Ungjilli sipas Gjonit 7
1 Dhe mbas këtyre gjërave Jezusi ecte nëpër Galile, sepse nuk donte të ecte nëpër Judé, se judenjtë e kërkonin për ta vrarë.
2 Tani, ishte afër festa e judenjve, Ngritja e Tendave.
3 Prandaj vëllezërit e vet i thanë atij: "Largohu prej këtu dhe shko në Judé, që edhe dishepujt e tu t'i vërejnë veprat e tua, që ti bën,
4 sepse askush nuk bën diçka fshehtas dhe vetë kërkon të jetë i njohur haptas. Nëse i bën këto gjëra, shfaqju botës!"
5 (sepse as edhe vëllezërit e tij nuk besonin në të).
6 Atëherë Jezusi u tha: "Koha ime ende nuk ka ardhur, por koha juaj është gjithmonë gati.
7 Bota nuk mund t'ju urrejë ju, por mua më urren, sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të liga.
8 Ju ngjituni në festë. Unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, se koha ime ende nuk është plotësuar".
9 Dhe si ua tha këto, ndenji në Galile.
10 Tani, mbasi u ngjitën vëllezërit e tij në festë, atëherë u ngjit edhe vetë, jo haptas, por si fshehtas.
11 Judenjtë, pra, e kërkonin në festë dhe thoshin: "Ku është ai?",
12 dhe kishte shumë pëshpëritje për të në turma. Disa thoshin: "Është i mirë!"; të tjerë thoshin: "Jo, përkundrazi, po mashtron turmën!".
13 Megjithatë, asnjë nuk fliste hapur për të, për shkak të frikës së judenjve.
14 Dhe ndërsa festa ishte tashmë në mes, Jezusi u ngjit në tempull dhe nisi të jepte mësim.
15 Atëherë judenjtë habiteshin duke thënë: "Si i di ky Shkrimet pa qenë i mësuar?".
16 Atëherë Jezusi iu përgjigj dhe tha: "Mësimi im nuk është imi, por i atij që më dërgoi.
17 Po të dojë dikush të bëjë vullnetin e Perëndisë, do të njohë në lidhje me mësimin tim nëse është prej Perëndisë, apo unë flas nga vetja ime.
18 Ai që flet nga vetvetja, kërkon lavdinë e vet, ndërsa ai që kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, ky është i vërtetë dhe në të nuk ka padrejtësi.
19 A nuk jua ka dhënë Moisiu Ligjin?! Mirëpo asnjë prej jush nuk e zbaton Ligjin. Pse kërkoni të më vrisni?".
20 Turma u përgjigj: "Ti ke një demon. Kush kërkon të të vrasë?".
21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Vetëm një vepër bëra dhe të gjithë habiteni.
22 Për këtë arsye Moisiu ju ka dhënë rrethprerjen (jo se është prej Moisiut, por prej etërve), dhe ju e rrethpritni një njeri në shabat.
23 Nëse një njeri merr rrethprerje në shabat, me qëllim që të mos hidhet poshtë Ligji i Moisiut, hidhëroheni me mua se e bëra një njeri krejt të shëndetshëm në shabat?
24 Mos gjykoni sipas pamjes, por gjykoni me gjykimin e drejtë!".
25 Atëherë, disa prej banorëve të Jerusalemit thoshin: "A nuk është ky ai të cilin kërkojnë që ta vrasin?
26 Dhe ja, ai flet hapur dhe asgjë nuk i thonë! Mos vallë krerët kuptuan vërtet se ky është Krishti?
27 Por këtë njeri e dimë prej nga është, ndërsa kur të vijë Krishti, asnjë nuk do ta marrë vesh prej nga është".
28 Atëherë Jezusi thirri duke mësuar në tempull dhe duke thënë: "Mua edhe më njihni, edhe e dini prej nga jam; megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë, ai të cilin ju nuk e njihni.
29 Unë e njoh atë, sepse nga ai jam dhe ai më dërgoi".
30 Atëherë kërkonin për ta kapur, mirëpo asnjë nuk vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kishte ardhur ora e tij.
31 Por nga turma shumë veta besuan në të dhe thoshin: "Krishti, kur të ketë ardhur, mos do të bëjë më shumë shenja se këto që bëri ky?".
32 Farisenjtë e dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të dhe kryepriftërinjtë e farisenjtë dërguan roja që ta kapnin.
33 Atëherë Jezusi tha: "Ende pak kohë jam me ju dhe shkoj tek ai që më dërgoi.
34 Do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni; dhe aty ku jam unë, ju nuk mund të vini".
35 Atëherë judenjtë thanë me njëri-tjetrin: "Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk do ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te diaspora që është ndër helenë dhe të mësojë helenët?
36 Çfarë është kjo fjala që tha: 'Do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni; dhe aty ku jam unë, ju nuk mund të vini'?".
37 Tani, në ditën e fundit të festës, atë të madhen, Jezusi qëndroi në këmbë dhe thirri duke thënë: "Po të ketë etje ndokush, të vijë tek unë dhe të pijë!
38 Ai që beson në mua, ashtu siç tha Shkrimi: 'prej brendisë së tij do të rrjedhin lumenj uji të gjallë'".
39 (Tani, këtë ai e tha për Frymën që do të merrnin ata që besuan në të, sepse ende nuk ishte dhënë Fryma, se Jezusi ende nuk qe përlëvduar.)
40 Atëherë, disa nga turma, si i dëgjuan këto fjalë, thoshin: "Ky është vërtet profeti".
41 Të tjerë thoshin: "Ky është Krishti". Por të tjerë thoshin: "Mos vallë prej Galilesë vjen Krishti?
42 A nuk tha Shkrimi se Krishti vjen prej farës së Davidit dhe nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?".
43 Kështu, u bë përçarje në turmë për shkak të tij.
44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por asnjë nuk vuri dorë mbi të.
45 Atëherë, rojat erdhën te kryepriftërinjtë dhe farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: "Përse nuk e sollët?".
46 Rojat u përgjigjën: "Kurrë nuk ka folur njeri kështu!".
47 Atëherë farisenjtë iu përgjigjën: "Mos jeni mashtruar edhe ju?
48 A mos ndokush prej krerëve apo prej farisenjve besoi në të?
49 Por kjo turmë që nuk e njeh Ligjin është e mallkuar".
50 Nikodemi, ai që pati ardhur më përpara te Jezusi dhe që ishte një prej tyre, u tha atyre:
51 "Mos vallë e gjykon Ligji ynë njeriun, po të mos dëgjojë më parë nga ai dhe të marrë dijeni se çfarë po bën?".
52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: "Mos je edhe ti prej Galilesë? Heto dhe shiko se prej Galilesë nuk del profet".
53 [Dhe shkoi secili në shtëpinë e vet.
Të gjithë librat
