Ungjilli sipas Gjonit 21
1 Mbas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve te Deti i Tiberiadës. Dhe u shfaq kështu:
2 ishin bashkë Simon Pjetri dhe Thomai (ai që quhet Binjaku), dhe Natanaeli (ai nga Kana e Galilesë), dhe bijtë e Zebedeut, dhe dy të tjerë prej dishepujve të tij.
3 Simon Pjetri u tha atyre: "Po shkoj për të peshkuar". Ata i thanë: "Po vijmë edhe ne bashkë me ty". Dhe ata dolën e hipën menjëherë në varkë; dhe në atë natë nuk kapën asgjë.
4 Por ndërsa tashmë u bë mëngjes herët, Jezusi qëndroi te bregu; megjithatë dishepujt nuk e dinin se ishte Jezusi.
5 Atëherë Jezusi u tha: "O bij, nuk keni ndonjë mëlmesë?". Ata iu përgjigjën: "Jo!".
6 Dhe ai u tha: "Hidhni rrjetën në anën e djathtë të varkës dhe do të gjeni". Atëherë e hodhën rrjetën dhe nuk mundën më ta tërhiqnin nga moria e peshqve.
7 Atëherë, ai dishepulli të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: "Është Zoti". Atëherë Simon Pjetri, kur dëgjoi se është Zoti, u mbështoll me rrobën e sipërme (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
8 Por dishepujt e tjerë erdhën me varkën e vogël (sepse nuk ishin larg nga toka, vetëm rreth dyqind kute), duke tërhequr rrjetën e peshqve.
9 Atëherë, si zbritën në tokë, panë prush të shtruar dhe peshk të vënë sipër, si dhe bukë.
10 Jezusi u tha: "Sillni nga peshqit që zutë tani!".
11 Simon Pjetri hipi në varkë dhe tërhoqi në tokë rrjetën plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe ndonëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12 Jezusi u tha: "Ejani, hani mëngjes!", por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste "Kush je ti?", duke e ditur se ishte Zoti.
13 Atëherë Jezusi erdhi dhe mori bukën e ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.
14 Kjo ishte tashmë e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të tij pasi u ngjall prej të vdekurve.
15 Atëherë, kur hëngrën mëngjes, Jezusi i tha Simon Pjetrit: "Simon i Jonait, a më do më shumë se këta?". Ai i tha: "Po, Zot, ti e di se të dua". Jezusi i tha: "Kulloti qengjat e mi!".
16 Jezusi i tha përsëri, të dytën herë: "Simon i Jonait, a më do?". Ai i tha: "Po, Zot, ti e di se të dua". Jezusi i tha: "Baritoji delet e mia!".
17 Jezusi i tha të tretën herë: "Simon i Jonait, a më do?". Pjetri u trishtua se i tha të tretën herë: "A më do?", dhe i tha: "Zot, ti i di të gjitha; ti e di se të dua". Jezusi i tha: "Kulloti delet e mia!
18 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde dhe shkoje aty ku dëshiroje, por kur të plakesh, do të shtrish duart e tua dhe një tjetër do të të ngjeshë dhe do të të çojë aty ku ti nuk dëshiron".
19 (Tani, këtë e tha për të treguar se me ç'lloj vdekjeje do ta përlëvdonte Perëndinë.) Dhe si tha këtë, i tha: "Më ndiq!".
20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa që po e ndiqte dishepulli të cilin e donte Jezusi (ai që edhe u anua gjatë darkës në kraharorin e Jezusit dhe i tha: "Zot, kush është ai që të tradhton?").
21 Kur Pjetri e pa atë, i tha Jezusit: "Zot, po me këtë çfarë do të bëhet?".
22 Jezusi i tha: "Po të dua që ai të rrijë derisa të vij, ç'të duhet ty?! Ti më ndiq!".
23 Prandaj ndër vëllezërit doli kjo fjalë: që ai dishepull nuk do të vdiste. Megjithatë, Jezusi nuk i tha se nuk do të vdiste, por: "Po të dua që ai të rrijë derisa të vij, ç'të duhet ty?!".
24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi këto; dhe ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Tani, ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruhen një për një, ma merr mendja se as edhe vetë bota nuk do t'i nxinte librat e shkruar. Amen.
Të gjithë librat
