Ungjilli sipas Gjonit 2
1 Dhe ditën e tretë u bë një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Dhe u thirr edhe Jezusi dhe dishepujt e tij në dasmë.
3 Dhe kur mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha atij: "Nuk kanë verë".
4 Dhe Jezusi i tha asaj: "Çfarë lidhjeje ka kjo me mua dhe ty, o grua? Ende nuk ka ardhur ora ime".
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: "Çfarëdo gjëje që t'ju thotë, bëjeni!".
6 Tani, aty ishin të vëna gjashtë voza të gurta për pastrimin e judenjve, që nxinte secila dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha atyre: "I mbushni vozat me ujë!". Dhe i mbushën deri në buzë.
8 Mandej u tha: "Nxirrni tani prej tyre dhe çojani kryedasmorit". Dhe ata ia çuan.
9 Por si e provoi kryedasmori ujin që ishte bërë verë dhe duke mos ditur prej nga ishte (por e dinin shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), ai thirri dhëndrin
10 dhe i tha: "Çdo njeri qet së pari verën e mirë dhe, kur të dehen njerëzit, qet më të keqen; ndërsa ti e ke mbajtur verën e mirë deri tani!".
11 Këtë fillim të shenjave bëri Jezusi në Kanë të Galilesë dhe shfaqi lavdinë e tij; dhe dishepujt e tij besuan në të.
12 Mbas kësaj zbriti në Kafarnaum, ai dhe nëna e tij, dhe vëllezërit e dishepujt e tij; dhe atje ndenjën jo shumë ditë.
13 Dhe Pashka e judenjve ishte afër, dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem.
14 Dhe gjeti në tempull ata që shisnin qe dhe dele, dhe pëllumba, si dhe këmbyesit e monedhave duke ndenjur.
15 Dhe si bëri një kamxhik prej litarësh, i dëboi të gjithë prej tempullit, si dhe delet dhe qetë, dhe derdhi monedhat e këmbyesve, dhe përmbysi tavolinat.
16 Dhe atyre që shisnin pëllumbat, u tha: "Hiqini këto gjëra që këtu! Mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!".
17 Dishepujt e tij u kujtuan se është shkruar: "Zelli i shtëpisë sate do të më përpijë".
18 Atëherë, judenjtë iu drejtuan dhe i thanë: "Çfarë shenje na tregon që i bën këto gjëra?".
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha: "Shembeni këtë shenjtërore dhe në tri ditë do ta ngre".
20 Atëherë judenjtë thanë: "Për dyzet e gjashtë vjet u ndërtua kjo shenjtërore dhe ti në tri ditë do ta ngresh?!".
21 Por ai foli rreth shenjtërores së trupit të vet.
22 Prandaj, kur u ngrit prej të vdekurve, dishepujt e tij u kujtuan se e kishte thënë këtë dhe i besuan Shkrimit dhe fjalës që tha Jezusi.
23 Tani, kur ishte në Jerusalem për Pashkë në festë, shumë besuan në emrin e tij duke vërejtur shenjat e tij, që ai bënte.
24 Por vetë Jezusi nuk u zinte besë atyre, për shkak se ai i njihte të gjithë
25 dhe se nuk kishte nevojë që t'i dëshmonte kush rreth njeriut, sepse ai vetë e dinte çfarë ishte brenda njeriut.
Të gjithë librat
