Letra drejtuar Hebrenjve 7
1 Se ky Melkisedeku, mbret i Salemit, prift i Perëndisë, i Shumë të Lartit (ai që takoi Abrahamin ndërsa ky po kthehej nga dërrmimi i mbretërve, dhe që e bekoi,
2 dhe të cilit Abrahami i ndau një të dhjetë nga të gjitha), së pari, duke e përkthyer emrin e tij, ishte "mbret i drejtësisë", dhe mandej ishte edhe "mbret i Salemit" (që domethënë "mbret i paqes").
3 I paatësi, i paamësi, i pabrezni dhe duke mos pasur as fillim ditësh dhe as fund jete, por duke qenë bërë i ngjashëm me Birin e Perëndisë, mbetet prift në vazhdimësi.
4 Tani, vëreni sa i madh ishte ky të cilit Abrahami, patriarku, i dha të dhjetë prej më së mirës së plaçkës.
5 Dhe, vërtet, ata prej bijve të Levit që marrin priftërinë, kanë urdhërim sipas Ligjit për të marrë të dhjetë nga populli (domethënë, nga vëllezërit e tyre), edhe pse kanë dalë prej fundbarkut të Abrahamit,
6 por Melkisedeku, që nuk e ka brezninë prej tyre, ka marrë të dhjetë prej Abrahamit dhe ka bekuar atë që kishte premtimet.
7 Dhe pa asnjë kundërshti, më i ulëti bekohet nga më i larti.
8 Dhe në këtë rast marrin të dhjeta njerëz që vdesin, por në atë rast merr të dhjetë ai që dëshmohet se jeton.
9 Dhe, si të thuash, nëpërmjet Abrahamit, edhe Levi, ai që merr të dhjeta, ka dhënë të dhjetë,
10 sepse ishte ende në fundbarkun e të atit kur e takoi atë Melkisedeku.
11 Kështu, sikur përsosmëria të ishte nëpërmjet priftërisë levitike (se populli mbi të e ka marrë Ligjin), ç'nevojë kishte ende për të dalë një tjetër prift sipas rendit të Melkisedekut e jo një që thuhet sipas rendit të Aronit?
12 Se kur ndërrohet priftëria, detyrimisht bëhet edhe një ndërrim ligji.
13 Se ai për të cilin thuhen këto gjëra, i përket një fisi tjetër, nga i cili nuk është marrë asnjë me shërbimin e altarit.
14 Sepse është e qartë që Zoti ynë ka dalë prej Judës, fis për të cilin Moisiu nuk foli asgjë rreth priftërinjve.
15 Dhe kjo është edhe më tepër e qartë nëse ngrihet një prift tjetër sipas ngjashmërisë së Melkisedekut,
16 i cili është bërë i tillë jo sipas një ligji urdhërimi të mishit, por sipas fuqisë së një jete të pashkatërrueshme.
17 Sepse dëshmohet: "Ti je prift përjetë sipas rendit të Melkisedekut".
18 Se, nga njëra anë, ka një shfuqizim të urdhërimit të mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe padobisë së tij
19 (sepse Ligji nuk përsosi asgjë) dhe, nga ana tjetër, është futja e një shprese më të mirë, nëpërmjet së cilës i afrohemi Perëndisë.
20 Dhe në atë masë sa u bë jo pa bërje betimi (se ata që janë bërë priftërinj, janë të tillë pa bërje betimi,
21 ndërsa ai u bë me bërje betimi, nëpërmjet atij që i tha: "Zoti u betua dhe nuk do të ndryshojë mendje: 'Ti je prift përjetë.'"),
22 në po atë masë Jezusi është bërë edhe dorëzanë i një besëlidhjeje më të mirë.
23 Dhe ata që janë bërë priftërinj, janë më të shumtë në numër për shkak se ishin të penguar prej vdekjes për të vazhduar,
24 por ai, për shkak se vetë mbetet përjetë, e ka priftërinë të patjetërsueshme.
25 Për këtë arsye edhe është në gjendje që t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse gjithmonë jeton që të ndërhyjë për ta.
26 Se i tillë kryeprift na lypsej edhe neve: i shenjtë, i patëkeq, i papërlyer, një që ka qenë ndarë nga mëkatarët dhe që u bë më i lartë se qiejt;
27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, sikurse kryepriftërinjtë, që të ofrojë më përpara flijim për mëkatet e veta dhe mandej për ato të popullit, sepse këtë e bëri njëherë e përgjithmonë kur ofroi vetveten.
28 Sepse Ligji cakton kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, ndërsa fjala e bërjes së betimit, ajo mbas Ligjit, cakton Birin, që është i përsosur përjetë.
Të gjithë librat
