Letra drejtuar Hebrenjve 6
1 Prandaj, duke lënë pas mësimin fillestar për Krishtin, të lëvizim drejt pjekurisë, duke mos hedhur përsëri themel të pendimit nga vepra të vdekura dhe të besimit ndaj Perëndisë,
2 të mësimit për zhytjet pastruese dhe të vënies sipër të duarve, dhe të ringjalljes së të vdekurve, dhe të gjykimit të përjetshëm.
3 Edhe këtë do ta bëjmë, po qe se e lejon Perëndia.
4 Se është e pamundur për ata që një herë u ndriçuan dhe shijuan dhurimin qiellor, dhe u bënë pjesëmarrës të Frymës së Shenjtë,
5 dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe fuqitë e epokës që vjen,
6 dhe u rrëzuan, për t'i ripërtërirë përsëri në pendim, sepse ata e kryqëzojnë sërish për veten e tyre Birin e Perëndisë dhe e çnderojnë botërisht.
7 Se toka që pi shiun që bie shpeshherë mbi të dhe nxjerr bimë të dobishme për ata në të mirë të të cilëve edhe punohet, merr bekim nga Perëndia;
8 por nëse prodhon ferra dhe gjemba, është e papërshtatshme dhe afër mallkimit; dhe fundi i së cilës është për djegie.
9 Por lidhur me ju, o të dashur, edhe nëse flasim kështu, jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që kanë të bëjnë me shpëtimin.
10 Sepse Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, kur u shërbyet dhe po vazhdoni duke iu shërbyer shenjtorëve.
11 Por dëshirojmë që secili nga ju të tregojë të njëjtën zellshmëri për arritjen e sigurisë së plotë të shpresës deri në fund,
12 me qëllim që të mos bëheni të ngathët, por imitues të atyre që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.
13 Se kur Perëndia i premtoi Abrahamit, ngaqë nuk kishte asnjë më të madh për të cilin të betohej, u betua për vetveten,
14 duke thënë: "Patjetër, duke bekuar do të të bekoj dhe duke shumuar do të të shumoj".
15 E kështu, duke pasur durim, Abrahami arriti premtimin.
16 Se njerëzit betohen për më të madhin dhe betimi i bërë për vërtetim është për ta fund i çdo kundërshtie.
17 Në të njëjtën mënyrë edhe Perëndia, duke dashur t'u tregojë edhe më tepër trashëgimtarëve të premtimit pandryshueshmërinë e qëllimit të tij, u bë dorëzanë me betim,
18 që nëpërmjet dy gjërash të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, ne që gjetëm strehë tek ai, të kemi trimërim të madh për të kapur fort shpresën që qëndron para nesh.
19 Këtë shpresë e kemi si spirancë të shpirtit, të sigurt dhe të qëndrueshme, dhe që hyn në brendësinë e perdes,
20 ku hyri si pararendës për ne Jezusi, duke u bërë kryeprift përjetë sipas rendit të Melkisedekut.
Të gjithë librat
