Ungjilli sipas Gjonit 3
1 Tani, ishte një njeri prej farisenjve, emri i të cilit ishte Nikodem, një nga krerët e judenjve.
2 Ky erdhi te Jezusi natën dhe i tha: "Rabbi, e dimë se ke ardhur nga Perëndia si mësues, sepse asnjë nuk mund t'i bëjë këto shenja që ti bën, po të mos jetë Perëndia me të".
3 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: po të mos lindet dikush nga lart, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Perëndisë".
4 Nikodemi i tha atij: "Si mund të lindet një njeri duke qenë plak? Mos mundet që të hyjë së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindet?".
5 Jezusi u përgjigj: "Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: po të mos lindet dikush prej uji dhe Fryme, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.
6 Çfarë është lindur prej mishit, është mish; dhe çfarë është lindur prej Frymës, është frymë.
7 Mos u habit se të thashë: 'Ju duhet të lindeni nga lart'.
8 Era fryn ku dëshiron dhe ti dëgjon zhurmën e saj, por nuk e di prej nga vjen dhe ku shkon; kështu është kushdo që është lindur prej Frymës".
9 Nikodemi u përgjigj dhe i tha: "Si mund të ndodhin këto gjëra?".
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: "Ti je mësuesi i Izraelit dhe këto gjëra nuk i njeh?
11 Me të vërtetë, me të vërtetë po të them se ne flasim çfarë dimë dhe dëshmojmë çfarë kemi parë, mirëpo dëshminë tonë nuk e pranoni.
12 Nëse ju fola për gjërat tokësore dhe nuk besoni, si do të besoni po t'ju flas për gjërat qiellore?!
13 Dhe asnjë nuk është ngjitur në qiell, në mos ai që zbriti prej qiellit, Biri i Njeriut.
14 Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i Njeriut,
15 me qëllim që kushdo që beson në të, të ketë jetë të përjetshme.
16 Sepse kaq e deshi Perëndia botën, saqë dha Birin, një të vetmin, me qëllim që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij.
18 Ai që beson në të, nuk gjykohet, por ai që nuk beson, tashmë është gjykuar, sepse nuk ka besuar në emrin e një të vetmit Bir të Perëndisë.
19 Tani, ky është gjykimi, që drita ka ardhur në botë dhe njerëzit deshën më tepër errësirën sesa dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga.
20 Sepse kushdo që praktikon gjëra të ulëta, e urren dritën dhe nuk vjen te drita, me qëllim që të mos dalin sheshit veprat e tij.
21 Ndërsa ai që bën të vërtetën, vjen te drita, me qëllim që të shfaqen veprat e tij, sepse janë bërë në Perëndinë".
22 Mbas këtyre gjërave, erdhi Jezusi dhe dishepujt e tij në tokën e Judesë; dhe ai ndenji atje me ta dhe pagëzonte.
23 Tani, edhe Gjoni ishte duke pagëzuar në Enon, afër Salimit, sepse atje kishte shumë ujëra, dhe njerëzit vinin e pagëzoheshin
24 (sepse Gjoni ende nuk ishte hedhur në burg).
25 Atëherë u bë një rragatje prej dishepujve të Gjonit me një judé rreth pastrimit.
26 Dhe erdhën te Gjoni dhe i thanë: "Rabbi, ai që ishte me ty matanë Jordanit, për të cilin ti ke dëshmuar, ja, ky po pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai".
27 Gjoni u përgjigj dhe tha: "Nuk mundet një njeri të marrë as edhe një gjë po të mos i jetë dhënë prej qiellit.
28 Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: 'Nuk jam unë Krishti!', por që 'jam dërguar përpara tij'.
29 Ai që ka nusen është dhëndri, ndërsa miku i dhëndrit, ai që qëndron pranë dhe e dëgjon atë, mbushet me gëzim për shkak të zërit të dhëndrit. Prandaj ky gëzimi im është plotësuar.
30 Ai duhet të rritet, ndërsa unë të zvogëlohem".
31 Ai që vjen nga lart, është përmbi të gjithë. Ai që është prej tokës, prej tokës është dhe prej tokës flet. Ai që vjen prej qiellit, është përmbi të gjithë.
32 Çfarë ka parë dhe dëgjuar, këtë dëshmon, mirëpo dëshminë e tij asnjë nuk e pranon.
33 Ai që e pranon dëshminë e tij, e vulosi që Perëndia është i vërtetë.
34 Se ai të cilin e dërgoi Perëndia, flet thëniet e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën me masë.
35 Ati e do Birin dhe të gjitha i ka dhënë në dorën e tij.
36 Ai që beson në Birin, ka jetë të përjetshme, por ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shikojë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.
Të gjithë librat
