Letra drejtuar Hebrenjve 1
1 Perëndia, si u foli së lashti etërve në shumë pjesë dhe në shumë mënyra, në profetët,
2 në këto ditë të fundit na foli në Birin, të cilin e vuri trashëgimtar të të gjitha gjërave dhe nëpërmjet të cilit edhe bëri gjithësinë.
3 Biri, duke qenë shkëlqim i lavdisë dhe gjurmë e qenësisë së Perëndisë, dhe duke i mbajtur të gjitha përmes fjalës së fuqisë së tij, si bëri nëpërmjet vetes së vet pastrim të mëkateve tona, u ul në të djathtë të Madhërisë në vendet e larta,
4 duke u bërë aq shumë më i lartë se engjëjt, sa ka trashëguar një emër më të shquar sesa ata.
5 Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjëherë: "Biri im je ti! Unë sot të kam lindur"? Dhe përsëri: "Unë do t'i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir"?
6 Dhe përsëri, kur ta shtjerë të parëlindurin në botën e banuar, thotë: "Dhe ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë".
7 Dhe vërtet në lidhje me engjëjt thotë: "Ai që i bën engjëjt e tij erëra dhe shërbesëtarët e tij flakë zjarri";
8 por në lidhje me Birin thotë: "Froni yt, o Perëndi, është për jetë të jetës, dhe skeptër drejtësie është skeptri i mbretërisë sate.
9 E deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë, për këtë arsye Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj ngazëllimi përmbi shokët e tu";
10 dhe: "Ti, o Zot, në fillesa themelove tokën, dhe vepra të duarve të tua janë qiejt.
11 Ata do të zhduken, por ti mbetesh. Dhe të gjithë si rrobë do të vjetrohen,
12 dhe porsi petk do t'i mbështjellësh dhe do të ndërrohen, por ti je i njëjti, dhe vitet e tua nuk do të mbarojnë".
13 Po cilit nga engjëjt i ka thënë ndonjëherë: "Ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu si nënkëmbëz të këmbëve të tua"?!
14 A nuk janë të gjithë frymëra shërbesëtare, të dërguara për shërbim në dobi të atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?!
Të gjithë librat
