Ungjilli sipas Gjonit 6
1 Mbas këtyre gjërave, Jezusi shkoi matanë Detit të Galilesë (apo të Tiberiadës),
2 dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonin shenjat e tij, që ai bënte mbi të lënguarit.
3 Dhe Jezusi u ngjit në mal dhe po rrinte ulur aty me dishepujt e tij
4 (tani Pashka, festa e judenjve, ishte afër).
5 Atëherë, Jezusi, si ngriti sytë dhe vërejti se një turmë e madhe po vinte drejt tij, i tha Filipit: "Nga do të blejmë bukë që të hanë këta?"
6 (Tani, këtë e tha për ta sprovuar, sepse vetë e dinte çfarë ishte gati për të bërë).
7 Filipi iu përgjigj: "Dyqind denarë bukë nuk u mjaftojnë atyre, që secili prej tyre të marrë diçka të vogël".
8 Një prej dishepujve të tij, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, i tha:
9 "Është një djalosh këtu, që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq, por çfarë janë këto për kaq shumë njerëz?".
10 Dhe Jezusi tha: "Bëjini njerëzit që të zënë vend!" (tani, kishte shumë bar në atë vend). Kështu, burrat zunë vend; rreth pesë mijë në numër.
11 Dhe Jezusi mori bukët dhe, si falënderoi, ua përndau dishepujve, dhe dishepujt atyre që ishin shtruar për të ngrënë; po kështu përndau edhe prej peshqve, aq sa dëshironin.
12 Dhe si u ngopën, u tha dishepujve të tij: "Mblidhini copat që tepruan, që të mos shkojë gjë dëm!".
13 I mblodhën, pra, dhe prej pesë bukëve të elbit mbushën dymbëdhjetë kofinë me copat që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
14 Atëherë, njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thoshin: "Ky është vërtet profeti që vjen në botë".
15 Kështu, Jezusi, duke ditur se qenë gati për të ardhur e për ta kapur që ta bëjnë mbret, u tërhoq përsëri në mal, ai vetëm.
16 Tani, si u bë mbrëmje, dishepujt e tij zbritën në det
17 dhe si hipën në varkë, shkuan matanë detit, drejt Kapernaumit. Tashmë ishte bërë edhe errësirë dhe Jezusi nuk kishte ardhur tek ata;
18 e deti po trazohej ndërsa frynte erë e madhe.
19 Atëherë, pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë a tridhjetë stade, vërejtën Jezusin duke ecur mbi det dhe duke ardhur afër varkës, dhe u frikësuan.
20 Por ai u tha: "Unë jam. Mos u frikësoni!".
21 Atëherë, ata donin ta merrnin në varkë, mirëpo menjëherë varka u gjend në tokën drejt së cilës po shkonin.
22 Të nesërmen, turma që kishte qëndruar matanë detit, kur pa se nuk kishte aty varkë tjetër të vogël, veçse një, atë në të cilën hipën dishepujt e tij, dhe se Jezusi nuk hipi në varkën e vogël bashkë me dishepujt e tij, por që dishepujt e tij u nisën vetëm
23 (megjithatë, prej Tiberiadës erdhën varka të tjera të vogla afër vendit ku hëngrën bukë kur falënderoi Zoti);
24 atëherë, kur turma pa se Jezusi nuk ishte atje dhe as dishepujt e tij, hipën edhe ata në varka dhe erdhën në Kapernaum duke kërkuar Jezusin.
25 Dhe si e gjetën matanë detit, i thanë: "Rabbi, kur ke ardhur këtu?".
26 Jezusi iu përgjigj dhe tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ju më kërkoni jo se patë shenja, por se hëngrët prej bukëve dhe u ngopët.
27 Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i Njeriut, sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia".
28 Atëherë i thanë atij: "Çfarë të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?".
29 Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Kjo është vepra e Perëndisë: që të besoni në atë që dërgoi ai".
30 Atëherë i thanë: "Çfarë shenje bën ti, pra, që ta shikojmë dhe të të besojmë? Çfarë vepre kryen?
31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, ashtu si është shkruar: 'U dha atyre për të ngrënë bukë prej qiellit'".
32 Atëherë Jezusi u tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: nuk jua ka dhënë Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën,
33 sepse buka e Perëndisë është ajo që zbret prej qiellit dhe i jep jetë botës".
