Ungjilli sipas Gjonit 11
1 Tani, ishte njëri duke lënguar, Llazari nga Betania, prej fshatit të Marisë dhe Martës, motrës së saj
2 (dhe Maria ishte ajo që vajosi Zotin me vaj erëmirë dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj, vëllai i së cilës, Llazari, po lëngonte).
3 Atëherë, motrat dërguan fjalë te Jezusi duke thënë: "Zot, ja, ai që ti e do, po lëngon".
4 Dhe kur Jezusi dëgjoi këtë, tha: "Kjo lëngatë nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që të përlëvdohet Biri i Perëndisë nëpërmjet saj".
5 (Tani, Jezusi i donte Martën dhe motrën e saj, dhe Llazarin.)
6 Kështu, si dëgjoi se Llazari po lëngonte, pikërisht atëherë ndenji dy ditë në vendin ku ishte.
7 Mandej, mbas kësaj u tha dishepujve: "Të shkojmë në Judé përsëri".
8 Dishepujt i thanë: "Rabbi, judenjtë sapo kërkuan për të të vrarë me gurë dhe përsëri po shkon atje?".
9 Jezusi u përgjigj: "A nuk janë dymbëdhjetë orët e ditës? Po të ecë dikush gjatë ditës, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,
10 por po të ecë dikush gjatë natës, pengohet, sepse drita nuk është në të".
11 Këto i tha Jezusi dhe mbas kësaj u tha atyre: "Llazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj që ta zgjoj".
12 Atëherë dishepujt e tij thanë: "Zot, nëse ka fjetur, do të shpëtojë".
13 (Por Jezusi kishte folur për vdekjen e tij, ndërsa ata pandehën se fliste për fjetjen e gjumit.)
14 Atëherë, pra, Jezusi u tha atyre hapur: "Llazari vdiq!
15 Dhe për dobinë tuaj gëzohem që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai!".
16 Atëherë Thomai, ai që quhet Binjaku, u tha bashkëdishepujve: "Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të!".
17 Atëherë, kur erdhi Jezusi, e gjeti atë duke qenë tashmë katër ditë në varr.
18 (Tani, Betania ishte afër Jerusalemit, rreth pesëmbëdhjetë stade,
19 dhe shumë prej judenjve kishin ardhur te ato, pra, për Martën dhe Marinë, që t'i ngushëllonin për vëllain e tyre.)
20 Marta, pra, si dëgjoi se Jezusi po vinte, i doli para, ndërsa Maria ndenji ulur në shtëpi.
21 Atëherë Marta i tha Jezusit: "Zot, sikur të ishe këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur,
22 por edhe tani e di se gjithë sa t'i kërkosh Perëndisë, Perëndia do të t'i japë".
23 Jezusi i tha: "Vëllai yt do të ringjallet".
24 Marta i tha: "E di se do të ringjallet në ringjallje në ditën e fundit".
25 Jezusi i tha: "Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe po të vdesë, do të jetojë.
26 Dhe kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë, përjetë. E beson këtë?".
27 Ajo i tha: "Po, Zot, unë kam besuar se ti Krishti, Biri i Perëndisë, ai që vjen në botë".
28 Dhe si tha këto gjëra, u largua dhe thirri fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: "Mësuesi është këtu dhe po të thërret".
29 Ajo, si e dëgjoi këtë, u çua shpejt dhe erdhi tek ai.
30 (Tani, Jezusi ende nuk kishte ardhur në fshat, por ishte në vendin ku i doli para Marta.)
31 Atëherë judenjtë, ata që ishin me të në shtëpi dhe po e ngushëllonin, duke parë Marinë se u ngrit shpejt dhe doli, e ndoqën duke thënë: "Po shkon te varri, që të qajë atje".
32 Atëherë Maria, si erdhi aty ku ishte Jezusi, kur e pa atë, ra te këmbët e tij, duke i thënë: "Zot, sikur të ishe këtu, nuk do të kishte vdekur vëllai im".
33 Atëherë Jezusi, si e pa atë duke qarë dhe gjithashtu judenjtë që erdhën me të duke qarë, u prek thellë në frymë dhe u trondit.
34 Dhe tha: "Ku e keni vënë?". I thanë: "Zot, eja dhe shiko!".
35 Jezusi lotoi.
36 Atëherë judenjtë thoshin: "Shiko sa e donte!".
37 Por disa prej tyre thanë: "A nuk mundej ky që hapi sytë e të verbrit, të bënte që edhe ky të mos vdiste?".
38 Atëherë, Jezusi, duke u prekur përsëri thellë në vetvete, erdhi te varri. (Tani, varri ishte një shpellë dhe mbi hyrjen e saj ishte vënë një gur.)
39 Jezusi tha: "Hiqeni gurin!". Marta, motra e atij që kishte vdekur, i tha: "Zot, tashmë ai qelbet, sepse është e katërta ditë".
40 Jezusi i tha: "A nuk të thashë se po të besosh, do të shikosh lavdinë e Perëndisë?".
41 Atëherë e hoqën gurin prej aty ku ishte shtrirë ai që kishte vdekur. Dhe Jezusi ngriti sytë lart dhe tha: "O Atë, të falënderoj se më dëgjove!
42 Dhe unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por e thashë këtë për hir të turmës që më rrethon, me qëllim që të besojnë se ti më dërgove".
43 Dhe si i tha këto, thirri me zë të lartë: "Llazar, eja jashtë!".
44 Dhe ai që kishte vdekur doli i lidhur këmbë e duar me rripa pëlhure dhe fytyra e tij ishte mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: "Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!".
45 Prandaj, shumë prej judenjve që erdhën te Maria dhe që vërejtën ato që bëri Jezusi, besuan në të.
46 Por disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan ato që bëri Jezusi.
47 Atëherë, kryepriftërinjtë dhe farisenjtë mblodhën një këshill dhe thoshin: "Çfarë të bëjmë, se ky njeri po bën shumë shenja?
48 Po ta lëmë atë kështu, të gjithë do të besojnë në të dhe do të vijnë romakët e do ta heqin nga faqja e dheut edhe vendin, edhe kombin tonë".
49 Dhe njëri prej tyre, Kajafa, duke qenë kryeprift i atij viti, u tha atyre: "Ju nuk dini asgjë!
50 Dhe as nuk arsyetoni se na leverdis që vetëm një njeri të vdesë për popullin dhe të mos humbasë i tërë kombi".
51 (Tani, këtë nuk e tha nga vetvetja, por duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi që Jezusi duhej të vdiste për kombin;
52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe që t'i mblidhte në një fëmijët e Perëndisë që ishin shpërndarë.)
53 Kështu, që nga ajo ditë u këshilluan bashkë që ta vrisnin.
54 Prandaj Jezusi nuk ecte më haptas ndër judenjtë, por u largua prej aty në krahinën afër shkretëtirës, në një qytet që quhet Efraim, dhe atje rrinte me dishepujt e tij.
55 Tani, ishte afër Pashka e judenjve dhe shumë njerëz prej krahinës u ngjitën në Jerusalem përpara Pashkës, që të dëlirnin vetveten.
56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshin me njëri-tjetrin: "Çfarë mendoni ju? Se nuk do të vijë fare në festë?".
57 Tani, edhe kryepriftërinjtë edhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që po ta dinte ndokush se ku është, të njoftonte, në mënyrë që ta kapnin.
Të gjithë librat
