Ungjilli sipas Gjonit 9
1 Dhe duke kaluar, Jezusi pa një njeri të verbër që prej lindjes.
2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: "Rabbi, kush mëkatoi që u lind i verbër, ky apo prindërit e tij?".
3 Jezusi u përgjigj: "As ky nuk mëkatoi, as prindërit e tij, por u lind kështu që të shfaqen punët e Perëndisë në të.
4 Unë duhet të punoj punët e atij që më dërgoi derisa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të punojë.
5 Sa kohë të jem në botë, jam drita e botës".
6 Si tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe baltën e përhapi mbi sytë e të verbrit,
7 dhe i tha: "Shko e lahu në banjën e Siloamit!" (që përkthehet "i dërguar"). Shkoi, pra, dhe u la, dhe erdhi duke parë.
8 Atëherë, fqinjët dhe ata që e kishin vënë re më përpara se ishte i verbër, thoshin: "A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?".
9 Të tjerë thoshin: "Ky është". Por të tjerë thoshin: "I ngjet atij". Ai thoshte: "Unë jam".
10 Atëherë i thoshin: "Si u hapën sytë e tu?".
11 Ai u përgjigj dhe tha: "Një njeri që quhet Jezus, bëri baltë dhe i leu sytë e mi, dhe më tha: 'Shko në banjën e Siloamit dhe lahu!'. Dhe si shkova e u lava, fitova shikimin".
12 Atëherë i thanë: "Ku është ai?". Ai tha: "Nuk e di".
13 E çuan atë, ish-të verbrin, te farisenjtë.
14 (Tani, ishte shabat kur Jezusi bëri baltën dhe hapi sytë e tij.)
15 Përsëri, pra, edhe farisenjtë e pyesnin atë se si e fitoi shikimin. Dhe ai u tha: "Vuri baltë mbi sytë e mi dhe u lava, dhe shoh".
16 Atëherë, disa prej farisenjve nisën të thoshin: "Ky njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e mban shabatin". Të tjerë thoshin: "Si mundet një njeri mëkatar të bëjë të tilla shenja?". Dhe kishte përçarje ndër ta.
17 I thanë të verbrit përsëri: "Ti çfarë thua për të, ngaqë ai i hapi sytë e tu?". Dhe ai tha: "Është profet".
18 Kështu, judenjtë nuk besuan për të se kishte qenë i verbër dhe se fitoi shikimin, derisa thirrën prindërit e vetë atij që fitoi shikimin
19 dhe i pyetën duke thënë: "Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se lindi i verbër? Si, pra, tani sheh?".
20 Prindërit e tij iu përgjigjën atyre dhe thanë: "Dimë se ky është biri ynë dhe se lindi i verbër,
21 por si sheh tani, nuk e dimë; apo kush i hapi sytë e tij, ne nuk e dimë. Ai moshë ka, pyeteni atë; ai do të flasë për veten".
22 (Këto gjëra i thanë prindërit e tij, sepse u frikësoheshin judenjve; se tashmë judenjtë kishin rënë në një mendje që, po ta rrëfente dikush Jezusin si Krishti, do të ishte i përjashtuar nga sinagoga.
23 Për këtë arsye prindërit e tij thanë: "Moshë ka, pyeteni atë.")
24 Atëherë e thirrën për së dyti njeriun i cili kishte qenë i verbër dhe i thanë: "Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar".
25 Atëherë ai u përgjigj dhe tha: "Nëse është mëkatar, nuk e di. Një gjë di, se ndonëse isha i verbër, tani shoh".
26 Por i thanë përsëri: "Çfarë të bëri? Si i hapi sytë e tu?".
27 Ai iu përgjigj atyre: "Jua thashë, tashmë, dhe nuk dëgjuat. Pse doni ta dëgjoni përsëri? Mos edhe ju doni që të bëheni dishepuj të tij?".
28 Atëherë ata e shanë dhe thanë: "Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut.
29 Ne dimë se Moisiut i ka folur Perëndia, ndërsa për këtë njeri nuk dimë prej nga është".
30 Njeriu u përgjigj dhe u tha: "Pikërisht kjo është e habitshme, se ju nuk dini prej nga është, ama ai i hapi sytë e mi!
31 Tani, ne dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por po të jetë dikush i perëndishëm dhe të bëjë vullnetin e tij, këtë e dëgjon.
32 Në jetë të jetëve nuk është dëgjuar se dikush hapi sytë e dikujt që ka lindur i verbër.
33 Sikur ky të mos ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë".
34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Ti u linde i tëri në mëkate dhe ti po na mëson ne?!". Dhe e nxorën jashtë.
35 Jezusi dëgjoi se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: "Ti a beson në Birin e Perëndisë?".
36 Ai u përgjigj dhe tha: "Kush është, zotëri, që të besoj në të?".
37 Dhe Jezusi i tha: "Ti edhe e ke parë, dhe është vetë ai që po flet me ty".
38 Dhe ai tha: "Besoj, o Zot!"; dhe e adhuroi atë.
39 Dhe Jezusi tha: "Unë erdha për gjykim në këtë botë, me qëllim që ata që nuk shohin, të shohin dhe ata që shohin, të bëhen të verbër".
40 Dhe disa prej farisenjve që ishin me të, i dëgjuan këto fjalë dhe i thanë: "Mos jemi edhe ne të verbër?".
41 Jezusi u tha: "Sikur të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni 'shohim', prandaj mëkati juaj mbetet".
Të gjithë librat
