Letra drejtuar Hebrenjve 13
1 Dashuria vëllazërore të vijojë.
2 Mos harroni mikpritjen, sepse nëpërmjet saj disa, pa e ditur, pritën engjëj.
3 Kujtoni të burgosurit, si të ishit të pranguar bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, ngaqë edhe ju vetë jeni në trup.
4 Martesa të jetë e nderuar në të gjitha gjërat dhe shtrati martesor i papërlyer; por Perëndia do të gjykojë kurvarë e kurorëshkelës.
5 Mënyra e të jetuarit të jetë pa dashuri paraje, duke qenë të kënaqur me ato që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: "Kurrë nuk do të të lë dhe as nuk do të të braktis kurrë".
6 Kështu që ne, duke pasur kurajë, të themi: "Zoti është ndihmuesi im dhe nuk do të kem frikë; çfarë do të më bëjë njeriu?".
7 Kujtoni ata që ju udhëhoqën, të cilët ju folën fjalën e Perëndisë, dhe duke vërejtur arritjen e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.
8 Jezu Krishti është i njëjti dje dhe sot, dhe në shekujt e shekujve.
9 Mos u mashtroni prej mësimesh të çfarëdollojshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të përforcohet nëpërmjet hirit, jo nëpërmjet ushqimesh në të cilat nuk patën dobi ata që ecën kështu.
10 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që ofrojnë shërbesë në tabernakull.
11 Se trupat e atyre gjallesave, gjaku i të cilave sillet për mëkatin në Shenjtërore nëpërmjet kryepriftit, digjen krejt jashtë fushimit.
12 Prandaj edhe Jezusi, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të vet, vuajti jashtë portës.
13 Si rrjedhim, të dalim drejt tij jashtë fushimit, duke mbajtur poshtërimin e tij,
14 sepse nuk kemi këtu një qytet të përhershëm, por po kërkojmë atë që vjen.
15 Nëpërmjet tij, pra, t'i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.
16 Dhe mos harroni bamirësinë dhe ndarjen me të tjerët të të mirave, sepse me të tilla flijime kënaqet Perëndia.
17 Bindjuni atyre që ju udhëheqin dhe u lëshoni udhë; se ata rrinë zgjuar mbi shpirtrat tuaja si ata që do të japin llogari, me qëllim që ta bëjnë këtë me gëzim e jo duke psherëtirë, sepse kjo do të ishte jofitimprurëse për ju.
18 Lutuni për ne, sepse jemi të bindur që kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në të gjitha gjërat.
19 Dhe ju bëj thirrje edhe më tepër për ta bërë këtë, me qëllim që sa më shpejt të kthehem te ju.
20 Tani, Perëndia i paqes, ai që solli lart prej të vdekurve Bariun e Madh të deleve përmes gjakut të besëlidhjes së përjetshme, Zotin tonë, Jezusin,
21 ju aftësoftë në çdo vepër të mirë, që të bëni vullnetin e tij, duke bërë në ju atë që është e pëlqyeshme përpara tij, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdia në shekuj të shekujve. Amen.
22 Tani, ju bëj thirrje, vëllezër, durojeni këtë fjalë nxitjeje, sepse edhe ju shkrova shkurt.
23 Ta dini se vëllai Timote është liruar, dhe po të vijë shpejt, do t'ju shikoj bashkë me të.
24 Përshëndetni të gjithë ata që ju udhëheqin dhe të gjithë shenjtorët. Ju përshëndesin ata nga Italia.
25 Hiri qoftë me të gjithë ju! Amen.
Të gjithë librat
