Ungjilli sipas Gjonit 1
1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2 Ky (Fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha u bënë nëpërmjet tij dhe pa të nuk u bë as edhe një gjë që është bërë.
4 Në të ishte jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Dhe drita shndrit në errësirë, dhe errësira nuk e kaploi.
6 Doli një njeri i dërguar nga Perëndia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ky erdhi për dëshmi, që të dëshmonte rreth dritës, me qëllim që të gjithë të besonin nëpërmjet tij.
8 Nuk ishte ai drita, por erdhi që të dëshmonte rreth dritës.
9 Drita e vërtetë, e cila ndriçon çdo njeri, ishte duke ardhur në botë.
10 Në botë ishte dhe bota u bë nëpërmjet tij, mirëpo bota nuk e njohu.
11 Erdhi te gjërat e veta dhe të vetët nuk e pranuan.
12 Por gjithë sa e pranuan, u dha atyre të drejtën për t'u bërë fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13 të cilët nuk u lindën prej gjaku, as prej vullneti të mishit, as prej vullneti të burrit, po prej Perëndisë.
14 Dhe Fjala u bë mish e banoi ndër ne, dhe ne vëzhguam lavdinë e tij, lavdi si ajo e një të vetmit nga Ati, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: "Ky ishte ai për të cilin thashë: 'Ai që vjen mbas meje, ka qenë më lart se unë, sepse ishte para meje'".
16 Dhe prej plotësisë së tij ne të gjithë morëm edhe hir mbi hir.
17 Se Ligji u dha nëpërmjet Moisiut; hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Perëndinë askush nuk e ka parë ndonjëherë; një i vetmi Bir, ai që është në gjirin e Atit, ai e shpjegoi.
19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur judenjtë dërguan prej Jerusalemit priftërinj dhe levitë që ta pyesnin: "Ti kush je?".
20 Dhe ai rrëfeu e nuk mohoi, por rrëfeu: "Nuk jam unë Krishti!".
21 Dhe e pyetën: "Çfarë, pra? Elia je ti?". Dhe ai tha: "Nuk jam unë!". "Profeti je ti?". Dhe ai u përgjigj: "Jo!".
22 Atëherë i thanë: "Kush je, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Çfarë thua për veten tënde?".
23 Ai tha: "Unë jam 'zëri i njërit që klith në shkreti: Drejtoni udhën e Zotit!', ashtu si tha profeti Isaia"
24 (dhe të dërguarit ishin prej farisenjve).
25 Dhe e pyetën e i thanë: "Pse, pra, pagëzon nëse ti nuk je Krishti, as Elia, as profeti?".
26 Gjoni iu përgjigj duke thënë: "Unë pagëzoj në ujë, por mes jush qëndron një të cilin ju nuk e njihni.
27 Ai është ai që vjen mbas meje, i cili ka qenë më lart se unë, të cilit unë nuk jam i denjë që t'i zgjidh lidhësen e sandales së tij".
28 Këto ndodhën në Betani, matanë Jordanit, ku Gjoni ishte duke pagëzuar.
29 Të nesërmen Gjoni pa Jezusin duke ardhur drejt tij dhe tha: "Ja, Qengji i Perëndisë, ai që heq mëkatin e botës!
30 Ky është ai për të cilin unë thashë: 'Mbas meje vjen një burrë i cili ka qenë më lart se unë, sepse ishte para meje'.
31 Dhe unë nuk e njihja, por që ai t'i shfaqet Izraelit, unë për këtë arsye erdha duke pagëzuar në ujë".
32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: "E kam vështruar Frymën duke zbritur si pëllumb prej qiellit dhe ndenji mbi të.
33 Dhe unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi për të pagëzuar në ujë, ai më tha: 'Ai mbi të cilin do të shikosh Frymën duke zbritur dhe duke ndenjur mbi të, ky është ai që pagëzon në Frymën e Shenjtë'.
34 Dhe unë kam parë dhe kam dëshmuar se ky është Biri i Perëndisë".
35 Të nesërmen, përsëri po qëndronte aty Gjoni dhe dy prej dishepujve të tij;
36 dhe si ia nguli sytë Jezusit duke ecur, tha: "Ja Qengji i Perëndisë!".
37 Dhe të dy dishepujt e dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.
38 Dhe Jezusi, si u kthye dhe i vështroi ata duke e ndjekur, u tha: "Çfarë kërkoni?". Dhe ata i thanë: "Rabbi (që e përkthyer, do të thotë 'Mësues'), ku rri?".
39 Jezusi u tha: "Ejani dhe shikoni!". Atëherë erdhën dhe e panë se ku rrinte, dhe ndenjën me të atë ditë. Ora ishte rreth e dhjetë.
40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një prej atyre të dyve që dëgjuan nga Gjoni dhe që e ndoqën atë.
41 Ky, i pari, gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: "Kemi gjetur Mesinë" (që përkthyer do të thotë 'Krishti'),
42 dhe e solli te Jezusi. duke ia ngulur sytë, Jezusi tha: "Ti je Simoni, biri i Jonait. Ti do të thirresh Kefa" (që përkthehet Pjetër).
43 Të nesërmen Jezusi deshi të dilte në Galile dhe gjeti Filipin e i tha: "Më ndiq!".
44 Tani, Filipi ishte nga Betsaida, prej qytetit të Andreas dhe të Pjetrit.
45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: "Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, atë nga Nazareti".
46 Dhe Natanaeli i tha: "A mund të ketë ndonjë të mirë prej Nazaretit?". Filipi i tha: "Eja dhe shiko!".
47 Jezusi pa Natanaelin duke ardhur drejt tij dhe tha për të: "Ja, vërtet një izraelit në të cilin nuk ka dredhi!".
48 Natanaeli i tha: "Prej nga më njeh?". Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Para se të të thërriste Filipi, të pashë teksa ishe nën fik".
49 Natanaeli u përgjigj dhe i tha: "Rabbi, ti je Biri i Perëndisë! Ti je Mbreti i Izraelit!".
50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Se të thashë që të pashë poshtë fikut po beson? Gjëra më të mëdha se këto do të shikosh".
51 Dhe i tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se nga tani e tutje do ta shikoni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e Njeriut".
Të gjithë librat
