Letra drejtuar Hebrenjve 2
1 Për këtë arsye ne duhet t'u kushtojmë më tepër vëmendje atyre që dëgjuam, se mos shkasim nga rruga.
2 Sepse, nëse fjala që u fol nëpërmjet engjëjsh doli të jetë e qëndrueshme dhe çdo shkelje e mosbindje mori shpagim të drejtë,
3 si do t'i ikim ne gjykimit, po të shpërfillim një shpëtim kaq të madh?! Ky shpëtim, si u fol fillimisht nëpërmjet Zotit, na u vërtetua nga ata që e dëgjuan,
4 ndërsa Perëndia bashkëdëshmonte qoftë me shenja e qoftë me çudira, dhe me vepra fuqie të çfarëdollojshme, dhe me ndarje dhuntish të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij.
5 Se nuk ua nënshtroi engjëjve botën e banuar që do të vijë, rreth së cilës po flasim,
6 por diku, dikush dëshmoi duke thënë: "Çfarë është njeriu që kujtohesh për të, apo biri i njeriut që ta vizitosh atë?
7 E bëre atë paksa më të ulët se engjëjt, me lavdi dhe nder e kurorëzove atë
8 Të gjitha i nënshtrove poshtë këmbëve të tij". Se duke ia nënshtruar atij të gjitha, nuk la asgjë të panënshtruar ndaj tij. Por tani nuk shikojmë ende që atij i janë nënshtruar të gjitha;
9 por shohim atë që u bë paksa më i ulët se engjëjt, Jezusin, të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për shkak të vuajtjes së vdekjes, me qëllim që, prej hirit të Perëndisë, të shijonte vdekjen për këdo.
10 Sepse i lypsej atij, për shkak të të cilit janë të gjitha dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, që, duke çuar shumë bij në lavdi, ta përsoste nëpërmjet vuajtjesh Filltarin e shpëtimit të tyre.
11 Se qoftë ai që shenjtëron e qoftë ata që shenjtërohen, janë të gjithë prej një; për këtë arsye nuk turpërohet t'i thërrasë vëllezër,
12 duke thënë: "Do t'u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të bashkësisë do të të himnizoj".
13 Dhe përsëri: "Unë do të jem besëplotë tek ai". Dhe përsëri: "Ja, unë dhe fëmijët që m'i dha Perëndia".
14 Prandaj, ngaqë fëmijët kanë të përbashkët mishin dhe gjakun, edhe ai, po ashtu, mori pjesë në të njëjtat gjëra, me qëllim që, nëpërmjet vdekjes, ta shfuqizonte atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
15 dhe t'i çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes ishin të mbajtur në skllavëri gjatë gjithë jetës.
16 Sepse, sigurisht, ai nuk merret me engjëj, por merret me pasardhjen e Abrahamit.
17 Për këtë arsye, ai duhej t'u ngjasonte vëllezërve në të gjitha, që të bëhej kryeprift i mëshirshëm dhe besnik në ato gjëra që kanë të bëjnë me Perëndinë, me qëllim që të shlyhen mëkatet e popullit.
18 Se ngaqë ka vuajtur ai vetë kur u tundua, mund t'u vijë në ndihmë atyre që tundohen.
Të gjithë librat
