Ungjilli sipas Gjonit 16
1 "Këto jua kam thënë që të mos shkandulloheni.
2 Do t'ju bëjnë që të jeni të përjashtuar nga sinagoga; madje vjen ora që kushdo që ju vret, të pandehë se po i ofron shërbesë Perëndisë.
3 Dhe këto gjëra do bëjnë, sepse nuk e njohën Atin dhe as mua.
4 Por këto jua kam thënë që, kur të vijë ora, t'i kujtoni se unë jua thashë. Por këto nuk jua thashë prej fillimit, sepse isha me ju".
5 "Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi dhe asnjë prej jush nuk po më pyet 'Ku po shkon?',
6 por ngaqë jua kam thënë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Por unë po ju them të vërtetën: ju leverdis që unë të largohem, sepse po të mos largohem unë, Përkrahësi nuk do të vijë te ju; por po të shkoj, do ta dërgoj te ju.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta fajësojë botën për mëkat dhe për drejtësi, dhe për gjykim:
9 nga njëra anë për mëkat, se nuk besojnë në mua;
10 nga ana tjetër për drejtësi, se po shkoj tek Ati im dhe nuk do të më vëreni më;
11 dhe për gjykim, se princi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam ende shumë për t'ju thënë, por nuk mund t'i mbani tani.
13 Por kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju udhëheqë në gjithë të vërtetën; sepse nuk do të flasë nga vetvetja, por do të flasë gjithë sa do të dëgjojë, dhe do t'ju kumtojë ato që do të vijnë.
14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë.
15 Të gjitha sa ka Ati, janë të miat; për këtë arsye thashë se Fryma do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë".
16 "Edhe pak dhe nuk do të më vëreni; dhe përsëri pak e do të më shikoni, sepse unë po shkoj tek Ati".
17 Atëherë, disa prej dishepujve të tij thanë me njëri-tjetrin: "Çfarë është kjo që na thotë: 'Edhe pak dhe nuk do të më vëreni; dhe përsëri pak e do të më shikoni', dhe: 'sepse unë po shkoj tek Ati'?".
18 Prandaj thoshin: "Çfarë është kjo, 'pak', që thotë? Nuk dimë çfarë po flet!".
19 Jezusi, pra, e kuptoi se donin ta pyesnin dhe u tha: "Për këtë po diskutoni me njëri-tjetrin, se thashë: 'Edhe pak dhe nuk do të më vëreni; dhe përsëri pak e do të më shikoni'?
20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se ju do të qani dhe do të bëni gjëmë, ndërsa bota do të gëzohet. Dhe ju do të trishtoheni, por trishtimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Gruaja, kur duhet të lindë, ka trishtim, se erdhi ora e saj; por kur ta ketë lindur fëmijën, nuk e kujton më mundimin, për shkak të gëzimit se u lind një njeri në botë.
22 Edhe ju, pra, tani vërtet keni trishtim, por unë përsëri do t'ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe gëzimin tuaj asnjë nuk do ta heqë nga ju.
23 Dhe në atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se gjithë sa do t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë.
24 Deri tani nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, me qëllim që gëzimi juaj të jetë i plotësuar".
25 "Këto jua kam thënë me krahasime; por po vjen ora kur nuk do t'ju flas më me krahasime, por do t'ju dëftoj hapur për Atin.
26 Në atë ditë do të kërkoni në emrin tim dhe nuk po ju them se unë do ta lus Atin për ju,
27 sepse vetë Ati ju do, se ju më keni dashur dhe keni besuar që unë dola nga Perëndia.
28 Unë dola nga Ati dhe kam ardhur në botë; përsëri po e lë botën dhe po shkoj tek Ati".
29 Dishepujt e tij i thanë: "Ja, tani po flet hapur dhe nuk po thua asnjë krahasim.
30 Tani e dimë se i di të gjitha dhe nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë; prej kësaj besojmë se dole nga Perëndia".
31 Jezusi iu përgjigj: "Tani besoni?
32 Ja, po vjen ora, dhe tashmë ka ardhur, që të shpërndaheni secili në punët e veta dhe mua të më lini vetëm. Megjithatë nuk jam vetëm, se Ati është me mua.
33 Këto gjëra jua kam thënë që të keni paqe në mua. Në botë do të keni mundim, por merrni zemër, unë e kam mundur botën".
Të gjithë librat
