Ungjilli sipas Gjonit 8
1 Por Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve.
2 Dhe në agim erdhi përsëri në tempull; dhe gjithë populli vinte tek ai.
3 Tani, skribët dhe farisenjtë sollën një grua të kapur në kurorëshkelje. Dhe si e vunë në mes,
4 priftërinjtë, duke e sprovuar Jezusin, që të kishin një padi ndaj tij, i thanë: "Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë duke shkelur kurorën.
5 Tani, Moisiu në Ligj urdhëroi për t'i vrarë me gurë të tilla gra; po ti, tani, çfarë thua?".
6 Por Jezusi u përkul poshtë dhe shkruante me gisht në dhé.
7 Dhe ndërsa ata po vazhdonin duke e pyetur, u ngrit dhe u tha: "Kush është i pamëkatë nga ju, ta hedhë i pari gurin mbi të!".
8 Dhe përsëri u përkul dhe shkruante me gisht në dhé.
9 Dhe secili nga judenjtë nisi të largohej, duke filluar nga pleqtë; kështu që të gjithë u larguan dhe mbeti vetëm Jezusi dhe gruaja që kishte qenë në mes.
10 Dhe si u ngrit, Jezusi i tha gruas: "Ku janë? Asnjëri nuk të dënoi?".
11 Dhe ajo i tha: "Asnjëri, zotëri". Dhe ai tha: "As unë nuk po të dënoj. Shko, dhe që tani e tutje mos mëkato më!".]
12 Atëherë, përsëri u foli Jezusi atyre, duke thënë: "Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek, nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës".
13 Atëherë farisenjtë i thanë: "Ti dëshmon për veten tënde; dëshmia jote nuk është e vërtetë".
14 Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Edhe po të dëshmoj unë për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di prej nga erdha dhe ku po shkoj; ndërsa ju nuk e dini prej nga vij, apo ku po shkoj.
15 Ju gjykoni sipas mishit; unë nuk gjykoj asnjë.
16 Por edhe po të gjykoj unë, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi mua.
17 Por edhe në Ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.
18 Unë jam ai që dëshmoj për veten time, dhe dëshmon për mua edhe ai që më dërgoi, Ati".
19 Atëherë i thanë: "Ku është ati yt?". Jezusi u përgjigj: "Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Sikur të më njihnit mua, edhe Atin tim do ta njihnit".
20 Këto thënie i foli te vendi i arkës së ofertës, duke mësuar në tempull, dhe asnjë nuk e kapi, sepse ende nuk kishte ardhur ora e tij.
21 Atëherë, Jezusi u tha përsëri: "Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini".
22 Atëherë judenjtë thanë: "A mos do të vrasë veten, ngaqë thotë: 'Ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini'?".
23 Dhe Jezusi u tha: "Ju jeni prej poshtë, unë jam prej lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.
24 Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja".
25 Atëherë i thanë: "Ti kush je?". Jezusi u tha: "Çfarë është ajo që ju them prej fillimit?
26 Shumë kam për të thënë dhe për të gjykuar në lidhje me ju, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe unë ato që dëgjova nga ai, këto ia them botës".
27 (Ata nuk e kuptuan se po u thoshte për Atin.)
28 Atëherë Jezusi u tha: "Kur ta ngrini lart Birin e Njeriut, atëherë do ta kuptoni se unë jam dhe se nga vetja ime nuk bëj asgjë, por ashtu si më mësoi Ati, këto flas.
29 Dhe ai që më dërgoi, është me mua; nuk më la vetëm, sepse unë bëj gjithmonë gjërat e pëlqyera prej tij".
30 Ndërsa ai fliste këto gjëra, shumë veta besuan në të.
31 Atëherë Jezusi u tha judenjve që kishin besuar në të: "Po të rrini në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi;
32 dhe do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t'ju çlirojë".
33 Ata iu përgjigjën atij: "Ne jemi farë e Abrahamit dhe askujt nuk i jemi skllavëruar ndonjëherë! Si po thua ti: 'Do të bëheni të lirë'?".
