Ungjilli sipas Gjonit 5
1 Mbas këtyre gjërave ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem.
2 Tani, në Jerusalem, te Porta e Dhenve, është një banjë që hebraisht quhet Betesdá dhe që ka pesë portikë.
3 Nën ta dergjej një morí e madhe të lënguarish, të verbrish, të çalësh, të paralizuarish, duke pritur lëvizjen e ujit;
4 sepse një engjëll, kohë mbas kohe, zbriste në banjë dhe uji trazohej; atëherë, i pari që zbriste mbas trazimit të ujit, bëhej i shëndetësuar prej çfarëdo sëmundjeje që e kishte zënë.
5 Tani, aty ishte një njeri që kishte tridhjetë e tetë vjet në lëngatën e tij.
6 Kur Jezusi e pa atë që dergjej dhe si kuptoi që kishte tashmë shumë kohë ashtu, i tha: "A dëshiron të bëhesh i shëndetshëm?".
7 I lënguari iu përgjigj: "Zotëri, unë nuk kam njeri që, kur të trazohet uji, të më futë në banjë dhe në çastin që vij unë, një tjetër zbret para meje".
8 Jezusi i tha: "Çohu, ngrije shtrojën tënde dhe ec!".
9 E menjëherë, njeriu u bë i shëndetshëm dhe e ngriti shtrojën e tij, dhe nisi të ecte (tani, atë ditë ishte shabat).
10 Atëherë, judenjtë i thoshin atij që ishte shëruar: "Është shabat dhe nuk është e lejueshme për ty të ngresh shtrojën".
11 Ai iu përgjigj: "Ai që më bëri të shëndetshëm, ai më tha 'Ngrije shtrojën tënde dhe ec!'".
12 Atëherë e pyetën: "Kush është ai njeri që të tha 'Ngrije shtrojën tënde dhe ec!'?"
13 Por ai që u shërua nuk e dinte se kush ishte, sepse Jezusi u tërhoq ndërsa ishte një turmë në atë vend.
14 Mbas këtyre gjërave, Jezusi e gjeti atë në tempull dhe i tha: "Ja, je bërë i shëndetshëm! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë diçka më e keqe!".
15 Njeriu shkoi dhe u dëftoi judenjve se Jezusi ishte ai që e bëri të shëndetshëm.
16 Dhe për këtë arsye judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin për ta vrarë, sepse i bënte këto gjëra në shabat.
17 Por Jezusi iu drejtua atyre: "Ati im po punon deri tani; edhe unë po punoj".
18 Prandaj, për këtë arsye judenjtë kërkonin më tepër ta vrisnin, se jo vetëm e zhbënte shabatin, por edhe e quante Perëndinë Atë të vet, duke e bërë vetveten të barabartë me Perëndinë.
19 Atëherë, Jezusi mori fjalën dhe u tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: Biri nuk mund të bëjë nga vetvetja asgjë po të mos shohë Atin duke bërë diçka; sepse çfarëdo që të bëjë ai, këto i bën në mënyrë të ngjashme edhe Biri.
20 Se Ati e do Birin dhe ia tregon atij të gjitha ato që bën vetë; dhe vepra më të mëdha se këto do t'i tregojë atij, që ju të mrekulloheni.
21 Se sikurse Ati i ngre të vdekurit dhe i bën të gjallë, kështu edhe Biri ata që dëshiron, i bën të gjallë.
22 Se Ati as edhe nuk gjykon asnjë, por gjithë gjykimin ia ka dhënë Birit,
23 me qëllim që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; ai që nuk nderon Birin, nuk nderon as Atin që e dërgoi atë.
24 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se ai që e dëgjon fjalën time dhe i beson atij që më dërgoi, ka jetë të përjetshme dhe nuk vjen në gjykim, por ka kaluar prej vdekjes në jetë.
25 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se vjen ora, dhe është tani, kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta kenë dëgjuar, do të jetojnë.
26 Sepse sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu i dha edhe Birit për të pasur jetë në vetvete,
27 dhe i dha pushtet edhe për të bërë gjykim, sepse është Biri i Njeriut.
28 Mos u mrekulloni për këtë, sepse vjen ora në të cilën të gjithë ata në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij
29 dhe do të dalin; ata që bënë të mira, në ringjallje të jetës, ndërsa ata që praktikuan gjëra të ulëta, në ringjallje të gjykimit.
30 Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime; ashtu si dëgjoj, gjykoj, dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më dërgoi.
31 Po të dëshmoj unë për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
32 Një tjetër është ai që dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua, është e vërtetë.
33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai ka dëshmuar për të vërtetën.
34 Tani, unë nuk e marr dëshminë nga një njeri, por i them këto që ju të shpëtoheni.
35 Ai ishte kandili që digjet dhe ndriçon, dhe ju deshët të ngazëlloheshit për një kohë në dritën e tij.
36 Por unë e kam dëshminë më të madhe se atë të Gjonit, sepse veprat që m'i dha Ati që t'i përmbyll, vetë ato vepra që unë bëj, dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar.
37 Dhe Ati që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua. Ju as zërin e tij nuk e keni dëgjuar ndonjëherë dhe as dukjen e tij nuk e keni parë;
38 dhe fjalën e tij nuk e keni duke ndenjur në ju, sepse ju nuk i besoni këtij të cilin e dërgoi ai.
39 Ju hetoni Shkrimet, sepse ju mendoni të keni në to jetë të përjetshme, dhe këto janë ato që dëshmojnë për mua;
40 mirëpo ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetë.
41 Lavdi nga njerëzit unë nuk marr,
42 por unë ju njoh, që nuk e keni dashurinë e Perëndisë në veten tuaj.
43 Unë kam ardhur në emrin e Atit tim dhe nuk më pranoni; po të vijë një tjetër në emrin e vet, atë do ta pranoni.
44 Si mund të besoni ju, kur merrni lavdi nga njëri-tjetri dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen nga i vetmi Perëndi?
45 Mos mendoni se unë do t'ju padis tek Ati. Ai që ju padit është Moisiu, në të cilin ju keni shpresuar.
46 Sepse sikur t'i besonit Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai shkroi për mua.
47 Por nëse nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t'u besoni thënieve të mia?".
Të gjithë librat
