po thuhen është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë i cili u ul në të djathtë të fronit të Madhërisë në qiej,
2 shërbesëtar i Shenjtërores dhe i Tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Zoti dhe jo një njeri.
3 Sepse çdo kryeprift caktohet për të ofruar dhurata dhe flijime; për këtë arsye është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka se çfarë të ofrojë.
4 Se, sikur të ishte mbi tokë, as edhe do të ishte prift, sepse janë tashmë priftërinjtë që ofrojnë dhuratat sipas Ligjit,
5 të cilët ofrojnë shërbesë në një kopje dhe hije të gjërave qiellore, ashtu siç ishte paralajmëruar hyjnisht Moisiu kur qe gati për të ngritur tabernakullin, sepse: "Shiko, – i thotë, – t'i bësh të gjitha sipas gjedhes që t'u tregua në mal".
6 Por tani Jezusi ka fituar një shërbesë më të shquar, aq sa është ndërmjetës i një besëlidhjeje edhe më të mirë, e cila është ligjësuar mbi premtime më të mira.
7 Se sikur ajo e para besëlidhje të ishte e patëmetë, nuk do të kërkohej vend për një të dytë.
8 Se duke i fajësuar ata, Perëndia thotë: "Ja, po vijnë ditët, thotë Zoti, dhe do të përmbyll me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës një besëlidhje të re.
9 Jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, në ditën kur unë u kapa dorën për t'i nxjerrë prej tokës së Egjiptit, sepse ata nuk vazhduan në besëlidhjen time, dhe unë i shpërfilla, thotë Zoti.
10 Se kjo është besëlidhja që do të lidh me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve, thotë Zoti: Do t'i vë ligjet e mia në mendjen e tyre dhe do t'i mbishkruaj në zemrat e tyre; dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im.
11 Dhe nuk do të mësojë aspak secili të afërmin e vet, dhe as secili vëllain e vet, duke thënë: 'Njih Zotin!', sepse të gjithë do të më njohin, nga i vogli i tyre deri tek i madhi i tyre;
12 sepse do të jem i mëshirshëm ndaj padrejtësive të tyre, dhe për mëkatet e tyre dhe paligjësitë e tyre nuk do të kujtohem kurrë më".
13 Duke thënë "e re", ai ka vjetruar të parën; dhe ajo që vjetrohet e plaket, është afër zhdukjes.
Të gjithë librat
