Ungjilli sipas Gjonit 13
1 Tani, para festës së Pashkës, duke e ditur Jezusi se kishte ardhur ora e tij që të kalonte prej kësaj bote tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
2 Dhe ndërsa u mbajt darka, mbasi djalli tashmë kishte shtënë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit që ta tradhtonte,
3 Jezusi, duke ditur se Ati ia ka dhënë atij të gjitha në dorë dhe se nga Perëndia doli e te Perëndia po shkonte,
4 u çua prej darkës dhe vuri mënjanë rrobat; dhe si mori një peshqir, ngjeshi veten.
5 Pastaj hodhi ujë në legen dhe filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'i fshinte me peshqirin me të cilin ishte ngjeshur.
6 Atëherë erdhi te Simon Pjetri dhe ky i tha Jezusit: "Zot, ti po lan këmbët e mia?!".
7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Çfarë unë po bëj, tani ti nuk e di, por do ta kuptosh mbas këtyre gjërave".
8 Pjetri i tha: "Kurrë nuk do t'i lash këmbët e mia, sa të jetë jeta!". Jezusi iu përgjigj: "Po mos të të laj, nuk ke pjesë me mua".
9 Simon Pjetri i tha: "Zot, jo vetëm këmbët e mia, por edhe duart dhe kokën".
10 Jezusi i tha: "Ai që është larë, nuk ka nevojë veçse të lajë këmbët, pa është tërësisht i pastër; dhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë".
11 (Sepse ai e dinte cili do ta tradhtonte; për këtë arsye tha: "Jo të gjithë jeni të pastër".)
12 Atëherë, kur lau këmbët e tyre dhe mori rrobat e veta, duke zënë vend përsëri, u tha: "E kuptoni çfarë ju kam bërë?
13 Ju më thërrisni 'Mësues' dhe 'Zot', dhe mirë thoni, sepse jam.
14 Pra, nëse unë, Zoti e Mësuesi, lava këmbët tuaja, edhe ju e keni për detyrë të lani këmbët e njëri-tjetrit.
15 Sepse unë ju kam dhënë shembullin që ashtu si ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.
16 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: skllavi nuk është më i madh se zotëria i vet dhe as i dërguari më i madh se ai që e dërgoi.
17 Nëse këto gjëra i dini, të lumë jeni po t'i bëni.
18 Nuk po e them këtë për të gjithë ju, unë e di cilët zgjodha, por që të përmbushet Shkrimi: 'ai që ha bukën me mua, ngriti kundër meje thembrën e tij'.
19 Po jua them që tani, para se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam.
20 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: ai që pranon këdo që të dërgoj, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua".
21 Kur Jezusi i tha këto, u trondit në frymë dhe dëshmoi e tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se një prej jush do të më tradhtojë".
22 Atëherë dishepujt shihnin njëri-tjetrin, duke qenë të hutuar se për cilin po fliste.
23 Tani, njëri prej dishepujve të tij, ai të cilin Jezusi e donte, ishte shtruar në sofër në gjirin e Jezusit.
24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë këtij për ta pyetur Jezusin se kush mund të ishte ai për të cilin po fliste.
25 Dhe ai, duke u mbështetur mbi kraharorin e Jezusit, i tha: "Zot, kush është?".
26 Jezusi u përgjigj: "Është ai të cilit unë do t'i zgjas kafshatën kur ta ngjyej". Dhe si e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simonit, Iskariotit.
27 Dhe mbas kafshatës, Satani hyri atëherë në të. Kështu, Jezusi i tha: "Çfarë po bën, bëje shpejt!".
28 (Tani, asnjë nga ata që ishin shtruar, nuk e kuptoi për çfarë ia tha këtë,
29 sepse disa pandehnin se, ngaqë kuletën e kishte Juda, Jezusi i tha: "Bli çfarë kemi nevojë për festën", apo që t'u jepte diçka të varfërve.)
30 Kështu, si mori kafshatën, ai doli menjëherë. Dhe ishte natë.
31 Atëherë, kur doli Juda, Jezusi tha: "Tani u përlëvdua Biri i Njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të.
32 Nëse Perëndia u përlëvdua në të, edhe Perëndia do ta përlëvdojë atë në vetvete, dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 O bij, jam ende edhe pak me ju; do të më kërkoni dhe, ashtu siç ua thashë judenjve, tani jua them edhe juve: 'Ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini'.
34 Po ju jap një urdhërim të ri, që ta doni njëri-tjetrin; që edhe ju ta doni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë.
35 Prej kësaj do ta kuptojnë të gjithë se jeni dishepuj të mi: po të keni dashuri ndërmjet njëri-tjetrit".
36 Simon Pjetri i tha: "Zot, ku po shkon?". Jezusi iu përgjigj: "Ku po shkoj unë, tani nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më pas".
37 Pjetri i tha: "Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jap jetën time për ty!".
38 Jezusi iu përgjigj atij: "Do të japësh jetën tënde për mua?! Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë fare, derisa të më mohosh tri herë!".
Të gjithë librat
