Letra drejtuar Hebrenjve 5
1 Se çdo kryeprift që merret prej mesit të njerëzve, caktohet për njerëzit lidhur me ato gjëra që kanë të bëjnë me Perëndinë, me qëllim që të ofrojë qoftë dhurata e qoftë flijime për mëkatet;
2 duke qenë në gjendje të tregojë vetëpërmbajtje për ata që janë të paditur dhe që gabohen, ngaqë edhe vetë rrethohet me dobësi.
3 Dhe për shkak të kësaj dobësie, detyrohet të ofrojë flijime për mëkatet, si për popullin, ashtu edhe për vetveten.
4 Dhe nuk e merr kush nga vetvetja këtë nder, por e merr që thirret nga Perëndia, sikundërse edhe Aroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e përlëvdoi vetveten për t'u bërë kryeprift, por ia dha ai që i foli atij: "Biri im je ti! Unë sot të kam lindur";
6 ashtu si thotë edhe në një vend tjetër: "Ti je prift përjetë sipas rendit të Melkisedekut".
7 Ai, në ditët e mishit të tij, ofroi me britma të forta dhe me lot qoftë lutje e qoftë përgjërata drejt atij që mund ta shpëtonte prej vdekjes, dhe u dëgjua për shkak të përnderimit ndaj Perëndisë;
8 edhe pse duke qenë bir, mësoi bindjen nga ato që vuajti.
9 Dhe si u përsos, u bë për të gjithë ata që i binden, shkaktar i një shpëtimi të përjetshëm,
10 duke u emëruar nga Perëndia kryeprift sipas rendit të Melkisedekut.
11 Rreth këtij ne kemi shumë gjëra për të folur dhe që janë të vështira të shpjegohen me fjalë, ngaqë jeni bërë të ngathët nga veshët.
12 Se njëmend, megjithëse duhet të ishit mësues për nga koha, përsëri keni nevojë që t'ju mësojë ndokush elementet e fillimit të thënieve të Perëndisë dhe jeni në atë gjendje sa të keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë.
13 Sepse kushdo që merr qumësht, është i papërvojë në fjalë drejtësie, sepse është foshnjë.
14 Ndërsa ushqimi i fortë është për të pjekurit, për ata që i kanë shqisat të stërvitura, për shkak të shprehisë për të dalluar qoftë të mirën e qoftë të keqen.
Të gjithë librat
