Letra drejtuar Hebrenjve 10
1 Se Ligji, duke pasur hijen e të mirave që vijnë, jo vetë pamjen e gjërave, nuk mundet kurrë që me të njëjtat flijime, të cilat i ofrojnë çdo vit në vazhdimësi, të përsosë ata që i afrohen Perëndisë.
2 Se përndryshe, a nuk do të kishin reshtur së qeni ofruar, për shkak se, ata që ofrojnë shërbesë kulti, duke qenë pastruar një herë, nuk kanë më asnjë ndërgjegjësim për mëkatet?!
3 Por në ato flijime bëhet çdo vit një përkujtim i mëkateve,
4 sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkate.
5 Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: "Flijim dhe blatë nuk dëshirove, por një trup më përgatite.
6 Shkrumbime dhe flijime për mëkatin nuk pëlqeve;
7 atëherë thashë: 'Ja, po vij (në rrotullën e librit është shkruar rreth meje), për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd'".
8 Më sipër thotë: "Flijim dhe blatë, dhe shkrumbime e flijime për mëkatin (të cilat ofrohen sipas Ligjit), nuk dëshirove dhe as pëlqeve".
9 Pastaj ka thënë: "Ja, po vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd". Ai heq tej të parën, që të vendosë të dytën.
10 Me anë të këtij vullneti jemi shenjtëruar, nëpërmjet blatës së trupit të Jezu Krishtit, bërë njëherë e përgjithmonë.
11 Dhe, vërtet, çdo prift qëndron në këmbë çdo ditë duke ofruar shërbesë dhe duke ofruar shpeshherë të njëjtat flijime, të cilat nuk munden kurrë për të hequr mëkate,
12 por ai, si ofroi përgjithmonë një flijim të vetëm për mëkatet, u ul në të djathtë të Perëndisë,
13 duke pritur paskëtaj derisa të vihen armiqtë e vet si nënkëmbëz të këmbëve të veta.
14 Sepse me një blatë të vetme ka përsosur përgjithmonë ata që po shenjtërohen.
15 Por neve na dëshmon edhe Fryma e Shenjtë; se mbasi ka thënë më parë:
16 "Kjo është besëlidhja që do të lidh me ta mbas atyre ditëve, thotë Zoti, do t'i vë ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t'i mbishkruaj në mendjet e tyre",
17 shton edhe: "Mëkatet e tyre dhe paligjshmëritë e tyre nuk do t'i kujtoj kurrë më".
18 Dhe ku ka falje të këtyre gjërave, nuk ka më blatë për mëkatin.
19 Duke pasur, pra, o vëllezër, guxim për hyrje në Shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,
20 përmes një udhe të re dhe të gjallë, të cilën e përuroi për ne nëpërmjet perdes (domethënë mishit të tij),
21 dhe duke pasur një prift të madh mbi shtëpinë e Perëndisë,
22 të afrohemi me zemër të vërtetë, në siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat të shpëlara nga ndërgjegjja e ligë dhe duke e pasur trupin të larë me ujë të pastër;
23 ta mbajmë të palëkundur rrëfimin e shpresës, sepse besnik është ai që premtoi,
24 dhe t'i kushtojmë vëmendje njëri-tjetrit, që të ngacmojmë njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të mira,
25 duke mos braktisur të mbledhurit bashkë tonin, siç e kanë zakon disa, por duke i dhënë zemër njëri-tjetrit; dhe aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.
26 Sepse, po të vazhdojmë ne të mëkatojmë me dashje mbasi morëm njohjen e plotë të së vërtetës, nuk mbetet më flijim për mëkate,
27 por një pritje e frikshme gjyqi dhe një furi zjarri, që është gati për të përpirë kundërshtarët.
28 Kushdo që hedh poshtë Ligjin e Moisiut, vdes pa mëshirë mbi dëshminë e dy ose tre dëshmitarëve.
29 Sa ndëshkim më të rëndë mendoni se do të meritojë ai që nëpërkëmbi Birin e Perëndisë dhe e çmoi si të zakonshëm gjakun e besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe që fyeu Frymën e hirit?
30 Sepse e njohim atë që tha: "Mua më përket hakmarrja; unë do të shpaguaj!", thotë Zoti. Dhe përsëri: "Zoti do ta gjykojë popullin e tij".
31 E frikshme është të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.
32 Por sillni ndërmend ditët e përparshme, në të cilat, si u ndriçuat, duruat një përleshje të madhe vuajtjesh,
33 herë duke u bërë shfaqje për njerëzit, qoftë përmes poshtërimesh e qoftë përmes mundimesh, herë duke u bërë pjesëmarrës me ata që trajtohen në këtë mënyrë.
34 Njëmend edhe treguat keqardhje për prangat e mia dhe pranuat me gëzim rrëmbimin e kamjes suaj, duke e ditur se keni për veten tuaj një kamje më të mirë në qiej dhe që mbetet.
35 Të mos e hidhni tej, pra, guximin tuaj, i cili ka një shpërblim të madh.
36 Sepse ju keni nevojë për qëndrueshmëri, me qëllim që, si të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni premtimin.
37 Sepse ende "pak, fare pak, dhe ai që vjen, do të vijë e nuk do të vonojë.
38 Dhe i drejti prej besimit do të jetojë, dhe po të zmbrapset, nuk gjen pëlqim shpirti im në të".
39 Por ne nuk jemi nga ata të zmbrapsjes për shkatërrim, por nga ata të besimit për ruajtjen e shpirtit.
Të gjithë librat
