Letra drejtuar Hebrenjve 9
1 Atëherë, edhe tenda e parë kishte rregulla shërbese kulti dhe Shenjtëroren e kësaj bote.
2 Sepse u gatit një tendë, e para, në të cilën ishte qoftë shandani dhe qoftë tryeza, dhe qoftë paraqitja e bukëve; kjo quhet "Shenjtërorja".
3 Dhe mbas perdes së dytë ishte një tendë, ajo që quhet "Shenjtërorja e Shenjtërores",
4 që kishte një altar të artë temjani dhe Arkën e Besëlidhjes, e mbështjellë nga çdo anë me ar dhe në të cilën gjendej një qyp i artë, që kishte manën, dhe shkopi i Aronit, që buloi, si dhe rrasat e besëlidhjes.
5 Ndërsa përsipër Arkës ishin kerubinët e lavdisë, duke i bërë hije Vendshlyerjes; rreth këtyre gjërave nuk është rasti tani për të folur hollësisht.
6 Tani, duke qenë gatitur kështu këto gjëra, në tendën e parë hyjnë vazhdimisht priftërinjtë duke kryer shërbesat e kultit,
7 ndërsa në të dytën hyn një herë në vit vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e ofron për vetvete dhe për fajet e popullit të bëra në padijeni.
8 Fryma e Shenjtë është duke bërë të qartë këtë: që udha drejt Shenjtërores akoma nuk ishte shfaqur ndërsa po qëndronte ende tenda e parë,
9 e cila është shëmbëlltyrë për kohën e tanishme, sipas së cilës ofrohen dhurata dhe flijime që, për sa i përket ndërgjegjes, nuk mund ta përsosin atë që ofron shërbesë kulti,
10 por që vetëm kanë të bëjnë me ushqime dhe pije, dhe zhytje pastruese të ndryshme, dhe rregulla të mishit, të vëna në ngarkim deri në kohën e reformimit.
11 Por Krishti, kur erdhi si kryeprift i të mirave që vijnë, përmes tabernakullit më të madh dhe më të përsosur, jo të bërë me dorë (domethënë, jo i këtij krijimi),
12 dhe jo nëpërmjet gjakut të cjepve dhe të viçave, por nëpërmjet gjakut të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtërore, duke fituar një shpengim të përjetshëm.
13 Se nëse gjaku i demave dhe i cjepve, dhe hiri i një mëshqerre, duke i spërkatur ata që janë të ndyrë, i shenjtëron lidhur me pastërtinë e mishit,
14 sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Frymës së përjetshëm ia ofroi vetveten të patëmetë Perëndisë, do të pastrojë ndërgjegjen tuaj nga vepra të vdekura, për t'i ofruar shërbesë kulti Perëndisë së gjallë.
15 Dhe për këtë arsye, ai është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re, me qëllim që, meqenëse ndodhi një vdekje për shpengimin nga shkeljet që u bënë gjatë besëlidhjes së parë, ata që janë thirrur, të marrin premtimin e trashëgimisë së përjetshme.
16 Sepse aty ku ka një testament, është e nevojshme që të provohet vdekja e atij që bëri testamentin.
17 Sepse një testament është i vlefshëm kur njerëzit kanë vdekur, ngaqë testamenti nuk ka kurrë fuqi kur jeton ende ai që bëri testamentin.
18 Për këtë arsye, as edhe e para besëlidhje nuk është përuruar pa gjak.
19 Sepse kur iu shpall të gjithë popullit, nga Moisiu, çdo urdhërim sipas Ligjit, duke marrë gjakun e viçave dhe të cjepve, bashkë me ujë e lesh të kuq të ndezur dhe hisop, ai spërkati edhe vetë librin, edhe të gjithë popullin,
20 duke thënë: "Ky është gjaku i besëlidhjes të cilën e urdhëroi për ju Perëndia".
21 Dhe në mënyrë të ngjashme spërkati me gjak edhe tabernakullin, edhe të gjitha enët e shërbesës së kultit.
22 Dhe sipas Ligjit, thuajse të gjitha gjërat pastrohen me gjak, dhe pa derdhje gjaku nuk ka falje.
23 Ishte e nevojshme, pra, që kopjet e gjërave në qiej të pastrohen përmes këtyre flijimeve, ndërsa vetë gjërat qiellore përmes flijimesh më të mira nga këto.
24 Sepse Krishti nuk hyri në shenjtërore të bërë me dorë (që është tip i asaj të vërtetë), por në vetë qiellin, për t'u shfaqur tani para fytyrës së Perëndisë për ne;
25 dhe jo që të ofrojë shumë herë vetveten (sikurse hyn kryeprifti në Shenjtërore çdo vit me tjetër gjak),
26 ngaqë do të duhej që ai të vuante shumë herë që nga themelimi i botës. Por tani, një herë, në përfundim të epokave, është shfaqur për heqje të mëkatit nëpërmjet flijimit të vetes.
27 Dhe ashtu siç është caktuar për njerëzit që të vdesin një herë, dhe mbas kësaj vjen gjyqi,
28 kështu edhe Krishti, si u ofrua një herë për të mbartur mëkatet e të shumtëve, do të duket për së dyti, pa mbartur mëkat, për ata që e presin me padurim për shpëtim.
Të gjithë librat
