Letra drejtuar Hebrenjve 12
1 Për rrjedhojë edhe ne, duke pasur një re kaq të madhe dëshmitarësh që na rrethon, duke flakur çdo peshë dhe mëkatin që na qarkon kollaj, të rendim me qëndrueshmëri garën që na parashtrohet,
2 duke e ngulur shikimin drejt Jezusit, filluesit dhe përfunduesit të besimit; i cili, në vend të gëzimit që i parashtrohej, duroi kryqin, duke përçmuar turpin, dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë.
3 Njëmend, përllogaritni atë që ka duruar të tillë kundërshtim nga mëkatarët kundër tij, që të mos lodheni duke u molisur në shpirtrat tuaja.
4 Ju ende nuk keni bërë qëndresë deri në gjak duke u ndeshur kundër mëkatit
5 dhe keni harruar fare nxitjen që ju drejtohet si bij: "Biri im, mos e merr lehtë korrigjimin e Zotit dhe as mos u molis kur qortohesh nga ai.
6 Sepse atë që Zoti e do, e korrigjon; dhe fshikullon çdo bir të cilin ai e pranon".
7 Nëse duroni korrigjimin, Perëndia ju trajton si bij; sepse kush është ai bir të cilin nuk e korrigjon i ati?!
8 Por nëse jeni pa korrigjim, pjesëmarrës të të cilit janë bërë të gjithë, atëherë jeni kopilë e jo bij.
9 Pastaj, vërtet etërit tanë të mishit i kishim korrigjues dhe i respektonim; a nuk do t'i nënshtrohemi shumë më tepër Atit të frymërave dhe, kështu, të jetojmë?!
10 Sepse, vërtet ata na korrigjuan për pak ditë, ashtu si u dukej mirë atyre, por ai na korrigjon për leverdinë tonë, me qëllim që të marrim pjesë në shenjtërinë e tij.
11 Tani, çdo korrigjim vërtet aty për aty nuk duket se është shkak gëzimi, porse trishtimi; por më pas u jep fryt të paqtë drejtësie atyre që janë stërvitur nëpërmjet tij.
12 Prandaj, drejtoni duart e lëshuara dhe gjunjët e këputur,
13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, me qëllim që ajo që çalon, të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.
14 Ndiqni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin asnjë nuk do ta shikojë Zotin;
15 duke treguar kujdes që të mos jetë ndokush duke mbetur larg nga hiri i Perëndisë; që të mos jetë duke mbirë sipër ndonjë rrënjë e hidhur që të shkaktojë trazirë dhe nëpërmjet kësaj të ndyhen shumë veta;
16 që të mos jetë ndokush kurvar apo profan si Esau, i cili për një të ngrënë, shiti parëbirninë e tij.
17 Sepse e dini që edhe më pas, kur deshi që të trashëgojë bekimin, u hodh poshtë, sepse ai nuk gjeti vend për pendim, edhe pse duke e kërkuar bekimin me lot.
18 Se ju nuk i jeni afruar malit që preket me dorë dhe që digjet me zjarr, dhe as territ, dhe as errësirës, dhe as stuhisë,
19 dhe as tingullit të borisë, dhe as zërit të fjalëve të shqiptuara, për të cilin ata që e dëgjuan, u përgjëruan që të mos u shtohej atyre as edhe një fjalë,
20 sepse nuk e duronin urdhrin: "Edhe një shtazë, po ta prekë malin, do të vritet me gurë ose do të vritet me shigjetë".
21 Dhe aq e frikshme ishte dukuria, sa Moisiu tha: "Jam i lemerisur dhe po dridhem".
22 Përkundrazi, ju i jeni afruar malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, dhe dhjetëra mijëra engjëjve,
23 mbledhjes festive dhe bashkësisë së të parëlindurve që janë regjistruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që janë përsosur,
24 dhe Jezusit, ndërmjetësit të një besëlidhjeje të re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë sesa gjaku i Abelit.
25 Kini kujdes të mos hidhni poshtë atë që flet! Sepse, nëse nuk i ikën gjykimit ata, kur hodhën poshtë atë që i paralajmëronte hyjnisht mbi tokë, aq më tepër ne, nëse jemi ata që i kthejmë shpinën atij që paralajmëron prej qiejve,
26 zëri i të cilit e tundi atëherë tokën, ndërsa tani ka premtuar duke thënë: "Edhe një herë unë tund jo vetëm tokën, por edhe qiellin".
27 Dhe kjo "edhe një herë" e bën të qartë ndërrimin e atyre gjërave që tunden si gjëra që janë të bëra, me qëllim që të mbeten ato që nuk tunden.
28 Prandaj, duke marrë një mbretëri të patundshme, le të jemi falënderues dhe nëpërmjet kësaj t'i ofrojmë shërbesë Perëndisë në mënyrë të pëlqyeshme, me respekt dhe përnderim,
29 sepse Perëndia ynë është edhe zjarr që përpin.
Të gjithë librat