34 Atëherë i thanë atij: "Zotëri, na e jep gjithmonë këtë bukë!".
35 Dhe Jezusi u tha: "Unë jam buka e jetës; ai që vjen tek unë, nuk do të ketë aspak uri dhe ai që beson në mua, nuk do të ketë aspak etje, kurrë.
36 Por ju thashë se megjithëse më keni parë, përsëri nuk besoni.
37 Gjithçka që më jep Ati, do të vijë tek unë, dhe atë që vjen tek unë, nuk do ta nxjerr kurrë jashtë.
38 Se unë kam zbritur prej qiellit jo që të bëj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.
39 Dhe ky është vullneti i Atit që më dërgoi: që të mos humbas asgjë nga ajo çfarë më ka dhënë mua, por ta ringjall në ditën e fundit.
40 Dhe ky është vullneti i atij që më dërgoi: që kushdo që vëren Birin dhe që beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit".
41 Atëherë judenjtë nisën të murmurisnin për të, se tha: "Unë jam buka që zbriti prej qiellit".
42 Dhe thoshin: "A nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ne ia njohim të atin dhe të ëmën? Si, pra, ky thotë: 'Kam zbritur prej qiellit'?".
43 Prandaj Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Mos murmurisni me njëri-tjetrin!
44 Asnjë nuk mund të vijë tek unë po të mos e tërheqë Ati që më dërgoi; dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit.
45 Është shkruar në Profetët: 'Dhe do të jenë të gjithë të mësuar nga Perëndia'. Prandaj kushdo që dëgjoi nga Ati dhe që mësoi, vjen tek unë.
46 Jo se Atin e ka parë ndokush, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.
47 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ai që beson në mua, ka jetë të përjetshme.
48 Unë jam buka e jetës.
49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.
50 Kjo është buka që zbret prej qiellit, që ndokush të hajë prej saj dhe të mos vdesë.
51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit. Po të hajë ndokush prej kësaj buke, do të jetojë përjetë; dhe, gjithashtu, buka të cilën unë do ta jap, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës".
52 Atëherë judenjtë nisën të ziheshin me njëri-tjetrin, duke thënë: "Si mundet ky të na japë mishin e vet për ta ngrënë?".
53 Atëherë, Jezusi u tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: po të mos hani mishin e Birit të Njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj.
54 Ai që ha mishin tim dhe që pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme dhe unë do ta ringjall në ditën e fundit.
55 Sepse mishi im është vërtet ushqim dhe gjaku im është vërtet pije.
56 Ai që ha mishin tim dhe që pi gjakun tim, rri në mua dhe unë në të.
57 Ashtu si më dërgoi mua Ati që jeton dhe unë jetoj për shkak të Atit, kështu ai që më ha mua, edhe ai do të jetojë për shkakun tim.
58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo ashtu si hëngrën etërit tuaj manën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të jetojë përjetë".
59 Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.
60 Prandaj, shumë prej dishepujve të tij, kur e dëgjuan, thanë: "Kjo fjalë është e ashpër! Kush mund ta dëgjojë?".
61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e tij murmurisin rreth kësaj, u tha: "Kjo ju shkandullon?
62 Po kur ta vëreni, pra, Birin e Njeriut duke u ngjitur aty ku ishte më përpara?
63 Fryma është ai që bën të gjallë; mishi nuk bën dobi për asgjë. Thëniet që unë ju kumtoj, janë frymë dhe janë jetë.
64 Por janë disa prej jush të cilët nuk besojnë." (Sepse Jezusi e dinte prej fillimi se cilët ishin ata që nuk besonin dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte.)
65 Dhe thoshte: "Për këtë arsye ju kam thënë se asnjë nuk mund të vijë tek unë po të mos i jetë dhënë prej Atit tim".
66 Që prej kësaj kohe shumë prej dishepujve të tij u zmbrapsën dhe nuk ecnin më me të.
67 Atëherë, Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: "Mos doni të ikni edhe ju?".
68 Atëherë Simon Pjetri iu përgjigj: "O Zot, te kush do të shkojmë? Ti ke thënie të jetës së përjetshme
69 dhe ne kemi besuar, dhe kemi kuptuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë".
70 Jezusi iu përgjigj atyre: "A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetë? Mirëpo një prej jush është djall".
71 (Tani, këtë e tha për Judën e Simonit, Iskariotin, sepse ky, duke qenë një prej të dymbëdhjetëve, do ta tradhtonte.)
Të gjithë librat
