Ungjilli sipas Gjonit 18
1 Si tha këto, Jezusi doli bashkë me dishepujt e tij matanë përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht në të cilin hyri ai dhe dishepujt e tij.
2 (Tani, edhe Juda, ai që po e tradhtonte, e dinte vendin, sepse Jezusi mblidhej shumë herë atje me dishepujt e tij.)
3 Atëherë Juda, si mori kohortën romake dhe roja prej kryepriftërinjve dhe farisenjve, erdhi aty me fenerë dhe pishtarë, dhe me armë.
4 Atëherë Jezusi, duke i ditur të gjitha ato që do të vinin mbi të, doli dhe u tha: "Kë kërkoni?".
5 Ata iu përgjigjën: "Jezus nazaretasin". Jezusi u tha: "Unë jam!" (Tani, me ta qëndronte aty edhe Juda, ai që po e tradhtonte).
6 Kështu, sa u tha atyre "unë jam", ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe.
7 Atëherë, përsëri i pyeti: "Kë kërkoni?". Dhe ata thanë: "Jezus nazaretasin".
8 Jezusi u përgjigj: "Ju thashë se unë jam. Prandaj, nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë".
9 (Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që ai kishte thënë: "Nga ata që m'i ke dhënë, nuk humba asnjë prej tyre".)
10 Atëherë Simon Pjetri, duke pasur një shpatë, e nxori dhe i ra skllavit të kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë (dhe emri i skllavit ishte Malk).
11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit: "Fute shpatën tënde në mill! A mos nuk do ta pi unë kupën të cilën ma ka dhënë Ati?!".
12 Atëherë kohorta dhe komandanti i tyre, si dhe rojat e judenjve, e kapën Jezusin dhe e lidhën.
13 Dhe e çuan së pari tek Anai, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprift i atij viti.
14 (Tani, ishte Kajafa ai që i këshilloi judenjtë se ishte me leverdi që vetëm një njeri të humbiste për popullin.)
15 Dhe Jezusin po e ndiqnin Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Por ai dishepull ishte një i njohur i kryepriftit dhe hyri bashkë me Jezusin në oborrin e kryepriftit,
16 ndërsa Pjetri qëndronte jashtë te dera. Atëherë doli dishepulli tjetër, i cili ishte i njohur i kryepriftit, dhe i foli derëtares dhe e futi brenda Pjetrin.
17 Atëherë, shërbëtorja që ishte derëtare, i tha Pjetrit: "Mos je edhe ti prej dishepujve të këtij njeriu?". Ai tha: "Nuk jam".
18 Tani, skllevërit dhe rojat, pasi kishin bërë ca prush, sepse ishte ftohtë, qëndronin aty dhe ngroheshin. Dhe Pjetri ishte duke qëndruar me ta dhe duke u ngrohur.
19 Atëherë, kryeprifti e pyeti Jezusin rreth dishepujve të tij dhe rreth mësimit të tij.
20 Jezusi iu përgjigj: "Unë i fola hapur botës. Unë gjithmonë mësova në sinagogë dhe në tempull, aty ku mblidhen gjithmonë judenjtë, dhe nuk fola asgjë fshehtas.
21 Pse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar çfarë u fola atyre! Ja, këta i dinë ato që thashë unë".
22 Por kur ai i tha këto, një nga rojat që qëndronte pranë, i dha një shuplakë Jezusit, duke thënë: "Kështu i përgjigjesh kryepriftit?".
23 Jezusi iu përgjigj: "Nëse fola keq, dëshmo për të keqen; por nëse fola mirë, pse më rreh?".
24 Atëherë Anai e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.
25 Tani, Simon Pjetri ishte duke qëndruar dhe duke u ngrohur. Atëherë i thanë: "Mos je edhe ti prej dishepujve të tij?". Ai e mohoi dhe tha: "Nuk jam".
26 Një prej skllevërve të kryepriftit, që ishte farefis i atij që Pjetri i preu veshin, tha: "A nuk të pashë unë në kopsht bashkë me të?".
27 Atëherë, përsëri Pjetri e mohoi; dhe menjëherë një gjel këndoi.
28 Atëherë e çuan Jezusin nga Kajafa në pretorium. Tani, ishte mëngjes herët dhe ata që e sollën nuk hynë në pretorium, që të mos ndyheshin, por që të hanin Pashkën.
29 Atëherë doli Pilati jashtë tek ata dhe tha: "Çfarë padie sillni kundër këtij njeriu?".
30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Sikur ky të mos ishte keqbërës, nuk do të ta dorëzonim ty".
31 Atëherë Pilati u tha: "Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj". Atëherë judenjtë i thanë: "Për ne nuk është e lejueshme të vrasim njeri".
32 (Kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Jezusit, të cilën ai e kishte thënë, duke treguar me ç'lloj vdekjeje kishte për të vdekur.)
33 Atëherë Pilati hyri në pretorium përsëri dhe e thirri Jezusin e i tha: "Ti je mbreti i judenjve?".
34 Jezusi iu përgjigj: "Nga vetvetja e thua ti këtë, apo ta thanë të tjerë për mua?".
35 Pilati u përgjigj: "A mos jam unë judé?! Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?".
36 Jezusi u përgjigj: "Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Sikur mbretëria ime të ishte prej kësaj bote, rojat e mia do të luftonin që të mos u dorëzohesha judenjve. Por tani, mbretëria ime nuk është prej këtu".
37 Atëherë Pilati i tha: "Kështu, pra, ti je mbret?". Jezusi u përgjigj: "Ti po thua se unë jam mbret. Unë për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, e dëgjon zërin tim".
38 Pilati i tha: "Çfarë është e vërteta?". Dhe si tha këtë, doli përsëri te judenjtë dhe u tha: "Unë nuk gjej asnjë shkak padie në të;
39 por është zakon ndër ju që t'ju liroj një njeri për Pashkë. A dëshironi, pra, t'ju liroj mbretin e judenjve?".
40 Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: "Jo këtë, por Barabën!" (Tani, Baraba ishte një kusar).
Të gjithë librat
