Ungjilli sipas Gjonit 19
1 Atëherë, pra, Pilati e mori Jezusin dhe e fshikulloi.
2 Dhe ushtarët, si thurën një kurorë prej ferrash, ia vunë në kokë; dhe e mbështollën me një rrobë të purpurt
3 dhe thoshin: "Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!", dhe i jepnin shuplaka.
4 Atëherë Pilati doli përsëri jashtë dhe u tha judenjve: "Ja, po jua sjell atë jashtë, që ta dini se nuk gjej asnjë shkak padie në të".
5 Atëherë Jezusi doli jashtë duke mbajtur kurorën e ferrave dhe rrobën e purpurt. Dhe Pilati u tha: "Ja njeriu!".
6 Atëherë, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojat, bërtitën duke thënë: "Kryqëzoje! Kryqëzoje!". Pilati u tha: "Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të shkak padie".
7 Judenjtë iu përgjigjën: "Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë duhet të vdesë, sepse e bëri vetveten Bir të Perëndisë".
8 Atëherë, kur e dëgjoi Pilati këtë fjalë, u frikësua më tepër
9 dhe hyri përsëri në pretorium dhe i tha Jezusit: "Prej nga je ti?". Por Jezusi nuk i dha përgjigje.
10 Kështu, Pilati i tha: "Mua nuk më flet? Nuk e di ti se kam pushtet të të kryqëzoj dhe kam pushtet të të liroj?".
11 Jezusi u përgjigj: "Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, sikur të mos të ishte dhënë nga lart. Për këtë arsye, ai që më dorëzon te ti, ka mëkat më të madh".
12 Nisur prej kësaj, Pilati kërkonte ta lironte, por judenjtë bërtisnin duke thënë: "Po ta lirosh këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, kundërshton Cezarin".
13 Atëherë Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, e solli Jezusin jashtë dhe u ul mbi fronin e gjykimit, në një vend që quhet "Kalldrëm" (ndërsa në hebraisht "Gabbatá").
14 Tani, ishte ditë përgatitjeje për Pashkën dhe ishte rreth orës së gjashtë; dhe Pilati u tha judenjve: "Ja mbreti juaj!".
15 Por ata bërtitën: "Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!". Pilati u tha: "Mbretin tuaj të kryqëzoj?". Kryepriftërinjtë u përgjigjën: "Nuk kemi mbret përveç Cezarit!".
16 Atëherë, pra, Pilati ua dorëzoi atë që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
17 Dhe duke e mbartur kryqin e vet, Jezusi doli për te vendi që quhet "Vendi i Kafkës" (që në hebraisht thuhet "Golgota"),
18 ku e kryqëzuan; dhe bashkë me të edhe dy të tjerë, këndej e andej tij, ndërsa Jezusin në mes.
19 Tani, Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Dhe aty ishte shkruar: "Jezus nazaretasi, mbreti i judenjve".
20 Kështu, këtë mbishkrim e lexuan shumë nga judenjtë (sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit) dhe ishte shkruar në hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21 Atëherë, kryepriftërinjtë e judenjve i thoshin Pilatit: "Mos shkruaj 'Mbreti i judenjve', por që 'Ai tha: Jam mbret i judenjve'".
22 Pilati u përgjigj: "Çfarë kam shkruar, e kam shkruar!".
23 Atëherë ushtarët, kur e kryqëzuan Jezusin, morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, për secilin ushtar një pjesë; morën dhe tunikën (tani, tunika ishte pa tegel, e endur prej sipër e deri poshtë si një copë e vetme).
24 Kështu, thanë me njëri-tjetrin: "Të mos e grisim, por të hedhim short për të se e kujt do të jetë". (Kjo ndodhi që të përmbushej Shkrimi, ai që thotë: "I përndanë rrobat e mia ndër vete dhe hodhën short për petkun tim".) Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.
25 Tani, pranë kryqit të Jezusit qëndronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria, gruaja e Klopait, dhe Maria Magdalena.
26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën dhe dishepullin të cilin e donte duke i qëndruar pranë, i tha nënës së vet: "Grua, ja biri yt!".
27 Pastaj i tha dishepullit: "Ja nëna jote!". Dhe që nga ajo orë, dishepulli e mori atë në shtëpinë e vet.
28 Mbas kësaj, Jezusi, duke e ditur se të gjitha tashmë ishin kryer, që të përmbyllej Shkrimi, tha: "Kam etje!".
29 Aty, pra, gjendej një enë plot me verë të thartë. Dhe ata, si mbushën një sfungjer me verë të thartë dhe e vunë rreth një hisopi, ia afruan pranë gojës.
30 Atëherë, kur mori verën e thartë, Jezusi tha: "Është kryer!"; dhe duke ulur kokën, dorëzoi frymën.
31 Atëherë, ngaqë ishte ditë përgatitjeje, që trupat të mos rrinin mbi kryq në shabat (sepse dita e atij shabati ishte ditë e madhe), judenjtë i kërkuan Pilatit që të thyheshin kërcinjtë e tyre dhe të hiqeshin trupat.
32 Kështu, erdhën ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit dhe të atij tjetrit që u kryqëzua bashkë me Jezusin.
33 Por kur erdhën te Jezusi, si e panë që tashmë kishte vdekur, nuk i thyen kërcinjtë e tij,
34 por njëri nga ushtarët shpoi brinjën e tij me heshtë dhe menjëherë doli gjak dhe ujë.
35 Dhe ai që e ka parë këtë, ka dëshmuar dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, me qëllim që edhe ju të besoni.
36 Se këto gjëra ndodhën që të përmbushej Shkrimi: "Asnjë kockë e tij nuk do të thyhet";
37 dhe përsëri një tjetër Shkrim thotë: "Do të shikojnë drejt atij që shporuan".
38 Tani, mbas këtyre gjërave, Jozefi, ai nga Arimateja, që ishte dishepull i Jezusit (por që ishte fshehtas, për shkak të frikës së judenjve), i kërkoi Pilatit që ta hiqte trupin e Jezusit; dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e hoqi trupin e Jezusit.
39 Por erdhi edhe Nikodemi (ai që kishte ardhur më parë te Jezusi natën), duke sjellë një përzierje mirre dhe aloeje, rreth njëqind libra.
40 Atëherë e morën trupin e Jezusit dhe e lidhën me mbështjellëse liri me përbërës erëmirë, ashtu siç është zakoni i judenjve për përgatitjen për varrim.
41 Tani, në vendin ku u kryqëzua ishte një kopsht dhe në kopsht ndodhej një varr i ri, në të cilin nuk ishte vënë ende asnjeri.
42 Atje, pra, e vunë Jezusin për shkak të ditës së përgatitjes së judenjve, sepse varri ishte afër.
Të gjithë librat