34 Jezusi iu përgjigj: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them se kushdo që ushtron mëkatin, është skllav i mëkatit.
35 Dhe skllavi nuk rri në shtëpi përjetë; Biri rri përjetë.
36 Prandaj, po t'ju çlirojë Biri, do të jeni vërtet të lirë.
37 E di se jeni farë e Abrahamit, por kërkoni që të më vrisni, sepse fjala ime nuk gjen vend në ju.
38 Unë flas ato që kam parë pranë Atit tim; edhe ju, atëherë, bëni ato që dëgjuat nga ati juaj".
39 Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Ati ynë është Abrahami". Jezusi u tha: "Nëse jeni fëmijë të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit;
40 por tani kërkoni që të më vrisni mua, njeriun që ju ka folur të vërtetën, të cilën e dëgjova nga Perëndia. Këtë Abrahami nuk e bëri.
41 Ju bëni veprat e atit tuaj". Atëherë i thanë: "Ne nuk kemi lindur prej kurvërie! Ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë".
42 Jezusi u tha: "Sikur Perëndia të ishte Ati juaj, ju do të më donit, sepse unë prej Perëndisë dola dhe kam ardhur. Se as edhe nga vetja ime nuk kam ardhur, por ai më dërgoi.
43 Përse nuk e kuptoni të folurën time? Sepse nuk mund ta dëgjoni fjalën time.
44 Ju jeni prej atit tuaj, djallit, dhe doni të bëni dëshirimet e atit tuaj. Ai ishte njerivrasës nga fillimi dhe nuk qëndron në të vërtetën, sepse nuk ka të vërtetë në të. Kur thotë gënjeshtrën, flet prej të vetave, sepse është gënjeshtar dhe ati i saj.
45 Por ngaqë unë them të vërtetën, nuk më besoni.
46 Kush prej jush më fajëson për mëkat? Nëse them të vërtetën, përse ju nuk më besoni?
47 Ai që është prej Perëndisë, dëgjon thëniet e Perëndisë. Për këtë arsye ju nuk dëgjoni: se nuk jeni prej Perëndisë".
48 Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: "A nuk themi mirë ne se ti je një samaritan dhe se ke një demon?".
49 Jezusi u përgjigj: "Unë nuk kam një demon, por e nderoj Atin tim; kurse ju më çnderoni!
50 Tani, unë nuk kërkoj lavdinë time; ka se kush e kërkon dhe gjykon.
51 Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: po ta mbajë dikush fjalën time, nuk do të shohë kurrë vdekje, përjetë".
52 Judenjtë i thanë: "Tani e kemi kuptuar se ke një demon! Abrahami vdiq, edhe profetët, dhe ti thua 'po ta mbajë dikush fjalën time, nuk do të provojë kurrë vdekje, përjetë'.
53 Mos je ti më i madh se ati ynë Abraham, i cili vdiq? Edhe profetët vdiqën! Për kë e mban veten?".
54 Jezusi u përgjigj: "Po ta përlëvdoj unë veten time, lavdia ime nuk është asgjë. Është Ati im ai që më përlëvdon, ai për të cilin ju thoni: 'Është Perëndia ynë!'.
55 Mirëpo ju nuk e keni njohur atë, ndërsa unë e njoh atë, dhe po të them se nuk e njoh atë, do të jem gënjeshtar njësoj si ju. Por unë e njoh atë dhe e mbaj fjalën e tij.
56 Abrahami, ati juaj, u ngazëllua që do të shikonte ditën time; dhe e pa, dhe u gëzua".
57 Atëherë judenjtë i thanë atij: "Ti ende nuk i ke mbushur pesëdhjetë vjet dhe ke parë Abrahamin?".
58 Jezusi u tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: përpara se Abrahami të vinte në jetë, Unë Jam".
59 Atëherë morën gurë që t'i hidhnin mbi të, por Jezusi u fsheh dhe doli prej tempullit.
Të gjithë librat
