Letra drejtuar Hebrenjve 4
1 Prandaj, ndërsa mbetet një premtim për të hyrë në pushimin e tij, le të kemi frikë se mos ndokush prej jush të duket se nuk ia ka arritur që të hyjë.
2 Sepse edhe neve na është shpallur lajmi i mirë sikundërse edhe atyre, po për ata nuk pati dobi fjala që dëgjuan, sepse nuk u bashkua me besimin tek ata që e dëgjuan.
3 Se ne që besuam, hyjmë në atë pushim, ashtu si ka thënë: "Siç u betova në zemërimin tim: 'Nuk do të hyjnë kurrë në pushimin tim!'", ndonëse veprat u kryen që nga themelimi i botës.
4 Se ai ka thënë diku rreth së shtatës ditë kështu: "Dhe pushoi Perëndia në ditën e shtatë nga të gjitha veprat e tij".
5 Dhe përsëri në këtë pjesë: "Nuk do të hyjnë kurrë në pushimin tim!".
6 Ngaqë mbetet, pra, që disa të hyjnë në atë pushim, kurse ata që morën lajmin e mirë më përpara nuk hynë për shkak të mosbindjes,
7 përsëri Perëndia përcakton njëfarë dite, "sot", duke thënë në Davidin mbas kaq shumë kohe, ashtu siç u tha: "Sot, po të dëgjoni zërin e tij, të mos i ngurtësoni zemrat tuaja".
8 Sepse, nëse Jozueu i bëri ata të pushojnë, Perëndia nuk do të fliste mbas këtyre gjërave rreth një tjetër dite.
9 Rrjedhimisht, mbetet një kremtim shabatik për popullin e Perëndisë.
10 Se ai që hyri në pushimin e tij, pushoi edhe vetë nga veprat e tij, sikurse Perëndia nga të vetat.
11 Le të përpiqemi, pra, për të hyrë në atë pushim, që të mos bjerë kush në të njëjtin shembull të mosbindjes.
12 Sepse është e gjallë fjala e Perëndisë dhe vepruese, dhe më e mprehtë se çdo shpatë dytehëshe, dhe që depërton deri në ndarje të shpirtit e të frymës, dhe të nyjave e të palcës; dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe synimet e zemrës.
13 Dhe nuk ka krijesë të padukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe të hapura në sytë e atij të cilit ne do t'i japim llogari.
14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë.
15 Se nuk kemi një kryeprift që nuk mund të ndiejë keqardhje për dobësitë tona, por një që ka qenë tunduar në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat.
16 Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohën e duhur.
Të gjithë librat
