Ungjilli sipas Gjonit 20
1 Tani, të parën ditë të javës, Maria Magdalena erdhi te varri herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, dhe pa gurin që ishte hequr prej varrit.
2 Atëherë vrapoi dhe erdhi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha: "E hoqën Zotin prej varrit dhe nuk dimë ku e vunë".
3 Atëherë dolën Pjetri dhe dishepulli tjetër dhe po shkonin te varri.
4 Tani, të dy po vraponin bashkërisht, por dishepulli tjetër vrapoi përpara, më shpejt se Pjetri, dhe erdhi i pari te varri.
5 Dhe si u përkul për të parë, pa mbështjellëset prej liri të shtrira aty; megjithatë nuk hyri.
6 Atëherë erdhi Simon Pjetri duke e ndjekur dhe hyri te varri, dhe vërejti mbështjellëset prej liri të shtrira
7 dhe rizën, e cila kishte qenë mbi kokën e Jezusit, jo të shtrirë me mbështjellëset prej liri, por që ishte palosur veças në një vend.
8 Atëherë, pra, hyri edhe dishepulli tjetër, ai që erdhi i pari te varri, dhe pa, dhe besoi
9 (sepse ende nuk e merrnin vesh Shkrimin, që ai duhej të ringjallej prej të vdekurve).
10 Atëherë dishepujt shkuan përsëri te të vetët.
11 Por Maria qëndroi jashtë, pranë varrit, duke qarë. Atëherë, ndërsa qante, u përkul për të parë në varr
12 dhe vërejti dy engjëj në të bardha, të ulur njëri te koka dhe tjetri te këmbët e vendit ku qe shtrirë trupi i Jezusit.
13 Dhe ata i thanë: "Grua, pse po qan?". Ajo u tha: "E hoqën Zotin tim dhe nuk di ku e vunë".
14 Dhe si tha këto, u kthye mbrapa dhe vërejti Jezusin duke qëndruar në këmbë, por nuk e dinte se ishte Jezusi.
15 Jezusi i tha: "Grua, pse po qan? Kë po kërkon?". Ajo, duke pandehur se ishte kopshtari, i tha: "Zotëri, nëse e lëvize ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr".
16 Jezusi i tha: "Mari!". Ajo u kthye dhe i tha: "Rabbuni!" (që do të thotë "Mësues").
17 Jezusi i tha: "Mos më prek, sepse ende nuk jam ngjitur tek Ati im, por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj se po ngjitem tek Ati im e Ati juaj dhe Perëndia im e Perëndia juaj".
18 Maria Magdalena erdhi dhe njoftoi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i tha asaj këto gjëra.
19 Atëherë, në po atë ditë të parë të javës, ndërsa ishte mbrëmje dhe ndërsa dyert e vendit ku ishin mbledhur dishepujt ishin mbyllur për shkak të frikës së judenjve, erdhi Jezusi dhe qëndroi në mes; dhe u tha: "Paqja me ju!".
20 Dhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. Atëherë dishepujt u gëzuan, duke parë Zotin.
21 Kështu, Jezusi u tha përsëri: "Paqja me ju! Ashtu si më ka dërguar mua Ati, edhe unë ju dërgoj ju".
22 Dhe si tha këtë, hukati mbi ta dhe u tha: "Merrni Frymën e Shenjtë!
23 Po t'ia falni ndokujt mëkatet, atyre u falen; po t'ia mbani ndokujt, atyre u janë mbajtur".
24 Tani, Thomai, një prej të dymbëdhjetëve (ai që quhet Binjaku), nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.
25 Kështu, dishepujt e tjerë i thoshin: "Kemi parë Zotin!". Por ai u tha: "Po të mos shikoj në duart e tij shenjën e gozhdëve dhe po të mos vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, dhe po të mos vë dorën time në brinjën e tij, nuk do të besoj fare!".
26 Dhe mbas tetë ditësh, dishepujt e tij ishin përsëri brenda, dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndërsa dyert ishin mbyllur, dhe qëndroi në mes, dhe tha: "Paqja me ju!".
27 Pastaj i tha Thomait: "Sille gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia; sille edhe dorën tënde dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!".
28 Dhe Thomai u përgjigj dhe i tha: "Zoti im dhe Perëndia im!".
29 Jezusi i tha: "Sepse më ke parë, o Thoma, ke besuar; lum ata që nuk panë dhe besuan!".
30 Kështu, Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera përpara dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër,
31 por këto janë shkruar që të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, dhe që, duke besuar, të keni jetë në emrin e tij.
Të gjithë librat
