Ungjilli sipas Gjonit 4
1 Atëherë, si mori vesh Zoti se farisenjtë dëgjuan që ai bënte dhe pagëzonte dishepuj më shumë sesa Gjoni
2 (ndonëse Jezusi vetë nuk pagëzonte, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi në Galile.
4 Tani, ai duhej të kalonte përmes Samarisë.
5 Erdhi, pra, në një qytet të Samarisë, të quajtur Sihar, afër truallit që Jakobi dha Jozefit, birit të tij;
6 dhe aty ishte pusi i Jakobit. Atëherë, Jezusi, duke qenë i lodhur prej udhëtimit, po rrinte ulur kështu pranë pusit. Ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua prej Samarisë erdhi për të nxjerrë ujë. Jezusi i tha: "Më jep për të pirë!"
8 (sepse dishepujt e tij kishin shkuar në qytet që të blinin ushqime).
9 Atëherë, gruaja samaritane i tha: "Si ti, duke qenë judé, kërkon për të pirë nga unë, që jam një grua samaritane?" (sepse judenjtë nuk japin e marrin me samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që po të thotë 'Më jep për të pirë!', ti do t'i kërkoje atij dhe ai do të të jepte ujë të gjallë".
11 Gruaja i tha: "Zotëri, ti as kovë nuk ke dhe pusi është i thellë, prej nga e ke, pra, ujin e gjallë?
12 Mos je ti më i madh se ati ynë Jakob, i cili na dha pusin dhe piu vetë prej tij dhe bijtë e tij, dhe bagëtitë e tij?".
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Kushdo që pi prej këtij uji, do të ketë etje përsëri,
14 por cilido që të pijë prej ujit që unë do t'i jap atij, nuk do të ketë kurrë etje përjetë; përkundrazi, uji që do t'i jap atij, do të bëhet në të burim uji që gufon për jetë të përjetshme".
15 Gruaja i tha atij: "Zotëri, ma jep këtë ujë, që të mos kem etje dhe as të mos vij këtu për të nxjerrë ujë!".
16 Jezusi i tha: "Shko, thirr burrin tënd dhe eja këtu!".
17 Gruaja u përgjigj dhe tha: "Nuk kam burrë". Jezusi i tha: "Mirë the 'nuk kam burrë',
18 sepse pate pesë burra dhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e ke thënë të vërtetë".
19 Gruaja i tha atij: "Zotëri, po vë re se ti je profet.
20 Etërit tuaj adhuruan në këtë mal dhe ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet adhuruar".
21 Jezusi i tha: "O grua, më beso, se vjen ora kur as në këtë mal, as në Jerusalem nuk do ta adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni çfarë nuk dini; ne adhurojmë çfarë dimë, sepse shpëtimi është prej judenjve.
23 Por vjen ora, dhe është tani, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe të vërtetë, sepse edhe Ati të tillë i kërkon ata që e adhurojnë atë.
24 Perëndia është frymë dhe ata që e adhurojnë atë, duhet ta adhurojnë në frymë dhe të vërtetë".
25 Gruaja i tha: "Di se vjen Mesia (ai që quhet Krishti). Kur të vijë, ai do të na i kumtojë të gjitha".
26 Jezusi i tha: "Unë jam, ai që po të flet!".
27 Dhe në këtë çast erdhën dishepujt e tij dhe u habitën që po fliste me një grua; megjithatë asnjë nuk tha: "Çfarë kërkon?", apo: "Pse flet me të?".
28 Atëherë, gruaja e la bucelën e saj dhe shkoi në qytet, dhe u tha njerëzve:
29 "Ejani, shikoni një njeri i cili më tha të gjitha sa bëra! A mos është ky Krishti?!".
30 Atëherë, dolën njerëzit prej qytetit dhe po vinin tek ai.
31 Tani, në ndërkohë, dishepujt e lutnin atë duke thënë: "Rabbi, ha!".
32 Por ai u tha: "Unë kam një ushqim për të ngrënë që ju nuk e dini".
33 Atëherë, dishepujt thoshin me njëri-tjetrin: "Mos i solli kush për të ngrënë?!".
34 Jezusi u tha: "Ushqimi im është që të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përmbyll veprën e tij.
35 A nuk thoni ju se janë ende katër muaj dhe vjen korrja? Ja, po ju them juve, ngrini sytë tuaj dhe vështroni fushat që tashmë janë të bardha për korrje!
36 Dhe ai që korr, merr një pagë dhe mbledh fryt për jetë të përjetshme, me qëllim që edhe ai që mbjell, edhe ai që korr, të gëzohen së bashku.
37 Sepse në këtë është e vërtetë fjala: 'njëri mbjell dhe tjetri korr'.
38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilën ju nuk jeni munduar; të tjerë janë munduar dhe ju keni hyrë në mundin e tyre".
39 Tani, prej atij qyteti shumë samaritanë besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: "M'i tha të gjitha sa kam bërë".
40 Atëherë, si erdhën tek ai samaritanët, e lutnin atë që të rrinte me ta, dhe ai ndenji atje dy ditë.
41 Dhe shumë më shumë njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.
42 Dhe gruas i thoshin: "Nuk besojmë më vetëm për shkak të të folurit tënd, por sepse vetë kemi dëgjuar dhe e dimë se ky është vërtet Shpëtimtari i botës, Krishti".
43 Tani, mbas dy ditëve, doli prej andej dhe shkoi në Galile
44 (sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk ka nderim në vendin e vet).
45 Atëherë, kur erdhi në Galile, galileasit e pritën, pasi i kishin parë të gjitha ato që bëri në Jerusalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festën.
46 Erdhi, pra, Jezusi përsëri në Kanë të Galilesë, aty ku e bëri ujin verë, dhe ishte njëfarë nëpunësi mbretëror, biri i të cilit lëngonte në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai dhe e luste që të zbriste dhe të shëronte birin e tij, sepse ishte gati duke vdekur.
48 Atëherë Jezusi i tha atij: "Po të mos shikoni shenja dhe çudira, ju nuk besoni fare".
49 Nëpunësi mbretëror i tha atij: "Zotëri, zbrit para se të vdesë fëmija im".
50 Jezusi i tha: "Shko, biri yt jeton!". Dhe njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Tani, ndërsa ai ishte duke zbritur, skllevërit e tij e takuan dhe e njoftuan duke thënë: "Fëmija yt jeton!".
52 Atëherë kërkoi nga ata orën në të cilën pati përmirësim. Dhe i thanë: "Dje në orën e shtatë e lanë ethet".
53 Atëherë i ati e kuptoi se ndodhi në atë orë në të cilën Jezusi i tha: "Biri yt jeton", dhe besoi ai vetë dhe tërë shtëpia e tij.
54 Përsëri, këtë shenjë të dytë bëri Jezusi kur erdhi prej Judesë në Galile.
Të gjithë librat
