Letra drejtuar Hebrenjve 3
1 Për këtë arsye, vëllezër të shenjtë, pjesëmarrës të një thirrjeje qiellore, kushtojini vëmendje apostullit dhe kryepriftit të rrëfimit tonë, Krishtit Jezus,
2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri të tillë, siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë.
3 Se ai është i denjë për më shumë lavdi sesa Moisiu, për aq sa ka më shumë nder se shtëpia ai që e ngriti atë.
4 Se çdo shtëpi ngrihet nga dikush, por ai që i ngriti të gjitha është Perëndia.
5 Dhe Moisiu vërtet qe besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për dëshmim të atyre gjërave që do të fliteshin,
6 por Krishti është besnik si Bir mbi shtëpinë e tij, shtëpi e të cilit jemi ne, po qe se mbajmë deri në fund të qëndrueshëm guximin dhe mburrjen e shpresës.
7 Prandaj, ashtu siç thotë Fryma e Shenjtë: "Sot, po të dëgjoni zërin e tij,
8 të mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në rebelim, gjatë ditës së sprovimit në shkretëtirë,
9 ku më sprovuan etërit tuaj; më vunë në provë dhe panë veprat e mia për dyzet vjet.
10 Prandaj u inatosa me atë brez dhe thashë: 'Përherë gabojnë në zemrën e tyre dhe ata nuk i njohën udhët e mia'.
11 Siç u betova në zemërimin tim: 'Nuk do të hyjnë kurrë në pushimin tim!'".
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos të gjendet në ndonjë nga ju një zemër e ligë mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,
13 por jepini zemër njëri-tjetrit për çdo ditë, derisa thuhet kjo "sot", me qëllim që të mos ngurtësohet ndokush prej jush nga mashtrimi i mëkatit.
14 Sepse jemi bërë pjesëmarrës të Krishtit, po qe se mbajmë deri në fund të qëndrueshëm përmbajtjen e fillimit të besimit,
15 ndërsa thuhet: "Sot, po të dëgjoni zërin e tij, të mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në rebelim".
16 Se cilët ishin ata që, kur dëgjuan, u rebeluan? A nuk ishin, pa dyshim, të gjithë ata që dolën prej Egjiptit nëpërmjet Moisiut?!
17 Dhe me cilët u inatos për dyzet vjet? Vallë jo me ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë në shkretëtirë?
18 Dhe për cilët u betua se nuk do të hyjnë në pushimin e tij, në mos për ata që qenë të pabindur?
19 E kështu, shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit.
Të gjithë librat
