Letra drejtuar Hebrenjve 11
1 Tani, besimi është garanci e gjërave që shpresohen, provë bindëse e gjërave që nuk shihen.
2 Se me anë të tij morën dëshmi të moçmit.
3 Me anë të besimit kuptojmë se gjithësia është përgatitur me fjalën e shqiptuar të Perëndisë; kështu që, ato që shihen, nuk janë bërë prej gjërash që duken.
4 Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim më të mirë sesa Kaini; nëpërmjet të cilit edhe mori dëshmi se është i drejtë (duke dëshmuar Perëndia për dhuratat e tij) dhe nëpërmjet tij, ndonëse ka vdekur, flet ende.
5 Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shihte vdekje; dhe nuk gjendej më, prejse Perëndia e zhvendosi. Sepse përpara zhvendosjes së tij kishte marrë dëshmi se i kishte pëlqyer Perëndisë.
6 Tani, pa besim është e pamundur për t'i pëlqyer Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se Perëndia është dhe se bëhet shpërblyes i atyre që e kërkojnë.
7 Me anë të besimit, kur Noeu u paralajmërua hyjnisht rreth atyre gjërave që ende nuk shiheshin, duke qenë përnderues ndaj Perëndisë, ngriti një arkë për shpëtimin e shtëpisë së vet. Nëpërmjet besimit e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është sipas besimit.
8 Me anë të besimit, me t'u thirrur Abrahami, u bind për të dalë drejt vendit që kishte për të marrë si trashëgimi; dhe doli duke mos e ditur se ku po shkonte.
9 Me anë të besimit banoi si ardhës në tokën e premtimit si të ishte tokë e huaj, duke banuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim,
10 sepse priste qytetin që ka themele, mjeshtër dhe bërës i të cilit është Perëndia.
11 Me anë të besimit edhe vetë Sara mori fuqi për ngjizje dhe përtej kohës së moshës lindi një fëmijë, ngaqë e çmoi besnik atë që premtoi.
12 Prandaj edhe u lindën nga një i vetëm (dhe kjo nga dikush që thuajse kishte vdekur) moria e pasardhësve si yjet e qiellit dhe porsi rëra e panumërueshme që është përgjatë bregut të detit.
13 Në përputhje me besimin vdiqën të gjithë këta, duke mos i marrë premtimet, por duke i parë nga larg dhe duke u bindur, dhe duke i përshëndetur, dhe duke rrëfyer se janë të huaj e kalimtarë mbi tokë.
14 Sepse ata që flasin gjëra të tilla, tregojnë qartë se po kërkojnë një atdhe.
15 E sikur, vërtet, ta kishin në mendje atë nga i cili dolën, do të kishin kohë për t'u rikthyer;
16 por tani ata aspirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp për ta që të quhet Perëndia i tyre, sepse u përgatiti atyre një qytet.
17 Me anë të besimit Abrahami, kur u sprovua, ka ofruar Isakun; dhe ai që mori premtimet, po ofronte të vetmin bir
18 ndaj të cilit u tha: "Në Isakun do të thirret për ty një pasardhje",
19 duke llogaritur se Perëndia është i fuqishëm për të ngjallur edhe prej të vdekurve, prej nga edhe e mori atë në mënyrë figurative.
20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun edhe rreth gjërave që do të vinin.
21 Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin prej bijve të Jozefit dhe adhuroi i mbështetur mbi majën e shkopit të vet.
22 Me anë të besimit Jozefi, në mbarim të jetës, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha urdhër lidhur me eshtrat e tij.
23 Me anë të besimit Moisiu, kur u lind, u fsheh tre muaj nga prindërit e tij, ngaqë panë fëmijën që ishte i pashëm, dhe nuk patën frikë dekretin e mbretit.
24 Me anë të besimit Moisiu, kur u bë i madh, nuk pranoi të quhet bir i bijës së Faraonit,
25 duke parapëlqyer më tepër që të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë, sesa të ketë një shijim të përkohshëm të mëkatit,
26 duke e çmuar poshtërimin e Krishtit si pasuri më të madhe sesa thesaret në Egjipt, sepse e përqendronte shikimin drejt shpërblimit.
27 Me anë të besimit ai la Egjiptin, duke mos pasur frikë mllefin e mbretit, sepse qëndroi i patundur, si të ishte duke parë të padukshmin.
28 Me anë të besimit ka bërë Pashkën dhe spërkatjen e gjakut, me qëllim që shkatërruesi të mos prekte të parëlindurit e tyre.
29 Me anë të besimit izraelitët përshkuan Detin e Kuq si përmes një toke të thatë; ndërsa kur e ndërmorën egjiptianët këtë përpjekje, u përpinë nga ujërat.
30 Me anë të besimit ranë muret e Jerikos, kur u rrethuan për shtatë ditë.
31 Me anë të besimit Rahaba, prostituta, nuk humbi bashkë me ata që qenë të pabindur, sepse priti zbuluesit me paqe.
32 E çfarë të them më?! Sepse do të më mungonte koha po të tregoj rreth Gideonit dhe Barakut, dhe Samsonit, dhe Jeftahut, dhe Davidit, dhe Samuelit e profetëve,
33 të cilët nëpërmjet besimit mposhtën mbretëri, ushtruan drejtësi, arritën premtime, u mbyllën gojën luanëve,
34 shuan fuqinë e zjarrit, i ikën tehut të shpatës, u fuqizuan në dobësi, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e huaja.
35 Disa gra morën përmes ringjalljes të vdekurit e tyre; por të tjerë u torturuan, duke mos pranuar shpengimin, me qëllim që të arrinin një ringjallje më të mirë.
36 Ndërsa të tjerë provuan përqeshje dhe fshikullima, e madje pranga dhe burgim.
37 U vranë me gurë, u sharruan, u tunduan, vdiqën në vrasje me shpatë, brodhën të veshur me lëkura dhensh e me lëkura dhish; duke qenë në skamje, duke u pikëlluar, duke u keqtrajtuar
38 (bota nuk ishte e denjë për ta), duke u endur nëpër shkretira dhe male, dhe shpella, dhe guvat e tokës.
39 Dhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi nëpërmjet besimit, nuk morën premtimin,
40 sepse Perëndia parashikoi për ne diçka më të mirë, që ata të mos përsoseshin pa ne.
Të gjithë librat
